Presidenti ukrainas Zelensky nuk ka dhënë dorëheqjen. Lajmi që po qarkullon është keqinterpretim i një artikulli të Deutsche Welle që flet për dorëheqjen që Zelensky i ka kërkuar shefit të shtabit të ushtrisë ukrainase.

——————————————

Një numër mediash shqiptare kanë raportuar këtë javë mbi një dorëheqje të përfolur të presidentit ukrainas Zelensky dhe shefit të shtabit të ushtrisë ukrainase. që “përflitet se do i zërë vendin.”  

Tekstet e këtyre artikujve duket se janë marrë nga një artikull i 5 shkurtit i faqes shqipfolëse të Deutsche Welle, që mban titullin “Rival i Zelenskit? Gjenerali përballë presidentit ukrainas”

Duket se një keqinterpretim i këtij artikulli ka frymëzuar dhe titujt keqinformues të mediave shqiptare.

Artikulli i DW nis: 

“Lajmi pushtoi mediat këtë javë: Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski i ka ofruar si mundësi dorëheqjen gjeneralit mjaft popullor të ushtrisë ukrainase dhe komandantit të Forcave të Armatosura, Valerij Zalushnij. Ky i fundit duket se ka refuzuar.”

Ndërsa në mediat shqiptare është risjellë si:

“Lajmi pushtoi mediat këtë javë: Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka ofruar dorëheqjen gjeneralit mjaft popullor të ushtrisë ukrainase dhe komandantit të Forcave të Armatosura, Valerij Zalushnij. Ky i fundit duket se ka refuzuar.”

Togfjalëshi kyç që mungon, dhe ndryshon krejt kuptimin e lajmit, është “si mundësi”.

Pra, artikulli i DW flet për lajmin se Zelensky i ka sugjeruar gjeneralit Zalushnij të dorëhiqet, dhe ky i fundit ka refuzuar. Kjo ka kuptim në kontekstin e konfliktit mes të dyve, për të cilin flet edhe artikulli. 

Ndërsa në mediat shqiptare, lajmi është transmetuar sikur Zelensky dha dorëheqjen pranë gjeneralit, por ky i fundit nuk e pranoi dorëheqjen e presidentit.

Keqinterpretimi i portaleve shqiptare u konfirmua për Faktoje edhe nga Deutsche Welle. 

Në një komunikim me email, Vilma Filaj-Ballvora nga Deutsche Welle tha se titujt e vendosur nga portalet shqiptare janë gjeneruar gabim, nuk korrespondojnë me brendinë e artikullit origjinal të DW. Siç shpjeguam edhe më sipër, “më së voni në fjalinë e dytë e më tej në tekst është fare e qartë, se bëhet fjalë për dorëheqje të gjeneralit dhe jo të presidentit.” 
“Lipset që portalet nëse ribotojnë artikuj nga media të tjera të mos i ndryshojnë ato,” shtoi Filaj-Ballvora.