Rihapja e kufijve me vendet fqinje, të mbyllura gjatë pandemisë, u premtua se do të ndodhte më 1 qershor. Kryeministri Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e njoftuan këtë gjatë komunikimeve të planit të rihapjes në disa konferenca në muajin maj. Por një vendim i minutave të fundit nga ana e qeverisë së Maqedonisë së Veriut për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme shkaktoi zhgënjim dhe konfuzion për qytetarët dhe qeverinë shqiptare.
Një nga pasojat më të forta të pandemisë dhe situatat më shqetësuese për qytetarët, qoftë në aspektin ekonomik, por edhe në atë social ishte izolimi që erdhi si pasojë e mbylljes së kufijve. Kryeministri Rama e adresoi këtë çështje më 14 maj, gjatë një videokonference me gazetarë ndërsa në të gjithë vendin kishte filluar hapja graduale e aktiviteteve të biznesit.
“Brenda muajit ne duam që edhe kufijtë tokësorë të hapen. Shpresoj që kjo të jetë e mundur. Tanimë kemi hequr detyrimin e karantinimit në hotel dhe gjithkush që vjen karantinohet në shtëpi. “ – tha ai.
Në një komunikim për qytetarët më 24 maj, zoti Rama tha se qeveria ishte e gatshme të hapte kufijtë tokësorë duke dhënë një afat:
“Ndërkohë që duke nisur nga e hëna 1 qershor, ne do të hapim kufijtë tokësorë me fqinjët për të gjithë shqiptarët, qofshin me pasaportë të Shqipërisë apo të Kosovës, Maqedonisë së Veriut a Malit të Zi, ne do të vazhdojmë t’u bëjmë thirrje pa pushim të gjithëve, pa përjashtim, për kujdes, kujdes, kujdes. Në 1 qershor do të hapen kufijtë.” – tha ai.
Ky afat i rihapjes së kufijve u rikonfirmua gjatë prezantimit të planit më 29 maj, ministrja e Shëndetësisë, zonja Ogerta Manastirliu:
“Do të hapen kufijtë tokësorë duke hequr karantinimin 2-javor si një masë që po ndiqet edhe në vendet europiane dhe në vendet e rajonit. Masa e vendosjes së karantinës 2-javore do të mbetet në fuqi në raste të veçanta, me urdhër të autoriteteve shëndetësore sipas protokolleve dhe kritereve të përcaktuara nga Qendra Europiane e Kontrollit të Infeksioneve” – tha ajo.
Më 30 maj, ndërsa data e hapjes së kufjve ishte vetëm një ditë larg, në rajon ndodhën ndryshime. Presidenti i Maqedonisë së Veriut vendosi të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme me 2 javë të tjera. Shkak për këtë u bë situata alarmante e koronavirusit, pasi në 48 orët e fundit 9 persona kishin humbur jetën dhe mbi 80 të tjerë ishin infektuar në vendin fqinj.
“Duke pasur parasysh numrin në rritje të bashkëqytetarëve tanë të infektuar dhe të vdekur, mora vendim të shpall gjendje të jashtëzakonshme edhe për 14 ditë tjera. Dua të theksoj që këtë vendim e marr vetëm për të mundësuar që qeveria dhe institucionet e tjera kompetente të përballen në mënyrë më efikase me efekte shëndetësore, ekonomike dhe sociale nga pandemia dhe nuk është e lidhur me datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.” – tha ai.
Në ditën e hapjes së kufijve, më 1 qershor, policia kufitare dha përditësimin e situatës nëpërmjet një njoftimi në faqen e Policisë së Shtetit.
“Për Republikën e Italisë, Greqisë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk ka ndryshim të regjimit kufitar nga ana e tyre. Lejohet hyrja për në Shqipëri, por nuk lejohet hyrja për të gjithë udhëtarët në drejtim të këtyre vendeve, përveç atyre që janë rezident apo që kanë ndjekur procedurat me Ministrinë e Jashtme, si përgjatë periudhës së pandemisë.” – lajmërohej, ndër të tjera, nga policia kufitare.
Në të njëjtën ditë, kryeministri Rama iu rikthye çështjes së kufijve nëpërmjet postimeve në faqen e tij në Twitter. Ai theksoi faktin se disa vende fqinje i kanë ende kufijtë e mbyllur, pavarësisht se Shqipëria i hapi.
Po më 1 qershor, afati i premtuar për hapjen e kufijve tokësorë, zv. kryeministri i Maqedonisë së Veriut, zoti Bujar Osmani, ndër argumentat kryesore për shtyrjen e këtij vendimi dha rritjen e numrit të të infektuarve nga COVID-19.
“Fakti që ne kemi obliguar Ministrinë e Shëndetësisë që të përgatisë propozime për hapjen e kufijve, ata e ndjejnë si obligim që duhet të realizojnë këtë konkluzion të qeverisë. Do të shohim në ditët në vijim. Nëse do ketë kushte, natyrisht edhe shteti nuk ka asnjë interes për të mbajtur kufijtë e mbyllur.” – tha ai.
Situata në Maqedoninë e Veriut është përkeqësuar përgjatë orëve të fundit, ku vetëm më 3 qershor u regjistruan 101 raste të reja infektimi me COVID-19.
*Foto e parë është marrë nga A2 CNN
JOEL ÇELA