MARJO BRAKAJ
A u përmbush parashikimi i ish-ministrit të Financave Arben Ahmetaj për rritjen ekonomike 4.3% për vitin që lamë pas? “Faktoje” përballi 4 parashikime që Ahmetaj bëri para miratimit të buxhetit për 2019-n me gjetjet e pasardhëses së tij Anila Denaj një vit më pas, kur planifikohej buxheti i 2020-s.
………………………………………………………………………………………………………………………………………………………
- Në prezantimin e “Buxhetit 2019”, më 31 tetor 2018, në Konferencën e Kryetarëve të Komisioneve ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj e përqendroi prezantimin në dy shtylla: “Rritja ekonomike” dhe “Ulja e Borxhit Publik”
“Rritja ekonomike parashikohet në nivelin 4.3% për vitin 2019, e cila pritet të forcohet më tej në vitin 2020 dhe 2021-deklaroi ministri i Financave në atë kohë Ahmetaj në prezantimin e “Projektbuxhetit 2019”, ku zotohej edhe për ulje të Borxhit Publik në 64.9%.
Parashikimi për rritje ekonomike në nivelin 4.3% për vitin 2019 u rrëzua nga ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj nëse i referohemi të dhënave që ajo deklaroi gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2020 në Kuvend.
“Ekonomia ka vijuar të regjistrojë rritje pozitive pёrgjatë gjysmës së parë të vitit 2019, në nivelet e 2.4%. Pavarësisht ngadalësimit të rritjes, sektorët fondamentalë, strukturorë, të ekonomisë kanë pasur një performancë të mirë dhe në linjë me pritshmëritë për të mundësuar një rritje në intervalin 3% – 3.5% për të gjithë vitin 2019.”
- Rritjen ekonomike, ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmetaj ia atribuonte edhe parashikimeve pozitive në sektorët e import-eksporteve.
“Rritja ekonomike pritet të mbështetet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi privat dhe investimet. Ndërkohë kërkesa e huaj neto (eksport – import) pritet të sjellë gjithashtu një efekt pozitiv, por akoma marxhinal.”-tha Arben Ahmetaj.
Edhe ky parashikim i Ahmetajt u rrëzua në prezantimin e “Projektbuxhetit për 2020-n” nga ministrja Anila Denaj.
“Në vitin 2019 ka pasur një zgjerim të defiçitit të llogarisë korente për gjysmën e parë të këtij viti, duke reflektuar kryesisht importe më të larta të mallrave me + 3% dhe një tkurrje të eksporteve me -2.8% në 9 Mujor të 2019, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.”-deklaroi ajo.
Të njëjtin trend negativ të sektorit të import-eksporteve e konfirmoi edhe një raport i INSTAT.
“Në njëmbëdhjetë-mujorin e vitit 2019 (janar-nëntor) eksportet e mallrave arritën në vlerën 277 miliardë lekë, duke u ulur me 4,1 %, krahasuar me një vit më parë.”
- Buxheti i vitit 2019, në prezantimin e një viti më parë nga ish-ministri Ahmetaj, synonte uljen e aksidenteve me pasojë vdekjen, përmes investimeve konkrete në infrastrukturë.
“Synohet ulja e numrit të aksidenteve me pasojë humbje në jetë njerëzish dhe numri i pikave të zeza me 23%.”-deklaronte Ahmetaj.
Sipas raportit të INSTAT, numri i aksidenteve në punë me pasojë vdekjen u ul, por jo në kuotën e parashikuar nga Ahmetaj.
“Ulja e numrit të aksidenteve me pasojë humbje jetësh njerëzish u ul me 12,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018”.
- Mbledhja e të ardhurave ishte një tjetër synim i Ministrisë së Financave për “Buxhetin 2019” teksa parashikohej një rritje prej rreth 21%.
“Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore për vitin 2019 parashikohen të kenë një rritje me mbi 3.8 miliardë lekë më shumë se sa plani i vitit 2018, ose thënë ndryshe me një rritje prej rreth 21%–deklaroi Ahmetaj 1 vit më parë.
Në prezantimin e projektbuxhetit të vitit 2019, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj hodhi poshtë parashikimn e bërë nga Ahmetaj për buxhetin e vitit 2019.
“Ka pasur një mungesë të të ardhurave prej rreth 1.8% në krahasim me planin e periudhёs, sidoqoftë, një mungesë e tillë e të ardhurave është absorbuar plotësisht brenda hapёsirave “amortizuese” të krijuara që në buxhetin fillestar”-deklaroi Denaj.
Nga përballja e zotimit të ish-ministrit të Financave Arben Ahmetaj për buxhetin 2019 me gjetjet e ministres pasardhëse në fund të këtij viti, konstatojmë se 4 parashikimet e tij, janë Gjysmë të Vërteta.