BallinaFaktometerE PavërtetëTerminali i autobusëve ndërqytetas nuk u transferua brenda afatit të Veliajt

Terminali i autobusëve ndërqytetas nuk u transferua brenda afatit të Veliajt

ANXHELA RUÇI

Terminali i autobusëve të jugut dhe Durrësit, duhej të zhvendosej që prej 3 janarit nga ish-Dogana tek një zonë pranë kthesës së Kamzës siç kishte deklaruar kryebashkiaku Erjon Veliaj. Në 6 janar, terminali i autobusëve ende nuk është zhvendosur për shkak se terminali i provizor nuk është gati, megjithatë “Faktoje” u njoh që tani me pakënaqësitë e pasagjerëve dhe shoferëve për vendndodhjen e re.

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………

“Nga data 3 janar të gjitha autobusët ndërqytetas që qëndronin tek terminali tek ish-Dogana do të kalojnë në anën tjetër dhe terminali do të zhvendoset tek kthesa e Kamzës”,  deklaroi më 26 dhjetor gjatë mbledhjes së fundit për 2019-n të këshillit bashkiak Tiranë, kryetari Erjon Veliaj.

Që prej datës 3 janar deri më 6 janar, “Faktoje” ka verifikuar çdo ditë nëse është përmbushur premtimi i kryebashkiakut, për zhvendosjen e autobusëve nga terminali pranë ish-Doganës ku deri më sot stacionohen autobusët e jugut dhe ata të Durrësit.

Ndryshe nga çfarë ka deklaruar kryetari i Bashkisë Tiranë Veliaj, terminali i autobusëve ndërqytetas nuk është zhvendosur tek kthesa e Kamzës, por vazhdon të jetë tek ish-dogana aty ku ka qenë edhe më herët.

Terminali aktual pranë ish-doganës, 6 janar

Më 6 janar, në terminalin e ri provizor pranë kthesës së Kamzës nuk kishte asnjë autobus të parkuar që merrte apo sillte pasagjerë. Në hapësirën e cila do të shërbej si vendparkim për autobusët e transportit ndërqytetas ende po punohej për asfaltimin e hapësirës dhe rregullimet e tjera që i duhen terminalit.

Terminali i ri provizor pranë kthesës se Kamzës, e hënë 6 janar

Punonjësit e Tirana Parking në terminalin e ish-Doganës thanë për “Faktoje” se pavarësisht se data 3 janar ishte parashikuar si afati kur stacioni do të ndryshonte vendodhje, kjo nuk ka ndodhur dhe nuk kishin një informacion se kur do të kryhej transferimi, pasi afati shtyhet çdo ditë.

Një nga shoferët e linjës Tepelenë-Tiranë tha se lëvizja në terminalin e ri pranë kthesës se Kamzës do të sjellë shumë probleme për transportin ndërqytetas për shkak të vondodhjes, sipas tij të papërshtatshme.

“Kur del nga terminali, duhet të ecësh rreth 2 km në drejtim të Kamzës, deri tek rrethi pastaj të kthehesh që të futesh në autostradë, kjo për ne do të thotë kosto dhe vonesë pasi siç e dimë në atë rrugë ka shumë trafik”, tha ndër të tjera shoferi i linjës Tepelenë-Tiranë.

Edhe udhëtarët shprehën shqetësimin për vendodhjen e terminalit të ri, pasi për të shkuar në terminal apo për t’u kthyer drejt Tiranës është një distancë e largët.

Në terminalin e ri provizor në kthesën e Kamzës do të ketë 63 vendqëndrime për autobusët e transportit ndërqytetas dhe për herë të parë  linjat e veriut dhe ato të jugut do të jenë në të njëjtin vendqëndrim, në hyrje të Tiranës.

Ditën e hënë, më 6 janar Veliaj vizitoi hapësirën e re ku do të zhvendostet terminali dhe kërkoi bashkëpunimin e qytatarëve për transferimin, duke konfirmuar edhe një herë se zhvendosja nuk ka ndodhur në 3 janar ashtu siç ai deklaroi në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img