Prej gjashtë muajsh tituj lajmesh, tryeza bisedimesh dhe studio televizive po ushqehen me hipoteza të gjeneruara nga situata e krijuar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Molla e sherrit, është mbajtja në burg e Fredi Belerit, anëtar i minoritetit grek që fitoi si kryebashkiak i Himarës, ndërkohë që ishte arrestuar për krim zgjedhor. A është kjo një çështje e të drejtave të njeriut apo është çështje politike dhe historike dypalëshe? Nën ndikimin e narrativave nga palët e përfshira dhe në mungesë të një qëndrimi zyrtar nga BE mbi çështjen, çdo pretendim mbi situatën mbetet në rrafshin e spekullimeve.
Jona Plumbi
Zgjedhjet e fundit vendore në Shqipëri “përplasën” dy kryeministrat, atë grek Mitsotakis dhe homologun shqiptar, Edi Rama. Shkak u bë mbajtja në qeli e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i arrestuar në prag të 14 majit.
Drejtoria e burgjeve i refuzoi Belerit lejen e posaçme që ai kishte kërkuar në mënyrë që të përmbushte procedurën e marrjes së mandatit të fituar në zgjedhjet vendore.
Greqia, prej fillimit e lidhi qëndrimin e Shqipërisë ndaj çështjes Beleri me pozitën e saj si kandidate për integrimin në BE, duke i quajtur veprime që nuk përputhen me procesin e antarësimit në BE. Deklaratat “kërcënuese” u përshkallëzuan gjatë muajve korrik dhe gusht 2023 dhe kulmuan me deklaratën e Mitsotakis gjatë konferencës së nivelit të lartë në Bruksel në korrik, ku e përshkroi çështjen Beleri si “element të vlerësimit grek të rrugës europiane të Shqipërisë”.
Nga ana e tij kryeministri Rama e ka “injoruar” plotësisht shqetësimin e Greqisë. Në fillim ai e quajtur një çështje të brendshme të Shqipërisë dhe më pas e përshkroi si çështje në duart e drejtësisë me të cilën qeveria s’ka lidhje.
Në vijim Greqia nisi përpjekjet e saj për ta çuar çështjen në nivel europian. Ajo përfshiu në raportin e përgatitur nga Komisioni Europian për Shqipërinë në muajin korrik, një amendament të mbështetur nga Partia Popullore Europiane dhe Eurogrupi i së Majtës ku thuhej:
“Parlamenti shpreh shqetësimin për arrestimin e kryetarit të ri të komunës së Himarës, Fredi Beleri, në prag të zgjedhjeve komunale të majit, i cili cënoi prezumimin e pafajësisë dhe pengoi kryetarin e zgjedhur të bashkisë të merrte detyrën, pasi ai mbetet i burgosur deri më sot; nënvizon se kjo çështje lidhet me respektimin e përgjithshëm të të drejtave themelore, çështjen pezull të pronave të pjesëtarëve të pakicës etnike greke në zonën komunale dhe akuzat për shkelje nga shteti.”
Situata u përshkallëzua në fund të muajit nëntor, kur mediat, fillimisht ato greke dhe më pas në të gjithë rajonin, raportuan lajmin se Greqia do të bllokojë hapjen e kapitujve të parë të negociimit mes Shqipërisë dhe BE-së. Lajmi referonte një deklaratë të shkruar përmes të cilës Greqia informonte Këshillin e Përhershëm të Përfaqësuesve të BE-së (COREPER) se do të bllokojë procesin e negociimit për Shqipërinë në rast se nuk respektohen të drejtat e minoritarit grek Fredi Beleri.
Lajmi se Greqia vendosi veto ndaj hapjes së kapitujve të parë të negociimit ‘mori dhenë’, fill pas mbledhjes në Bruksel në datat 12-13 Dhjetor, ku Këshilli Europian miratoi raportin me konkluzionet mbi procesin e zgjerimit të BE-së. Shkak u bë edhe deklarata e kryeministrit Rama, i cili në një konference për shtyp e quajti veton greke si të paarsyeshme dhe jo të bazuar mbi vlera europiane.
“Bllokimi” i negociatave?
Përveç deklaratave të palëve, lajmeve me burime apo qëndrimeve mediatike, nuk ka një dokument zyrtar që vërteton narrativën e ngritur rreth vetos greke ndaj Shqipërisë.
“Pavarësisht retorikës politike apo qëndrimit mediatik, në asnjë moment nuk mund të konfirmojmë se në mbledhjen e Këshillit Evropian ka patur një vendim për mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare BE-Shqipëri, e cila do të çonte në hapjen e Grupkapitullit të parë (Cluster 1) e ky vendim të jetë bllokuar nga një shtet antar, në rastin konkret Republika e Greqisë.”, thotë për Faktoje Nino Strati, koordinator i projektit Cluster1Albania, që synon mbështetjen e procesit të negociimit të Shqipërisë me BE-në lidhur me grup-kapitujt e parë, si pjesë e Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes.
Ajo që Këshilli Europian arsyeton në konkluzionet e Këshillit lidhur me procesin e zgjerimit, është se Shqipërisa do duhet të hapë grupkapitullin e parë sa më shpejt të jetë e mundur.
“Duke njohur gjuhën diplomatike që institucionet e BE shprehin zakonisht, nuk mund të konfirmojmë nëse vetëm Greqia ka qenë kundër hapjes së Grupkapitullit të parë (është e mundur, por jo e sigurt) apo edhe ndonjë vend tjetër ka shprehur rezerva apo ka qenë një vendim me natyrë politike.” – argumenton Strati.
Narrativat mediatike
Pavarësisht informacionit të limituar mbi atë çfarë ka ndodhur në Bruksel, bllokimi i Greqisë ndaj Shqipërisë mori interpretime të ndryshme dhe arsyetime të shumëllojshme të pabazuara në fakte.
Një ndër ta ishte artikulli i publikuar në gjuhë italiane ku pretendohej se rajoni i Çamërisë është shkak i përplasjeve të forta mes Greqisë dhe Shqipërisë; ndaj dhe është e rëndësishme të kuptohet historia për të kuptuar më mirë atë që ndodh sot mes Greqisë dhe Shqipërisë, sa i përket bllokimit që shteti helen i bëri negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Lajmi, ku Fredi Beleri nuk përmendet në asnjë moment, u pasqyrua edhe në gjuhën shqipe, duke përhapur edhe më tej tezën se në thelb të bllokimit grek është Çamëria.
Teza mori vëmendje të gjerë edhe në rajon, kryesisht në Maqedoninë e Veriut për shkak të faktit se Shqipëria dhe Maqedonia e kanë përshkuar rrugëtimin drejt antarësimit në BE së bashku. Mungesa e informacionit shterues mbi atë që ka ndodhur dhe proceset mjaft të komplikuara të organizmave të Bashkimit Europian nga njëra anë dhe “gara” për të raportuar lajme aktuale nga ana tjetër, sollën për pasojë disa tituj keqinformues.
Një pjesë e mediave në Maqedoninë e Veriut raportuan “veton e Greqisë për hapjen e negociatave të BE me Shqipërinë”.
Në fakt, negociatat mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian janë hapur zyrtarisht prej vitit 2022 me mbajtjen e mbledhjes së parë ndërqeveritare mes BE-së dhe Shqipërisë.
Një tjetër narrativë e ngritur në media me qëllim mbledhjen e klikimeve, është ajo e ‘luftës’ mes dy vendeve.
Greqia dhe Shqipëria në luftë, kërcënimi për veto mbërrin – shkruan një portal serb duke theksuar se dy vendet anëtare në NATO janë “ende zyrtarisht në luftë”.
Informacionin, ky portal serb e ka marrë nga një artikull i Deutche Welle, të cilin e ka modifikuar me qëllim dezinformimin e lexuesve.
Këmbanat e luftës mes Shqipërisë dhe Greqisë u dëgjuan edhe në Shkup.
Përfundim
Greqia, si vend anëtar i Bashkimit Europian i ka të gjitha mundësitë të ngrejë çështje që në opinionin e saj shkelin parimet, standardet apo rregullat e BE-së. Në anën tjetër, kryeministri Edi Rama, i mbështetur edhe nga një deklaratë e zëdhënësit të BE-së Peter Stano, e konsideron rastin një çështje të marrëdhënieve mes dy vendeve duke e ‘minimizuar’ rolin që ajo mund të luajë në procesin integrues të Shqipërisë.
Për studiuesin dhe pedagogun e marrëdhënieve ndërkombëtare Ermal Hasimja, vetoja e përfolur e Greqisë është një vendim politik.
“Vetoja greke është qëndrim politik. Kryeministri Rama e di se mund të mbrohet me parimin e pavarësisë së gjyqësorit, sidomos përpara BE-së. Ndoshta shpresa e tij është që grekët të vuajnë mjaftueshëm deri në heqje dorë nga pretendimi i tyre.” – argumenton Hasimja.
Nino Strati sugjeron shmangien e komenteve mbi qëndrimet politike të individëve të caktuar, qofshin ata krerë qeverish si Mitsotakis dhe Rama, pasi kur vjen puna tek integrimi europian, ato nuk i shërbejnë kurrë këtij qëllimi.
“Shqipëria do të duhet të përparojë me përfafrimin e legjsilacionit dhe zbatimin e parimeve të BE, pavarësisht retorikës në vendet antare. Në fund të fundit, një Shqipëri e zhvilluar ekonomikisht, demokratike dhe me institcuone të pavarura i shërben mirëqenies së qytetarëve dhe jetesës së përditshme të tyre, ndaj fokusi i politikës, por edhe medias do të duhet të jetë se si të shtyjë përpara zbatimin e reformave dhe demokratizimin e vendit dhe jo të nxisë debate me sfond historik apo etnik.”
Redaktoi Viola Keta & Aimona Vogli