BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookLoja e rreme shpërblyese nën emrin e kryeministrit Rama tërheq 6 mijë komente

Loja e rreme shpërblyese nën emrin e kryeministrit Rama tërheq 6 mijë komente

Kryeministri Edi Rama nuk po jep 10 mijë euro për ndjekësit e tij në rrjetet aociale, siç pretendohet në disa profile të rreme në Facebook. Faktoje zbuloi një tjetër skemë mashtrimi, ku mijëra qytetarë kanë komentuar, duke besuar se Rama po ofron një “bonus” të tillë.

Postime të shpërndara në Facebook, në emër të kryeminitrit Edi Rama pretendojnë se ai ofron 10 mijë euro për 400 personat e parë që shkruajnë ‘përshëndetje’ në këtë postim.

Speciale e Krishtlindjeve…Ju bekoj të gjithëve!! 400 personat e parë që thonë (përshëndetje), u jap 10.000 euro dhe jam i vërtetë”-shkruhet në postimin e profilit Edi Rama në Facebook.

Postimet e shpërndara në Facebook

Publikimi shoqërohet me një video ku shfaqet kryeministri Rama gjatë një komunikimi live me ndjekësit e tij. Në këtë video, Rama flet për çmimet, protestat, por nuk thotë asnjë fjalë për ndonjë shpërblimin prej 10 mijë eurosh.

“Për çfarë protestohet sot dhe kundër kujt protestohet? Se të gjitha vendet që po përjetojnë me të njëjtin çmim kërcimin e çmimeve të energjisë, po të karburantit, po të çmimeve të shportave, po të çmimeve të tjera, po protestojnë,  por po pretestojnë kundër shkaktarit që është Rusia, agresioni rus mbi Ukrainën. Nuk ka dalë askush të protestojnë kundër qeverisë së vet”-thotë ndër të tjera Rama në fjalën e tij.

Postimi ka mbi 6 mijë komente, çka është një tregues i qartë që nëpërmjet kësaj skeme dhe duke përdorur emrin e kryeministrit, përdoruesit e kësaj faqe ia kanë arritur që të mashtrojnë qytetarët.

Faqja e Facebook që ka publikuar këtë lojë të rreme ka vetëm 247 ndjekës dhe ky publikim i bërë me ofrimin e “shpërblimin” është i pari.

Ndërsa profili i vërtetë i kryeministrit Rama është me shenjën blu të verifikimit nga Facebook dhe ka mbi 1.6 milionë ndjekës. Në profilin e tij real, në postimet e bëra një ditë më parë, nuk ka asnjë njoftim mbi lojëra shpërblyese me 10 mijë euro.

Këtë fundvit, qeveria po jep shpërblime për disa kategori: si përfituesit e ndihmës ekonomike, invalidët, ata me pension social apo aftësi të kufizuar, të cilët do të marrin 5 mijë lekë shpërblim. Po ashtu, përfitues të shpërblimit do të jenë edhe punonjësit e administratës shtetërore, pjesë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe për çdo punonjës policie për kompensimin e tyre ushqimor.

Në asnjë rast nuk flitet për bonuse ’10 mijë euroshe’, pasi nëse do kishte ndodhur vërtetë, do ishte bërë lajm në të gjitha mediat kryesore dhe jo vetëm në vend.

Në artikuj të publikuar më herët, Faktoje ka verifikuar skema identike mashtrimi, ku është përdorur imazhi i këngëtareve Leonora JakupiRita Ora, Enca Haxhiaj, por edhe biznesmenit e politikanit Behgjet Pacolli, me qëllim rritjen e numrit të ndjekësve të profileve në Facebook dhe më pas shitjen e tyre tek bizneset apo individë të ndryshëm.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img