“Projekti i qendrës së qytetit dhe i kurorës së liqenit të Belshit”, ishte një ndër premtimet e kryetarit të Bashkisë Belsh, Arif Tafani gjatë fushatës elektorale të vitit 2015. Por ndërsa premtimi, rezulton i mbajtur, Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se ai është zhvilluar me tendera të paligjshëm.
Gjatë një interviste për rrjetin investigativ “Birn” në vitin 2015, kryetari i Bashkisë Belsh, Arif Tafani premtoi zbatimin e projektit për qendrën e qytetit dhe kurorën e liqenit.
“Faktoje” më 22 tetor ishte në Belsh me qëllim verifikimin në terren të premtimit të kryebashkiakut Tafani.
“Qendra e Belshit është një projekt që për hir të së vërtetës, përtej kostove ka ndryshuar pamjen së paku të qytetit. Kishim probleme me liqenin se derdheshin edhe mbetjet. Tani është mirë, ka edhe turistë. Është gjallëruar në vitet e fundit si qytet i vogël që është” – i tha “Faktojes”, Myzafer Dervishi, banor i Belshit.
“Punimet në gjithë zonën e qendrës së qytetit, përfshirë edhe liqenin thuajse kanë përfunduar. Nga bashkia u mendua që t’i jepej mundësia kujt ishte i interesuar për të vënë në funksion një varkë, e cila përshkon thuajse gjithë liqenin. Si periudhë pandemia që qe, nuk mund të them se kemi përmbushur pritshmëritë po shpresojmë e do ndryshojë” – i tha “Faktojes” një banor I cili ka vënë në dispozicion varkën e tij për vizitorët.
Më 24 tetor 2020, “Faktoje” pyeti në Bashkinë Belsh lidhur me projektet e zbatuara për kurorën e liqenit.
Nga Bashkia Belsh na u komunikua se në lidhje me projektin e kurorës së liqenit ishin zbatuar dy projekte me vlerë totale 171,178,000 lekë.
“Faktoje” gjatë verifikimit në terren, konstatoi se ishin mbjellë kryesisht pemë dekorative, por ende nuk mund të flitej për zbatim masiv.
Sipas KLSH-së, Rilindja Urbane e Belshit u bë përmes tenderave fiktivë!
Përtej ndryshimeve të realizuara në Belsh, pas auditimit financiar të Bashkisë Belsh në vitet 2016 dhe 2017, Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi në Prokurorinë e Elbasanit kryebashkiakun Arif Tafani dhe gjashtë zyrtarë e ish-zyrtarë për shkaktimin e një dëmi financiar prej 80 milionë lekësh, ndërsa Bashkia i konsideroi akuzat politike.
“Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fushën e prokurimit publik, kryesisht në përzgjedhjen e procedurës së prokurimit, vlerësimin e ofertave ekonomike duke vepruar me dy standarde vlerësimi, zbatimin e investimeve etj”- raportoi KLSH.
Shkak për kallëzimin e KLSh-së u bënë shkeljet në 8 tendera të fituar pa të drejtë nga operatorë ekonomikë që nuk plotësojnë kriteret me vlerë totale 286,080,460 lekë; 3 tenderë me fitues ofertën më të lartë me dëm prej rreth 11.4 milionë lekë; 4 investime publike me dëm ekonomik rreth 40.4 milionë lekë për punime të pakryera,1 shtesë kontrate pa justifikim ligjor; dhe një rast dëmi ekonomik prej 23.9 milionë lekë për punime jashtë specifikimeve teknike të një fituesi tenderi.
Premtimin e kryetarit të Bashkisë Belsh, Arif Tafani në lidhje me qendrën e qytetit dhe kurorën e liqenit do t’i kategorizojmë si premtime të mbajtura, megjithëse mbartnin problematika.
- Lexo dhe: Në Belsh ka ende fshatra pa qendra shëndetësore edhe pse u premtuan 5 vite më parë
- Lexo dhe: Arif Tafani: Të gjitha kopshtet dhe shkollat në Belsh do të rikonstruktohen
- Lexo dhe: Arif Tafani: Legjenda e ujit të pijshëm do të marrë fund në Belsh
“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend, dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.