BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookBE nuk rinis përdorimin e pasaportës së gjelbër Covid-19 në Korrik

BE nuk rinis përdorimin e pasaportës së gjelbër Covid-19 në Korrik

Lajmi për përfundimin e aplikimit të Rregullores së BE-së për Certifikatën Digjitale COVID, i parashikuar të skadojë më 30 qershor 2023, është kthyer në burim keqinformimi. Në rrjet po flitet se BE do të rinisë përdorimin e pasaportës së gjelbër të Covid-19. Verifikimi i Faktoje tregon se ky informacion është një riciklim i vendimit të vitit 2022, kur BE-ja vendosi shtyrjen e përdorimit të kësaj çertifikate me 1 vit.

Jona Plumbi

Një njoftim i shpërndarë në rrjet për përdorimin e pasaportave jeshile të Covid-19 në Bashkimin Europian po shkakton keqinformim tek lexuesit.

BE konfirmon se 27 vendet anëtare do duhet të implementojnë pasaportën jeshile të Covid-19 brenda 1 korrikut. Mbretëria e bashkuar sapo dha një kontratë 18 milion paund për zhvillimin e mëtejshëm të pasaportës Covid-19” – kështu shkruan informacioni i shpërndarë në rrjete sociale.

Ky informacion, i publikuar në 8 Qershor 2023, lë të kuptohet se nga korriku i këtij viti do të bëhet i detyrueshëm për vendet anëtare të BE-së përdorimi i pasaportës jeshile të Covid-19.

Në fakt, pretendimi është i pavërtetë.

Me një kërkim në rrjet lidhur me përdorimin e pasaportës jeshile nga vendet anëtare të bashkimit Europian, zbulohet se informacioni i sipërm, është shpërndarë në fakt në vitin 2022, kur Komisioni Europian propozonte shtyrjen me një vit të përdorimit të kësaj pasaporte digjitale.

Në 13 Dhjetor 2022 Këshilli Europian miratoi rekomandimin për heqjen e të gjitha kufizimeve për udhëtime brenda Bashkimit Europian.

Çfarë është pasaporta jeshile për Covid-19

Për të mundësuar lëvizjen e lirë gjatë pandemisë COVID-19, Bashkimi Evropian krijoi Pasaportën Digjitale të BE-së për COVID-19.

Certifikata, e cila vërtetonte nëse një qytetar kishte kryer vaksinimin, testin apo ishte shëruar nga pandemia COVID-19, u përdor nga Bashkimi Europian kur Shtetet Anëtare kufizuan udhëtimin për arsye të shëndetit publik. Për më tepër, ajo lejoi të koordinojë heqjen e këtyre kufizimeve që nga momenti kur ishte e mundur. Në të vërtetë që nga gushti 2022 nuk ka më kufizime të udhëtimit brenda BE-së.

Rregullorja e BE-së për Certifikatën Digjitale COVID ka hyrë në aplikim më 1 korrik 2021 dhe pas shtyrjes me një vit të afatit të përdorimit të saj, është caktuar të skadojë më 30 qershor 2023.

Çfarë pritet të ndodhë

Ajo që do të ndodhë gjatë këtij viti lidhur me pasaportën e gjelbër për Covid-19 është një partneritet mes Bashkimit Europian dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Në qershor 2023, OBSH do të adoptojë sistemin e BE-së të certifikimit digjital COVID-19, për të krijuar një sistem global që do të ndihmojë në mbrojtjen e qytetarëve në mbarë botën nga kërcënimet shëndetësore të vazhdueshme dhe të ardhshme, duke përfshirë pandemitë”. – njofton Komisioni Europian.

Ky është hapi i parë ndërtimor i Rrjetit Global të Çertifikimit Digjital të Shëndetit të OBSH-së, që do të zhvillojë një sistem për verifikimin global të dokumenteve shëndetësore.

Nisur nga ky informacion, mund të themi se njoftimi për rinisjen e përdorimit të Pasaportës së Gjelbër kundër Covid-19 nga vendet anëtare të BE nga 1 korriku është i pavërtetë.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img