Një postim i aktivistes ambjentaliste Greta Thunberg është nxjerrë nga konteksti në rrjete sociale me përshkrimin “Më 21 qershor 2018, Greta Thunberg paralajmëroi se nëse nuk heqim dorë nga karburantet fosile, njerëzimi do të vdesë në 5 vjet.”

Siç shihet më sipër, postimi origjinal i Greta Thunberg, më 21 qershor 2018, përbëhet nga një artikull dhe një citat të marrë prej tij që shkruan: “Një nga shkencëtarët më të mirë të klimës po paralajmëron se ndryshimi klimaterik do të shfarosë të gjithë njerëzimin nëse nuk ndalim së përdoruri lëndë djegëse fosile për pesë vitet e ardhshme.”

Pra, në të vërtetë, Greta Thunberg nuk ka thënë kurrë se njerëzimi do të vdesë në pesë vjet. Në artikullin e cituar prej saj, afati kohor 5-vjeçar nuk i referohet kohës brenda së cilës do shfaroset njerëzimi, por afatit brenda të cilit duhet të ndalohet përdorimi i karburanteve fosile.

Artikulli i referohej një fjalimi nga profesori i kimisë atmosferike në Universitetin e Harvardit James Anderson, i cili argumentonte se nivelet e karbonit në atmosferën e Tokës po shkaktonin zhdukjen e shpejtë të mbulesave të akullit polar të planetit në një pikë që ulja e emetimeve të karbonit nuk do të mjaftonte për ta ndalur apo zhbërë këtë zhdukje. Megjithatë, siç Anderson tha për Associated Press, ai nuk përmendi zhdukjen e njerëzimit në fjalimin e tij, dhe se pretendimi i “zhdukjes së njerëzimit deri në 2022 është krejtësisht një shtrembërim” i çka ai kishte thënë në 2018.