Një video nga një dokumentar i BBC-së për një provë australiane të vaksinës COVID-19 është shpërndarë në mënyrë mashtruese në internet në postime që sugjerojnë se një proteinë HIV e përfshirë në modelin e vaksinës është e rrezikshme.
Programi, i titulluar “Horizon Special: The Vaccine”, dokumentoi zhvillimin, nga Universiteti i Queensland dhe kompania bioteknologjike CSL, të një versioni vaksine kundër COVID -19, e cila nuk doli kurrë në treg.
Fragmente nga dokumentari në postimin e mediave sociale shpjegojnë një veçori të projektimit të vaksinës që përdorte një proteinë të vetme nga virusi HIV si një kapëse stabilizuese për të mbajtur proteinën e majës së koronavirusit në një formë specifike.
Videoja prej 63 sekondash fillon me një transmetues të mediave sociale duke thënë: “Kjo është çmenduri e plotë. Kjo është shkenca absolutisht e çmendur”, ndërsa teksti i mbivendosur në pamje thotë: “A tha ajo thjesht se ata shtuan një fragment të vogël të HIV? Duam pergjigje!!! Po ajo tha HIV”.
Në fragmentin nga dokumentari i plotë i BBC-së, transmetuesi i programit shpjegon se forma dalluese e koronavirusit përpara se të ngjitet në qelizat njerëzore është e rëndësishme për aftësinë e sistemit imunitar për të njohur virusin dhe se si kandidati për vaksinë përdori një proteinë HIV si një e ashtuquajtur kapëse molekulare për të mbyllur proteinat e majës së koronavirusit në një formë specifike. Fragmenti më pas shkon tek Keith Chappell, i cili bashkëdrejtoi programin e vaksinës së COVID-19 të Universitetit të Queensland.
Duke shpjeguar arsyen e zgjedhjes së proteinës HIV, Chappell thotë në kamera se proteina u zgjodh sepse është e njohur mirë nga shkencëtarët dhe nuk paraqet rreziqe, duke përfshirë të mos ketë asnjë rol në ndihmën e HIV-it për të bërë kopje të vetvetes: “Është një strukturë shumë e qëndrueshme. Nuk ka absolutisht asnjë rrezik nga kjo lloj vaksine. Nuk ka asgjë që e bën HIV-in të përsëritet”.
Ndërsa Chappell përfundon së foluri, transmetuesi i klipit të mediave sociale thotë: “Plehra të ndyra”.
Klipi është ndarë nga shumë përdorues të tjerë në rrjete të ndryshme sociale. Një përdorues i Facebook në Shqipëri ka ndarë në 4 dhjetor klipin e shkurtuar duke shkruar: “BBC pranon se HIV është përdorur për të prodhuar vaksinën kundër Covid-19”.
Kolegët tanë të Reuters kanë verifikuar se bëhët fjalë për një keqinterpretim.
Vaksina, të cilës i referohen përdoruesit e rrjeteve sociale përmbante vetëm një proteinë HIV, jo vetë virusin, i tha një zëdhënës i CSL Reuters.
“Nuk ka asnjë mundësi që ky proces i përdorimit të proteinës së HIV mund të shkaktojë transmetimin e virusit,” shtoi zëdhënësi.
Ndërsa një zëdhënës i BBC-së i tha Reuters se klipi i mediave sociale keqinterpretonte vendimin për të përdorur proteinën HIV, duke thënë përmes emailit se ajo ishte përdorur për të stabilizuar strukturën e vaksinës. “Ishte një kapëse molekulare për të mbajtur proteinën e majës në vend”.
Chappell i bëri jehonë kësaj, duke i thënë Reuters me email: “Proteina e përdorur ishte një fragment (vetëm 81 aminoacide) nga glikoproteina 41 nga HIV-1. Kjo u përdor për të stabilizuar strukturën e proteinës SARS-CoV-2 Spike.”
Vaksina nuk doli kurrë në treg, por klipi i shpërndarë në media sociale nuk e përmend këtë fakt.
Vaksina australiane që përmbante një proteinë HIV nuk përbënte kërcënim për sigurinë, por ajo u ndalua përpara se të kalonte ndonjëherë në prova më të mëdha sepse prodhoi rezultate të rreme pozitive të testit për HIV.