.

.

BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëBashkia Krujë rindërtoi 11 shkolla por “harroi” dy

Bashkia Krujë rindërtoi 11 shkolla por “harroi” dy

Në bashkinë e Krujës procesi i rindërtimit të institucioneve arsimore, pas dëmtimit nga tërmeti i vitit 2019, nuk ka përfunduar ende, edhe pse pjesa më e madhe e 13 objekteve të kësaj kategorie janë rindërtuar. Në janar 2021, kryetari i bashkisë Krujë, Artur Bushi premtoi përfundimin e procesit të rindertimit të objekteve arsimore brenda vitit 2021. Por verifikimi në Nëntor 2022 tregoi se dy prej godinave të paralajmëruara si pjesë e listës së rindërtimit në Krujë, nuk janë rindërtuar, madje për njërën rej tyre nuk ka nisur fare puna.

Jona Plumbi

Në Janar 2021, kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi deklaroi se brenda fundit të vitit do të përfundonte puna për rindërtimin e 13 godinave arsimore, si pjesë  investimit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe atij të Bashkimit Europian “EU4Schools”.

Në përgjigje të interesimit të Faktoje, FSHZH njoftoi se po punon për rindërtimin e gjashtë shkollave në Bashkinë Krujë [shih imazhin 1] ndërsa në fazën zyrtare të EU4Schools listohen edhe 7 shkollat e tjera të kësaj zone, të paracaktuara për rindërtim [shih imazhin 2].

Lista e rindërtimit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, dhënë për Faktoje [imazhi 1]
Lista e rindërtimit nga projekti i Bashkimit Europian [imazhi 2]

Godinat e “harruara”

Edhe pse këto objekte duhet të kishin përfunduar, thuajse një vit pas afatit të premtuar nga kryebashkiaku i Krujës, Bushi, konstatuam se jo të gjitha kanë përfunduar.

Dy janë objektet arsimore ku puna nuk ka përfunduar apo nuk ende nuk ka nisur. Një prej tyre është shkolla në Mukje. Kjo godinë, e rrethuar nga barishtet dhe pemët, të jep përshtypjen e një shtëpie të braktisur.

Shkolla ka qenë fillore, jo 9 vjeçare.” – shpjegon për Faktoje banorja M.F. e cila vajzën e saj e çon në shkollën e fshatit Kucenjë, kryesisht për arsyen se në këtë shkollë ka vetëm një mësues.

Shkolla ne Mukje, Nëntor 2022

Gjatë këtij viti, nga verifikimi i parë i Faktoje në nëntor 2021 deri në nëntor 2022, në Mukje nuk ka shkuar askush nga zyrat shtetërore. Një pjesë e banorëve nuk ishin aspak në dijeni të faktit që kjo godinë është pjesë e listës së rindërtimit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Shkolla në Mukje, Nëntor 2022

Një tjetër godinë e cila është pjesë e planit të rindërtimit, por që nuk ka përfunduar ende është shkolla “Ramazan Karaj” në Nikël, pjesë e projektit të Bashkimit Europian EU4Schools.

Deri në nëntor të vitit 2021, kur Faktoje bëri verifikimin e parë në terren, nxënësit e shkollës “Ramazan Karaj” shkonin në mësim çdo ditë. Asokohe banorët thoshin se askush nuk kishte shkuar edhe pse godina ishte dëmtuar nga tërmeti dhe ishte shpallur për rindërtim.

Një vit më pas, godina e vjetër nuk është aty, por as e reja. Një derë hekuri e mbyllur me dryn, ndalon hyrjen ne zonën ku ndodhen ende inertet e godinës së vjetër.

Vendi ku gjenden inertet e shkollës “Ramazan Karaj” në Nikël, Nëntor 2022

Për arsyet që kanë shtyrë nisjen e punimeve Faktoje iu drejtua Bashkisë Krujë dhe delegacionit të BE-së në Tiranë. Ndërsa e para nuk ka kthyer ende përgjigje, në shkelje të Ligjit për të Drejtën e Informimit, delegacioni europian në Tiranë njoftoi se godina është shembur në Janar të vitit 2022 dhe se nga nisja e punimeve, ato do të zgjasin 8 muaj. Për arsyet që kanë shtyrë nisjen e punimeve, BE sqaroi se ka një marrëveshje kontraktuale për rindërtimin e shkollës “Ramazan Karaj”. UNDP dhe kontraktori po vlerësojnë aktualisht opsionet e ndryshme për zbatimin sa më optimal të projektit të propozuar dhe përshpejtimin e nisjes së punimeve.”

Dy godina të rindërtuara në një vit

Në këtë vit, nga verifikimi i parë në terren kryer nga Faktoje, tek verifikimi i Nëntorit ë këtij viti, dy janë shkollat e ndërtuara, në tejkalim të afateve të paracaktuara.

Shkolla “Gjergj Kastrioti” në Bubq dhe shkolla “Haxhi Qira” në Borizanë, nuk kishin përfunduar punimet në nëntor 2021, por tashmë presin nxënësit në godinën e rindërtuar gjatë vitit 2022 nga EU4Schools.

Shkolla “Gjergj Kastrioti”, Bubq, Nëntor 2022
Shkolla “Haxhi Qira”, Bubq, Nëntor 2022

Gjatë verifikimit në terren konstatuam se 9 objekte arsimore kanë përfunduar rindërtimin në kohë dhe në to ka nisur mësimi.

  1. Shkolla “Hajdar Hoxha”, Larush, rindërtuar nga FSHZH
  2. Shkolla “Gjon Luka”, Luz, rindërtuar nga FSHZH
  3. Shkolla “Selman Daci”, Bubq, rindërtuar nga FSHZH
  4. Shkolla “Ramazan Jangozi”, Thumanë, rindërtuar nga FSHZH
  5. Shkolla “Kastrioti”, Derven, rindërtuar nga FSHZH
  6. Shkolla “Shaqir Lleja”, Thumanë, rindërtuar nga EU4SCHOOLS
  7. Shkolla “Sherif Dervishi”, Bubq, rindërtuar nga EU4SCHOOLS
  8. Gjimnazi “Skënderbeu”, Krujë, rindërtuar nga EU4SCHOOLS
  9. Shkolla “Korab Muca”, Qerekë, rindërtuar nga EU4SCHOOLS

Përfundimi

Nisur nga verifikimet tona në terren dhe informacionet e mbledhura, premtimin për rindërtimin e 13 shkollave në bashkinë e Krujës do ta kategorizojmë si gjysmë të mbajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.
Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img