BallinaFaktometerPa kategoriBashkia “demonstron” si dezinfektohen autobusët, kompanitë e transportit të papërgatitura

Bashkia “demonstron” si dezinfektohen autobusët, kompanitë e transportit të papërgatitura

ANXHELA RUÇI

Mjetet e transportit publik që vetëm në Tiranë përballojnë rreth 300 mijë udhëtarë në ditë, duhet të dezinfektohen dhe të marrin masa shtesë për shkak të koronavirusit, sipas një udhëzimi të bashkisë. Disa foto të postuara nga kryebashkiaku Erjon Veliaj të japin idenë se një ekip i posaçëm merret me dezinfektimin e çdo autobusi. Por kur “Faktoje” pyeti kompanitë ato u përgjigjën se shpenzimet për masat shtesë i mbulojnë vetë, ndërkohë që arkëtimi nga biletat është ulur me rreth 70% për shkak të panikut nga koronavirusi.

————————————————————————————————————————————–

Të hënën e 9 marsit u konfirmua zyrtarisht se në Shqipëri ishin identifikuar rastet e para me koroniavirus. Për të parandaluar përhapjen e këtij virusi, qeveria mori masa deri në pezullimin e mësimit, aktivitetit të gjykatave dhe aktiviteteve me pjesëmarrje të lartë njerëzish, pasi COVID-19 përhapet nëpërmjet kontaktit të ngushtë me persona të infektuar.

Kryetari i Bashkisë Tiranë, qytetit me më shumë banorë në vend, Erion Veliaj lajmëroi marrjen e masave shtesë, si dezinfektimi i mjeteve të transportit publik, kopshteve e çerdheve, këndeve të lojrave etj.

“Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim për dezinfektimin në mjetet e transportit urban në Tiranë, që po t’i referohemi shifrave zyrtare vetëm në një ditë, urbanin e përdorin rreth 300 mijë udhëtarë.

Në rrjetet sociale, Veliaj lajmëroi se ka nisur procesi i dizinfektimit të autobusëve, por duhet pasur parasysh edhe nga udhëtarët që të kujdesen me higjenën personale.

Një ditë pas këtij postimi në rrjetet sociale të kryebashkiakut Veliaj, ne kontaktuam me kompanitë e transportit publik për të mësuar më shumë për dezinfektimin e mjeteve.

Kompanitë që zotërojnë linjën Kombinat-Kinostudio dhe Tiranën e re u përgjigjën për “Faktoje” se mjetet e transportit në foto ishin demostrues se si duhet të bëhet desinfektimi. Përveç autobusëve në fotografi, sipas kompanive, institucionet shtetërore nuk kanë dezinfektur mjete të tjera të transportit publik, por kanë qenë ata vetë që kanë marrë masa, sipas një udhëzimi nga Bashkia Tiranë.

Bashkia, me anë të një e-maili ka udhëzuar kompanitë e transportit publik të marrin 4 masa për parandalimin e përhapjes së coronavirusit:

  • Maska dhe doreza për personelin
  • Mbajtja hapur e dritareve
  • Dezinfektimi i autobusëve pas mbarimit të shërbimit
  • Ndjekja e udhëzimeve (larja e duarve, shmangia e kontaktit etj) nga ana e personelit

Nga kontakti që ne patëm me kompanitë e transportit publik, rezulton se ata kanë marrë aq masa sa mund të përballojnë financiarisht për dezinfektimin e autobusëve. Ndërkohë ata ngritën disa shqetësime, ku më kryesori ka të bëjë me koston e dezinfektimit mjeteve të transportit publik. Vetëm për një autobus duhen rreth 5000 mijë lekë në ditë për doreza, maska dhe solucion për dezinfektimin e autobusit në fund të ditës.

Kompanitë nuk kanë një person të kualifikuar për dezinfektim apo mjetet e duhura, por deri në ditën e sotme me ky proces është bërë nga lavazhieri.

Ky proces, sipas kompanive, nuk mund të zgjasë për një kohë shumë të gjatë, sepse me rritjen e panikut nga koronaviusin, ka rënë ndjeshëm numri i personave që përdorin transportin urban e rrjedhimisht edhe arkëtimi nga biletat. Kompanitë i konfirmuan “Faktojes” se vetëm ditët e fundit shitja e biletave ka rënë me rreth 70 % .

“Faktoje” kontaktoi dhe me Bashkinë Tiranë për masat që ka marrë për desinfektimin e mjeteve të transportit urban. E vetmja përgjigje që kemi nga ky institucion është se janë marrë masa pa specifikuar cilat. Për një informacion të detajuar për masat dhe sa është fondi i vënë në dispozicion për këtë proces nga ana e bashkisë, duhet të presim përgjigjen zyrtare, të kërkesës së dërguar për informacion, proces që merr 10 ditë pune sipas ligjit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img