BallinaFaktometerE PavërtetëBasha: 13 mijë biznese të mbyllura në vitin 2017

Basha: 13 mijë biznese të mbyllura në vitin 2017

ANDI BORA & KLEVIS PALOKA 

“Gjatë vitit 2017, 12960 subjekte falimentuan, me një shpejtësi prej 1080 biznesesh në muaj apo duke hequr të shtunat dhe të dielat afërsisht 50 sipërmarrje ose biznese në ditë në vitin që lamë pas. Vetëm gjatë 11 ditëshit të parë të këtij muaji 334 subjekte biznesi kanë deklaruar falimentin mesatarisht 30 në ditë, në 10 ditëshin e parë të këtij viti”, – kështu deklaroi në seancën plenare të 15 Janarit 2018 kryetari i opozitës, Lulzim Basha.

Për ta kuptuar më mirë deklaratën e Bashës se çfarë nënkuptonte me termin faliment (mbyllje totale e bizneseve apo ç’regjistrim i tyre),  “FAKTOJE” kontaktoi me zëdhënesen e shtypit të Partisë Demokratike, Elona Meço dhe përgjigja e saj ishte: “ Janë ç’regjistruar sepse sistemi nuk lejon të marrësh të dhëna të tjera si psh., mbyllur për momentin’’.

“ FAKTOJE” kërkoi informacione për të verifikuar deklaratën e kryedemokratit dhe në bazë të të dhënave zyrtare si nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ashtu edhe nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), deklarata e Bashës rezulton të jetë GËNJESHTËR.

Sipas Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve, numri i subjekteve që kanë kaluar në statusin “ç’regjistruar” për vitin 2017 është 2776, ndërsa për periudhën 1-15 Janar 2018, numri i subjekteve të cilat kaluan në statusin “ç’regjistruar” është 22 subjekte.

Ndërkaq, sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, numri  i bizneseve të ç’regjistruara në vitin 2017 është 5139 dhe për periudhën 1 – 11 Janar 2018, janë ç’regjistruar 162 biznese.

Përgjigja e QKB-së për mospërputhjen e të dhënave me DPT-në

Për të sqaruar se përse të dhënat e DPT-së nuk përputhen me të QKB-së, “ FAKTOJE” kontaktoi me drejtorin juridik të Qendrës Kombëtare të Biznesit, Flogers Broqi, i cili tha: “Të dhënat nuk përputhen për shkak të ligjit. Të dhënat tona janë shumë të sakta, ashtu siç janë të sakta edhe të Drejtorisë së Tatimeve. Ligji thotë së nëse brenda 30 ditëve Drejtoria e Tatimeve nuk kryen ç’regjistrimin e një subjekti, QKB-ja e kryen automatikisht këtë ç’regjistrimin. Nëse kemi aktulisht 5139 subjekte të ç’regjistruara, 2776 janë të ç’regjistruar ligjërisht, pjesa tjetër ose nuk është kthyer brenda afatit 30 ditor ose kanë detyrime. Subjekti mund të ç’regjistrohet si subjekt, por detyrimet nuk i humbet kurrë, derisa t’i shlyejë në instancat shtetërore. Të dhënat  e Tatimeve, janë më me vonesë sesa QKB-ja. Këto nuk ekzistojnë më si subjekte juridike, por duke qenë se ka zhvilluar një aktivitet që ka pasur detyrime, këto duhet t’i shlyejë.”

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img