.

.

Ballkani i Hapur apo i Mbyllur?

Deklaratat e kryeministrit Edi Rama për Ballkanin e Hapur janë kthyer në burim konfuzioni, sepse nisën me shkëlqimin, por përfunduan me rënien e nismës. Së fundi Rama  njoftoi se vëmendja duhet të jetë tek Procesi i Berlinit dhe se Open Balkan e kreu misionin e tij, por në anën tjetër, ai e mohon t’i ketë dhënë fund nismës. Në mungesë të një plani pune dhe faqeje zyrtare të Ballkanit të Hapur, përmbushja apo jo e misionit është e debatueshme, po t’i referohesh kundërthënieve të Ramës. Fakt është se Ballkani i Hapur dështoi të bashkonte të 6-të vendet e rajonit siç kushtëzoi BE dhe SHBA.  

Jona Plumbi

Në 1 Korrik kryeministri Edi Rama në një intervistë televizive foli për Ballkanin e Hapur në kohën e shkuar, duke thënë se nisma e kreu misionin e saj.

Në tetor Shqipëria pret për herë të parë Samitin e Berlinit në Ballkan, në Tiranë. Natyrisht që procesi i Berlinit është tanimë aksi ynë kryesor. Ballkani i Hapur ishte një iniciativë e cila lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani tek procesi i Berlinit”. – Edi Rama, 1 korrik 2023

Mediat njoftuan mbylljen e Ballkanit të Hapur dhe studiot televizive thirrën  panele për të diskutuar arsyet e kësaj mbylljeje të beftë.

Shumë u habitën nga deklarata e Ramës, por për arsye të ndryshme.

Presidenti i Serbisë Alexandar Vuçiç refuzoi të besonte se Rama e ka thënë këtë deklaratë. Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski e konsideron të papërmbushur misionin e Open Balkan, ndërsa deputeti Taulant Balla nuk e dinte fare ku është dëgjuar që Kryeministri të ketë thënë që Ballkani i Hapur është nismë që ka përfunduar.

Të tjerë e besuan mbylljen e Ballkanit të Hapur dhe për herë të parë folën hapur për të. Deputeti socialist Pandeli Majko menjëherë pas deklaratës së kryeministrit Rama shprehu pakënaqësitë e tij ndaj kësaj nisme.

S’e kam pritur aspak mirë nismën. Isha i përgatitur për reagimin e Kosovës. E vetmja gjë që më mbajti të mos dilja kundër, sepse mund të dilja, sepse s’kam frikë, mendoja se në tavolinë e Ballkanit të Hapur, Kosova mund të negocionte gjëra të cilat do të shmangnin tavolinën bilaterale nën ombrellën e Brukselit. Nuk mendoj që Rama e pa këtë nismë për vota! Sensi i Ballkanit të Hapur është ekonomik dhe jo politik.” – tha Majko.

Në fakt, mbështetja apo jo e nismës së Open Balkan ishte një nga pyetjet e këshillimit kombëtar, një anketim që qeveria Rama bëri në vitin 2022 për herë të parë dhe të vetme, rezultatet e së cilës njoftonin se 60% e atyre që ishin përgjigjur e mbështesnin këtë nismë.

Në përpjekje për të sqaruar qëndrimin e kryeministrit shqiptar, gjatë turit të tij në Ballkan, Rama u pyet nga gazetarët në konferencën e përbashkët me kryeministrin malazez lidhur me mbylljen e Ballkanit të Hapur. Në përgjigjen e tij, Rama e quajti Open Ballkan si nismën ku “ka pasur privilegjin të ishte pjesë”.

“Ballkani i Hapur nuk është kompania ime private që unë e hapa dhe e mbyll. Është nismë e përbashkët e disa vendeve ku unë kam pasur privilegjin të jem pjesë. Unë thjesht kam shprehur opinionin tim që Ballkani i Hapur e ka kryer misionin e vet, por nuk e kam imagjinuar që procese të konsoliduara apo të organizuara do duhet të ndalojnë të gjitha dhe e përsëris nuk është kompania ime. – Edi Rama, 7 korrik 2023.

Fakti është se kryeministri Rama ka ndryshuar mendim për qëllimin dhe misionin e Ballkanit të Hapur. Këtë e vërtetojnë deklaratat e tij 7 muaj më parë, kur parashikonte përfundimin e procesit të Berlinit përpara fundit të nismës Open Balkan.

“Procesi i Berlinit, është lokomotivë që ka tërhequr vagonët. Dhe, në fund fare do mbetemi me Ballkanin e Hapu,r se procesi i Berlinit s’do jetë i përjetshëm. Dhe s’besoj se në jetë të jetëve duhet të na marrin dorë  për dore të tjerët.” – Edi Rama, Nëntor 2022

Madje, edhe lufta në Ukrainë e bënte edhe më të nevojshme nismën – argumentonte asokohe Rama.

“Lufta në Ukrainë e bën Ballkanin e Hapur një domosdoshmëri edhe më të madhe seç ishte përpara se kjo luftë të fillonte. Kontratat e grurit kur filloi lufta në Ukrainë. Mes importuesve të grurit në Shqipëri nga Serbia, […] nuk u bllokuan siç fare mirë do ishin bllokuar nëse nuk do ishim në Ballkanin e Hapur. Mos vallë është pak gjë kjo? Dhe me çfarë do t’i ushqenim njerëzit të cilëve do t’iu mungonte buka?” – Edi Rama, Qershor 2022.

Një tjetër fakt për Open Ballkan është se mbështetja që erdhi nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e bashkuara të Amerikës, kushtëzohej me pjesëmarrjen e të 6-të vendeve të rajonit.

“Ne i mirëpresim angazhimet e udhëheqësve për bashkëpunimin rajonal, një element thelbësor i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë integrale e Procesit të Stabilizim-Asociimit. Ne e kuptojmë dëshirën për të ecur përpara. Në të njëjtën kohë, një proces që e përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësor.” – Ana Pisonero, zëdhënëse e Komisionit Europian.

Tri vendet që nisen këtë iniciativë duhet të jenë të hapura dhe të bisedojnë nga afër me tre partnerët e tjerë që janë skeptikë, të marrin parasysh arsyet pse nuk pranojnë. Pa të gjashtë vendet kjo nismë nuk mund të ketë sukses”. GABRIEL ESCOBAR, I DERGUAR I SHBA-SË PËR BALLKANIN PERËNDIMOR.

Por Kosova dhe Bosnje Hercegovina e panë Open Balkan si përsëritje të procesit të Berlinit dhe refuzuan pjesëmarrjen, pavarësisht këmbënguljes së kryeministrit Shqiptar se Ballkani i Hapur ndihmon integrimin e rajonit në BE.

Pedagogu i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e New York-ut në Tiranë, Ilir Kalemaj, kontradiktën e kësaj nisme e sheh prej fillimit të saj.

Open Balkan ose u sugjerua nga Vuçiç dhe u mbështet nga Rama, pasi do ndihmonte në ripajtimin e Ballkanit Perëndimor, gjë të cilën e pretendonte qëndrimi serb. Ose nisma u sugjerua nga Rama dhe u mbështet nga Beogradi dhe Shkupi pasi do shtynte përpara procesin e ngecur të Berlinit, gjë që pretendohet nga qëndrimi i Tiranës.” – tha Kalemaj për Faktoje.

Në deklaratat e fundit të kryeministrit Rama, Kalemaj lexon edhe një tjetër kontradiktë.


Tani Rama deklaron se po mbyllet Open Balkan sepse ka dhe 77 nisma rajonale dhe tashmë ka rinisur Procesi i Berlinit, ku ai sheh Shqipërinë si lider rajonal. Ndërkohë që Shqipëria është vetëm vendi pritës i samitit të radhës për Procesin e Berlinit. Në anën tjetër Vuciç këmbëngul që nisma vazhdon. Kjo tregon se Serbia është ‘në timon’, pasi Rama u tërhoq menjëherë pas kësaj deklarate të Vuçiç duke thënë se Open Balkan nuk është kompania e tij

— Ilir Kalemaj, Pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, UNY

Mungesa e një plani pune, kalendari apo strategjie të Open Balkan e vështirëson edhe më shumë kuptimin e kësaj nisme të cilës sipas Kalemajt i mungonin të gjithë elementët që Procesi i Berlinit i ka për të çuar përpara integrimin europian të rajonit.

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img