Titulli që njofton “shqetësimin” e mjekëve për shëndetin mendor të kryeministrit Rama rezulton i pavërtetë. Verifikimi i “Faktoje” konstaton se bëhet fjalë për një lajm që synon mbledhjen e klikimeve, pa “vrarë” mendjen për dizinformimin.
Jona Plumbi
Shqipëria karakterizohet nga një retorikë e ashpër politike. Akuzat apo ofendimet janë pjesë e së përditshmes mes kundërshtarëve të kampeve politike. Një pjesë e mirë e mediave online përfiton nga kjo, për të “kapur” ata lexues të cilët tërhiqen nga tituj të bujshëm.
Shpesh, këta lexues zbulojnë se ajo çka pretendohet në titull, në të vërtetë nuk është aspak pjesë e lajmit. Kështu ka ndodhur me këdo që ka klikuar lajmin e publikuar në faqen “lajmengavendi.com” me titullin “Mjekët në merak për shëndetin mendor të kryeministrit! Rama thotë se se Berisha po përdoret nga Putin!”
Në të vërtetë, lajmi i publikuar flet për akuzat që kryeministri Edi Rama ka hedhur në drejtim të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, lidhur me financimin e mundshëm nga shteti rus. Artikulli citon kryeministrin Rama sipas të cilit Sali Berisha është përgjegjës për financimin rus të PD-së, dhe jo Lulzim Basha.
Në asnjë rresht të lajmit të publikuar, nuk përmendet “meraku i mjekëve për shëndetin mendor të kryeministrit” ashtu siç njofton bujshëm titulli i artikullit, duke e kthyer lajmin në një “karrem klikimesh” dhe jo informacion të vlefshëm për lexuesit.