Arrestimi i kryeministrit Netanjahu, prodhim i Inteligjencës Artificiale

1334

Në rrjete sociale është bërë virale një fotografi që tregon kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanjahu me pranga në duar, teksa shoqërohet nga policia. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se këto imazhe nuk janë reale, por janë krijuar falë një programi të inteligjencës artificiale (AI).

Imazhet e krijuara me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI) vijojnë të ngatërrojnë përdoruesit e rrjeteve sociale. Ditët e fundit, në internet është bërë virale një fotografi që tregon kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanjahu me pranga në duar, teksa shoqërohet nga dy policë. 

‘Sipas mediave izraelite, gjyqi për korrupsion i Netanyahut do të nisë sërish sot në një gjykatë izraelite.’, shkruan një përdorues i rrjetit social facebook teksa ndan fotografinë e Netanjahut me pranga në duar. 

Për të verifikuar vërtetësinë e këtyre imazheve, “Faktoje” përdori motorin e kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search. 

Nga verifikimi rezulton se fotografia është shpërndarë për herë të parë në platformën X më 23 tetor të këtij viti.

Sikurse mund të lexohet në anën e majtë të imazhit, shkruhet se ai është i gjeneruar nga një program i inteligjencës artificiale. Shkrimi mbi foto, në gjuhën hebraike, përkthehet në shqip “do të ndodhë një ditë”.

Por përdoruesit e tjerë të rrjeteve sociale, kanë rënë pre e mashtrimit, pasi fotografia e gjeneruar nga AI është prerë qëllimisht duke ja hequr pjesën ku është mbishkrimi AI.

Faktoje” ka verifikuar dhe më parë imazhe që shpërndahen si të ishin të vërteta, por janë krijuar në fakt me anë të programeve AI. Shpresojmë që identifikimi i këtyre rasteve të përdorimit të inteligjencës artificiale t’ju shërbejë lexuesve për të qënë më vigjilentë në besimin e imazheve dhe videove që u serviren online si prova të teorive të rreme.