I rremë lajmi për arrestimin e priftit serb që nxiti lëvizjen për braktisjen e islamit në Kosovë

Policia e Kosovës mohon lajmin në portalet shqiptare

541

Lajmi për arrestimin e një prifti serb që financonte “Lëvizjen Vullnetare për braktisjen e Fesë Islame” në Kosovë është i pavërtetë. Verifikimet tregojnë se policia e Kosovës dhe Prokuroria e Pejës nuk ka arrestuar asnjë person me këtë dyshim.

Në fund të muajit tetor në rrjete të ndryshme sociale nisi të qarkullojë masivisht një video (arkivë) me mbishkrimin “Nuk ndalet policia e Kosovës, arrestoi spiunin serb që financoi të ashtuquajtrën ‘Lëvizje Vullnetare për braktisjen e Fesë Islame”. Në video shfaqen imazhe të një zyrtari policie si dhe një pjesëmarrësi në tubimin e “Lëvizjës Vullnetare për braktisjen e Fesë Islame”, bërë publike më 21.10.2023. 

Kaq ka mjaftuar që postimi të riprodhohet si lajm në disa portale shqiptare me të njëjtin titull: “Policia e Kosovës arreston spiunin serb që financoi “Lëvizjen Vullnetare për braktisjen e Fesë Islame”, titullohen artikujt e ngjashëm në portalin tellalli.al dhe ekskluzive.al.

Kolegët tanë të verfikimit të fakteve nga Kallxo.com, përmes rubrikës së tyre Kryptometri kanë verifikuar lajmin në fjalë. 

Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi ka konfirmuar për Krypometrin se nuk ka persona të arrestuar për këtë ngjarje, por vetëm se prokuroria ka nisur hetime për nxitje të urrejtes.

Ndërsa Policia e Kosovës në një deklaratë për Krypometër ka konfirmuar se nuk ka ndonjë person të arrestuar. Vetëm një shtetas maqedon është deportuar për në republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se, Policia e Kosovës, në këtë rast Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim, i ka refuzuar kërkesën për vazhdim të lejeqëndrimit në RKS shtetasit A.K., nga Maqedonia e Veriut, sipas ligjit për të huaj 04/L-219”- thuhet në përgjigjen zyrtare të Policisë. Mesa duket, këtu e ka zanafillën edhe lajmi që është shpërndarë në portale. Në disa prej tyre, ky refuzim lejeqëndrimi është i lidhur me sulmin në manastirin e Banjskës, ndërsa në disa të tjera është abuzuar duke e lidhur me lëvizjen e Deçanit.

Deklarimet e “Lëvizja: Braktisja vullnetare e fesë islame”, por edhe ato se çka u thanë pas daljes së tyre në publik, janë pjesë e hetimit nga Prokuroria Themelore në Pejë.

Kjo dalje publike ndodhi më 20 tetor, ndërsa vetëm tri ditë më pas, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, mblodhi Këshillin e Bashkësisë Islame në këtë komunë.

“Në takimin e sotëm me Bashkësinë Islame në Deçan, u dakorduam që të mos i kontribuojmë polarizimit, përçarjes e urrejtjes në mes qytetarëve tanë. Pavarësisht organizimeve dhe thirrjeve që dikush mund të ketë, Bashkësia Islame dhe qytetarët e Deçanit si gjithherë i kontribuojnë bashkëjetesës, harmonisë dhe të mirës për popullin dhe për shtetin e Kosovës”- ka shkruar Ramosaj në një postim në Facebook më 23 tetor.