BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookImazhi viral i shpëtuesit grek në Turqi u krijua nga inteligjenca artificiale

Imazhi viral i shpëtuesit grek në Turqi u krijua nga inteligjenca artificiale

Një foto, e bërë virale në internet pas tërmetit në Turqi, e cila tregon një shpëtues me uniformë greke duke mbajtur në krahë një fëmijë të shpëtuar nga rrënojat, rezulton të jetë një imazh i gjeneruar me anë të një programi të inteligjencës artificiale. Ky imazh po përdoret tashmë në rrjetet sociale nga mashtrues që kërkojnë donacione për të mbijetuarit.

——————————————

Imazhi i një ushtaraku të forcave greke të emergjencës EMAK që shtrëngon në krah një fëmijë të nxjerrë nga rrënojat e tërmetit në Turqi, do të mbetet gjatë në memorje. Përtej simbolikës së ndihmës së ofruar nga shumë vende e qytetarë të thjeshtë ndaj personave të prekur nga tërmeti shkatërrues, ky është gjithashtu një mesazh paqeje mes dy popujve fqinjë të përballur me retorika të ndezura e tone lufte për shkak të mosmarrëveshjeve për caktimin e kufijve detarë. 

Por, pavarësisht këtij mesazhi pozitiv që përcjell imazhi, disa media dhe përdorues të mediave sociale kanë rënë preh e një keqkuptimi për origjinën e tij. I tillë është rasti i portalit Syri, i cili në një artikull të 9 shkurtit, e prezanton imazhin viral si një foto të shkrepur gjatë operacioneve të shpëtimit. Ndërkohë, një imazh tronditës po bën xhiron e rrjetit. Vihet re ish-komandanti Rajonal i Shërbimit Zjarrfikës të Detit Egje, Panagiotis Kotridis, i cili mban në krahët e tij një nga fëmijët e shpëtuar nga tërmeti”, njofton artikulli i portalit. 

Imazhi në artikullin e Syri.net ku mund të konstatohet edhe gabimi në numrin e gishtave të zjarrfikësit

Në këtë pjesë të artikullit mesa duket ka një keqkuptim. Në fakt, foto virale është një imazh i krijuar nga zjarrfikësi grek Panagiotis Kotridis, shoqëruar me përshkrimin: “Për të nderuar kolegët që po bëjnë çmos për të shpëtuar viktimat e tërmeteve në Turqi, bëra këtë foto.”

Në versionin e plotë të fotos, Kotridis ka firmosur dhe emrin e tij në cep të imazhit. Kur ai thotë “bëra këtë foto”, nuk i referohet shkrepjes së fotos, por gjenerimit të saj me anë të një programi që përdor inteligjencën artificiale (AI) për të krijuar imazhe.

Edhe gazeta greke Proto TEMA raporton se imazhi është krijuar nga gjeneralmajori i brigadës së zjarrfikësve të Egjeut Panagiotis Kotridis duke përdorur softuerin e inteligjencës artificiale Midjourney.

Disa përdorues në Twitter kanë zbuluar se edhe Inteligjenca Artificiale mund të bëjë gabime, duke vënë re se shpëtuesi në imazh ka gjashtë gishta në dorën e djathtë.

Kolegët e BBC i kanë shkuar edhe më tej verifikimit të imazhit për të prezantuar më tej për lexuesit se sa e lehtë është të zhvillohen pamje dhe video të tilla që mund të përdoren për qëllime jo gjithmonë kaq të mira. 

Ekspertët e Qendrës së Kërkimit Teknologjik të BBC-së, përdorën  të njëjtin softuer për të gjeneruar një “imazh të zjarrfikësit që shpëton një fëmijë të vogël nga pasojat e tërmetit dhe mban helmetë me flamurin grek”. Këto opsione më poshtë u gjeneruan:

Gazetarët e BBC si dhe France24 kanë ngritur gjithashtu shqetësimin se ky imazh viral po përdoret së fundi në rrjetet sociale nga mashtrues që kërkojnë donacione për të mbijetuarit e tërmetit që goditi Turqinë me anë të fushatave fiktive të bamirësisë.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img