BallinaProjekteRindërtimi dhe pandemia në Shqipëri: Fakte dhe të dhënaRindërtimi në Fushë-Krujë kthehet në "stafetë" afatesh të zvarritura

Rindërtimi në Fushë-Krujë kthehet në “stafetë” afatesh të zvarritura

Procesi i rindërtimit, që synon strehimin e mijëra të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit, vijon me hapa të ngadaltë. Gjashtë muaj më parë, ministri i Rindërtimit, zoti Ahmetaj prezantoi planin, sipas të cilit rreth 1200 banorë të pastrehë në Fushë-Krujë, do të futeshin në shtëpitë e reja brenda mesit të muajit dhjetor 2020. Sot, kur ka kaluar më shumë se një muaj nga skadimi i këtij afati, nuk ka përfunduar ende asnjë shtëpi.


Më 22 korrik, ministri i Shtetit për Rindërtimin, zoti Arben Ahmetaj dha informacione mbi ecurinë e procesit, duke u ndalur edhe në Fushë-Krujë.

“Zona zhvillimore në Fushë-Krujë do jetë një nga më të bukurat, ku mund të merret edhe si model. Do jetë një kombinim midis shtëpive individuale, pallateve të ulta…”- tha zoti Ahmetaj.

Sipas planit që ai paraqiti, në Fushë-Krujë do të ndërtohen 128 banesa individuale dhe 100 banesa kolektive, të ndara në 15 pallate me nga 5 kate, të cilat parashikoheshin të përfundonin më 17 dhjetor 2020. Vlera e kontratës, për të cilën njësi zbatimi është Fondi Shqiptar i Zhvillimit, është mbi 278 milionë lekë për një zonë ndërtimi që i tejkalon 100 mijë metrat katrorë.

Marrë nga prezantimi i ministrit Ahmetaj, 22 korrik 2020

Më 12 tetor, kryeministri Rama shkoi në Fushë-Krujë për të inspektuar nga afër punimet për shtëpitë individuale dhe pallatet, i shoqëruar nga kreu i FSHZH, zoti Dritan Agolli dhe nga kryebashkiaku i Krujës, zoti Artur Bushi.

Zoti Bushi i tha kryeministrit se sapo kishte filluar ndërtimi i shtëpive individuale, ndërsa për pallatet ende nuk kishte nisur puna.

“Tani jemi në fazën që sapo kemi filluar me ndërtimin e shtëpive individuale. Janë 128 shtëpi individuale.

Ndërkohë që është në fazën e përfundimit të procedurës për fillimin e apartamenteve për pallat.” – u shpreh kryebashkiaku i Krujës.

Kreu i FSHZH, zoti Agolli, saktësoi se shpresonin “që deri në gjysmën e muajit tjetër (nëntor) të hapnin kantierin për ndërtimin e pallateve”.

Edhe në gjysmën e muajit nëntor 2020, ende nuk kishte filluar ndërtimi i pallateve, siç dëshmon një postim në Facebook i kryeministrit Rama.

Ekzaktësisht një vit pas tërmetit shkatërrimtar, më 27 nëntor 2020 kryeministri Rama u rikthye në Fushë-Krujë së bashku me ministrin Ahmetaj. Në atë datë, asnjë shtëpi e vetme individuale nuk ishte përfunduar, megjithatë Ministri i Rindërtimit nuk hezitoi të ‘rinovonte’ afatin e radhës.

“Këtu jemi shumë afër mbarimit. Deri në fund të këtij viti do jenë 50 nga këto banesa të dorëzuara me çelësa në dorë.” – u shpreh ai.

Ndërsa pyetjes së kreut të qeverisë se kur fillonte puna për pallatet, ministri Ahmetaj iu përgjigj:

“Besoj për dy javë, duhet të kolaudojmë diçka të fundit me fondin (FSHZH)”.

Në fund të vitit, më 29 dhjetor 2020, ministri Ahmetaj u kthye së bashku me kryeministrin Rama në kantierin e shtëpive individuale në Fushë-Krujë. Ndryshe nga çfarë kishte premtuar më herët, jo vetëm që nuk u dorëzuan 50 shtëpitë e para, por ende nuk kishte përfunduar asnjëra prej tyre.

“Besoj që me këto njësi banimi, edhe me të gjitha ambientet akomoduese shoqëruese komunitare, ne mbarojmë në fund të marsit. Brenda marsit i kemi të dorëzuara.” -garantoi ai.

Ministri Ahmetaj dhe kryeministri Rama në Fushë-Krujë, 29 dhjetor 2020

Përsa i përket pallateve, afati për nisjen u punës u shty sërish, më 15 janar. Shtyrje të mëtejshme pësoi edhe përfundimi i 100 banesave kolektive, që do organizohen në 15 pallate, nga 17 dhjetori që ministri Ahmetaj kishte bërë me dije fillimisht, në mesin e korrikut të ardhshëm, por këtë herë, “stafeta” për afatin e radhës, kaloi nga Ahmetaj te kryebashkiaku Artur Bushi.

“Ndërsa pallatet sot hapet procedura, i bie që deri më 15 janar të kemi hapur kantierin dhe sipas grafikut të punimeve që kemi për pallatet, i bie që në mes të korrikut…(do mbarojmë)”. – u shpreh kryebashkiaku i Krujës, zoti Artur Bushi.

Pavarësisht dështimit të njëpasnjëshëm të afateve të dhëna prej 22 korrikut 2020, zoti Ahmetaj tha:

“Pra, edhe me pallatet jemi në fazë fillestare, por jemi fiks me programin. Të gjitha ndërtesat kolektive, pra pallatet, marrin rreth 6-7 muaj ndërtim, pas projektit kuptohet. Procesi i ndërtimit nga hapja e themeleve.” – tha ministri i Rindërtimit.

Më 22 janar, kryeministri Rama dha përditësimin e fundit nga kantieri i rindërtimit në Fushë-Krujë, ku dukej qartë se puna ende vijonte dhe asnjë shtëpi individuale nuk kishte përfunduar.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img