.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookAntenat studimore në Alaskë asnjë lidhje me tërmetin në Turqi

Antenat studimore në Alaskë asnjë lidhje me tërmetin në Turqi

Ndërsa misionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në Turqi dhe Siri si pasojë e tërmetit të 6 shkurtit, konspiracionistët kanë nxituar t’ia vendosin fajin për këtë fatkeqësi natyrore një projekti eksperimental shkencor të quajtur HAARP (High-frequency Active Auroral Research Program) që operon në Alaskë dhe studion pjesën e sipërme të atmosferës me anë të radiotransmetimeve të frekuencave të larta.

——————————–

Analisti/konspiracionisti Alfred Cako deklaroi në emisionin e tij “Jashtë Matriksit” në RTV Ora: “Të gjithë kemi parë se ky tërmet i rëndë në Turqi mund të ketë edhe origjinë artificiale, pra përmes asaj që e kemi thënë prej kohësh me sistemin HAARP. Ky sistem krijon valë të ndryshme duke ndikuar në trurin e njeriut, përmes valësh të shkurta dhe krijon depresion tek shumë njerëz. Po kush mund të jetë arsyeja për goditjen e Turqisë? Thonë se Turqia mund  të dalë nga NATO dhe nuk po i përgjigjet krahut sekret të NATO-s.”

HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane në vitin 1993, dhe i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015. Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Atij i janë veshur fuqi gati hyjnore duke e etiketuar si shkaktar i përmbytjeve, uraganeve, thatësirave, tërmeteve, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve, sëmundjeve. Disa pretendime këmbëngulin se HAARP është një vegël për të kontrolluar mendjen e njerëzve. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.

“Faktoje” ka përgënjeshtruar më parë pretendimin e konspiracionistit Alfred Cako se HAARP shkakton tërmete.

Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, fuqitë mbinatyrore që i vishen HAARP nga konspiracionistët kanë origjinë të përbashkët me supersticionet dhe mund të luftohen në të njejtën mënyrë: “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në një vend në Alaska dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoi se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhesh për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”

Më së fundmi, profesor Bruce Malamud nga King’s College në Londër tha se “nuk ka lidhje të besueshme apo të mundura mes HAARP dhe shkaktimin e tërmeteve të çfarëdo shkalle, duke përfshirë tërmetin tragjik më të fundit në Turqi në 6 shkurt 2023. HAARP është një program kërkimor përkushtuar studimit të jonosferës, që është pjesë e atmosferës së sipërme të Tokës (rreth 48 deri në 965 km mbi nivelin e detit). Nuk ka një mekanizëm të njohur fizik me anë të të cilit HAARP mund të ketë shkaktuar tërmete, dhe çdo pretendim për ndonjë lidhje të tillë qëndron jashtë fushëveprimit të shkencave natyrore. Përkrahësit e ekzistencës së një lidhje të tillë, si konspiracionistët, duhet të shpërfillen dhe pretendimet e tyre duhet të trajtohen si lajme të rreme.”

Sa i përket fenomenit të “tërmeteve artificial”, është e vërtetë se veprimtaria njerëzore mund të shkaktojë tërmete (zakonisht të shkallës së ulët) duke ndryshuar forcat e tensionit në koren e Tokës. Shkak për këtë është shpesh nxjerrja apo futja e lëngjeve nga/në thellësi të Tokës. Këto veprimtari, që janë pjesë e procedurave të shfrytëzimit të minierave dhe nxjerrjes së gazit dhe naftës, mund të bëhen shkas për tërmete duke ndikuar në presionin nëntokësor, si në diagramin e mëposhtëm.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img