BallinaAktualitetDurrës, sa më shumë rriten çmimet, aq më tepër varfërohet tryeza

Durrës, sa më shumë rriten çmimet, aq më tepër varfërohet tryeza

Durrësi, qarku i dytë për nivelin e lartë të papunësisë përballet me rritjen e ndjeshme të çmimeve. Faktoje bisedoi me pensionistë të këtij qyteti që tregojnë se si po varfërohet tryeza e tyre me inflacionin e lartë. Edhe pse një një hap larg detit, peshku mund të quhet një produkt luksi që shumë familje në Durrës nuk mund t’ia lejojnë vetes, ndërsa tregtarët pranojnë se çmimi i këtij produkti është rritur me të paktën 20-30 përqind.

Ervina Kotti Garo

Më pak se një orë larg kryeqytetit, Durrësi reflekton më së miri, atë që ndodh në Tiranë, ku nuk bën përjashtim as rritja e ndjeshme e çmimeve që ka prekur çdo sektor.

Shtrenjtimi i produkteve të shportës dhe jo vetëm, ka krijuar vështirësi në mënyrë të veçantë për shtresat në nevojë dhe kategoritë me të ardhura të ulëta mujore, siç janë pensionistët.

Për Antonetën, pensioni që ka përfituar pas më shumë se 35 viteve pune nuk mjafton. Ndërsa, rritja e çmimeve e ka detyruar të heqë dorë nga blerja e disa produkteve.

“Marr 16 mijë lekë në muaj 5 mijë ujë dhe drita, se ka edhe taksa fatura e ujit. 5 mijë ilaçe, pjesa e mbetur për të përballuar jetesën. Djathin e kam zëvendësuar me gjizën. Eshtë më e lirë, marr një mijë lekë, se një kile është 350 lekë. Qumësht nuk blej më se ka shkuar 170 lekë. Eshtë rritur edhe buka dhe e kam zëvendësuar me bukën e misrit, po është rritur edhe ajo. 50 lekë nga 30 që ka qenë. Ja më thoni ju, ia dal dot?”

Çmimet e djathit në një dyqan bulmeti në Durrës, shkurt 2023

Çmimet e qumështit dhe nënprodukteve në një dyqan bulmeti në Durrës, shkurt 2023

Në mesin e muajt shkurt, kompanitë e tregtimit të bulmetit paralajmëruan rritjen e çmimeve të nënprodukteve të qumështit. Eksperti për çështjet e bujqësisë, Ervin Resuli, në një postim në rrjetet sociale, e sheh me shqetësim këtë lëvizje çmimesh që sipas tij është abuzive.

“Të rrisësh çmimin me 38% mbi fitimet që ke pasur nga çmimi më parë është tu fusësh dorën në xhep konsumatorve.”- shprehet Resuli në rrjetin social Facebook.

Çmimet e rritura këtë muaj janë bërë objekt monitorimi edhe nga Autoriteti i Konkurrencës, që ka vendosur të monitorojë tregun pas lajmërimit të kompanive për rritje çmimesh.

“Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë çmimet e blerjes ose të shitjes, kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit apo vendosin kushte tregtimi. Sjellim në vëmendje të ndërmarrjeve të përpunimit të qumështit se, shkelja e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme.”- shkruhet në njoftimin e Konkurrencës.

Kriza e çmimeve, edhe pensionistët zgjedhin emigrimin

Rritja e ndjeshme e çmimeve dhe vlera e ulët e pensionit prej 14 mijë lekësh nuk i del për të jetuar. Në këto kushte, 66-vjeçarja, Elida M. në muajin dhjetor u largua nga Shqipëria. Zgjodhi të shkojë pranë fëmijëve të saj, të cilët prej vitesh punojnë dhe jetojnë në Itali.

“Më vjen keq se doja të rrija në vendin tim, po nuk ia dilja dot! Këtu ilaçet i marr falas, ndërsa në Durrës, mjekja e familjes ishte larguar dhe për t’u vizituar te mjeku tjetër, derisa të gjendej zëvendësuesi duhej të prisja radhën, pa llogaritur që ilaçet janë shtrenjtuar dhe më duhet t’i blej vetë, se nuk i përfitoj me rimbursim. Pensioni më shkonte për ilaçe se unë kam diabet, hipertension dhe artrit.”- na thotë gjatë një bisede telefonike Elida.

Eshtë e qetë pranë fëmijëve të saj dhe nuk duhet të mendojë për ta përballuar jetesën, por i mungon qyteti i lindjes.

“Mishin e kisha harruar. Blija ndonjëherë sardele meqë ishin më të lirat. I gjeja edhe me 200 lekë, se kanë vajtur 300 lekë për kilogramë. Kërkoja ofertat edhe për ushqimet. Vaji i lulediellit tani ka filluar të ulet më tregon motra, se deri dje nuk e gjeje pa 300 lekë një shishe”.

Çmimet në një dyqan që tregton mish në Durrës, shkurt 2023

 Një çift pensionistësh që prej vitesh ushtrojnë aktivitetin e tyre tregtar, në një njësi shërbimi në lagjen numër 7 të qytetit të Durrësit tregojnë se së fundmi është rritur ndjeshëm numri i atyre që blejnë ushqime me listë.

“Blejnë bukë dhe ushqime. Na vjen keq të mos i japim se mendojmë si për vete! Sa më shumë rriten çmimet, aq më e gjatë lista.”- thonë ata, që prej vitesh jetojnë në Durrës, por origjinën e kanë nga Korça.

‘”Që të lajnë borxhet duhet të marrin asistencën apo ndihmën ekonomike.”- shtojnë ata.

Në periferi ndihet më shumë rritja e çmimeve, pasi papunësia është më e lartë. Ndërsa, ata që janë në marrëdhënie pune paguhen pak, duke konfirmuar faktin që pagat janë të ulëta, edhe kur nuk krahasohen me vende të tjera.

Nënë Shaha jeton e vetme dhe merr një pension prej 16 mijë lekësh.

“Përpiqem të kursej sa më shumë, se jetoj me qira. Duke qenë se nuk kam shtëpi, nuk përfitoj as kompensim për dritat. E shtyjmë kështu, me më të lirat. Vezët kanë qenë më lirë. Tani nuk i gjen në supermarket pa 20 lekë për kokërr, se ato të fshatit janë edhe më të shtrenjta.”- thotë ajo.

Çmimi i vezëve në një market në Durrës, shkurt 2023

 Megjithëse, është e moshuar përpiqet të dalë shpesh nga tregu i frutave dhe perimeve, pasi blen pak, duke treguar kujdes te çmimet.

“Kur kam mundësi, blej mollë se më pëlqejnë. Janë pak shtrenjtë për mua. Po kur i kam blerë me 50 lekë për kilogramë, më kanë dalë të kalbura.  70 lekë për kile më të lirat, kur është sezoni i tyre?”

Durrësi nuk mund të kuptohet pa peshkun. Një produkt që preferohet nga konsumatorët, por që nuk i ka shpëtuar rritjes së çmimeve. Markata e Peshkut  ka gjithmonë e më pak blerës.

Sipas vetë tregtarëve, paradoksalisht ka rënë cilësia, por janë rritur çmimet. Megjithatë, e kanë një shpjegim për situatën. Sipas tyre, peshku i importit ka zëvendësuar prodhimin vendas.

Dyqane peshku pa blerës në Durrës, shkurt 2023

“Me çmimin që më parë blihej peshku i freskët, tani blihet peshku që vjen nga jashtë. Ndërsa, për peshkun e freskët duhet të paguash 20-30% më shumë.”

Shtrenjtimi i naftës ka bërë që anijet e peshkimit ta reduktojnë aktivitetin e tyre, duke ofruar më pak produkte peshku për tregun. Këtë fakt e konfirmon për Faktoje edhe kreu i Sindikatës së Peshkimit Durrës, Klodian Kapiti.

Sipas kryesindakalistit, kjo situatë po i çon drejt falimentimit, ku një peshë të rëndësishme ka edhe mungesa e fuqisë punëtore.

“Jemi në zgrip. Shtrenjtimi i naftës ka qenë një goditje për ne. Punëtorë nuk ka. Po na ikin dhe ata nga Lindja e Mesme. Nuk mbulojmë dot shpenzimet dhe jo më të dalim me fitim.”

Faktoje iu drejtua me një kërkesë zyrtare Bashkisë së Durrësit, në lidhje me numrin e familjeve në nevojë dhe  sa prej tyre trajtohen me ndihmë ekonomike. Në të njëjtën kohë, nëse ka ndonjë paketë apo mënyrë tjetër që Bashkia e Durrësit ka menduar të vërë në zbatim për të ndihmuar shtresat në nevojë, përveç vendimeve të marra nga qeveria, për të zbutur situatën e krijuar nga shtrenjtimi i çmimeve të produkteve ushqimore dhe jo vetëm, që i ka vënë në vështirësi këto kategori.

Screenshot i përgjigjes zyrtare të bashkisë Durrës

Në përgjigjen zyrtare të autoritetit vendor bëhet me dije se numri i familjeve në nevojë, të cilat i janë drejtuar me kërkesë për t’u trajtuar me ndihmë Bashkisë së qytetit bregdetar është 431. Nga këto 234 janë trajtuar me ndihmë ekonomike për muajin janar 2023, me fonde që alokohen nga pushteti qendror, ndërsa 65 familjeve i është refuzuar kërkesa, 34 trajtohen nga fondi 6% i ndihmës së kushtëzuar për bllok ndihmën ekonomike, 98 familje trajtohen me fonde, nga të ardhurat e bashkisë, të cilat janë të planifikuara në buxhetin e Bashkisë Durrës.

Në vijim të përgjigjes për Faktoje, nëse po vë në zbatim ky institucion ndonjë plan masash, për të ndikuar në zbutjen e krizës, Bashkia Durrës thotë:

“Lidhur me integrimin e këtyre familjeve bashkëpunohet me zyrën e punës që, për çdo anëtar madhor dhe në moshë pune t’i krijohen mundësitë e punësimit. Gjithashtu për fuqizimin e këtyre familjeve punohet në qendrat komunitare që kemi nëpërmjet programeve që zbatohen në qendra si dhe u ofrohen paketa ushqimore, kur kemi mbështetje nga donatorë të ndryshëm me fokus mbështetjen e familjeve në nevojë.”

Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e parë të vitit 2022, Durrësi dhe Lezha ishin dy qarqet me normat më të larta të papunësisë përkatësisht 16.1% dhe 22.7% në një kohë që norma mesatare papunësisë në shkallë kombëtare në këtë tremujor ishte 11.3%.

Ndërkaq, sipas statistikave të Eurostat, të përpunuara nga një artikull i Monitor ndonëse Shqipëria është një vend bregdetar, peshku është më i lirë në Maqedoninë e Veriut, Bosnjë Hercegovinë dhe Kosovë.

Çmimet më të shtrenjta në vend janë për qumësht, djathë e vezë,  që jo vetëm kushtojnë më shumë në rajon, por edhe në krahasim me mesataren europiane, me 107.3% (dmth 7.3% më shumë sesa mesatarja e BE-së), sipas gjetjeve të Monitor.

Buka është më e shtrenjta, së bashku me Serbinë, me përkatësisht 77.2 dhe 77.9% të mesatares europiane. Ndërsa, paga mesatare në Shqipëri rezulton më e ulëta në rajon.

 

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Gazetare Ajo është diplomuar në fakultetin e Gazetarisë, Universiteti i Tiranës në nivelin “Bachelor” si dhe ka kryer studimet në të njëjtin fakultet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”. Esmeralda ka më shumë se 10 vite që punon si gazetare ekonomie në media të ndryshme, kryesisht televizione. Fillimet e saj kanë qënë në Platformën Tring, si pjesë e kanalit informativ “7 News” ku ka mbuluar raportimet mbi çështjet me karakter social dhe ekonomik. Në mars të 2013, Esmeralda ka punuar si gazetare dhe njëkohësisht si folëse lajmesh në televizionin “Agon Channel”, ndërkohë që nga shtatori i 2015 ka qënë pjesë e redaksisë së lajmeve në RTSH si gazetare ekonomie, folëse lajmesh si dhe pjesë e stafit të emisionit “Përballë” nën autorësinë e Lutfi Dervishit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img