.

.

BallinaFaktometerPa kategoriAlvinin e shpëtuam... çfarë do të ndodhë me të tjerët?

Alvinin e shpëtuam… çfarë do të ndodhë me të tjerët?

MARJO BRAKAJ & ANXHELA RUÇI

Shpëtimi i 11-vjeçarit Alvin Berisha nga kampi sirian i Al-Hawl, u pa si një shpresë për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga Siria. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe ministrja për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali garantuan angazhimin maksimal shtetëror për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga Siria. Pas më shumë se tre muajsh nga nxjerrja e Alvin Berishës nga kampi i Al-Hawl, e deri më sot, asnjë shtetas shqiptar nuk është riatdhesuar nga Siria.

……………………………………………………………………………………………………………………………….

Pas zhurmës mediatike, të ardhur edhe si post-reagim ndaj neglizhencës së përfaqësisë diplomatike të Shqipërisë në Turqi dhe Itali, kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm, Lleshaj u angazhuan për nxjerrjen nga kampi i Al-Hawl të 11-vjeçarit, Alvin Berisha. Vajtjen në Liban, ministri i Brendshëm, Lleshaj e argumentoi me angazhimin për riatdhesimin e fëmijëve jetimë shqiptarë nga Siria. Në një bisedë telefonike me “Report TV” më 7 nëntor 2019 Leshaj, ndër të tjera u shpreh se tashmë dihen gjeneralitetet e shtetasve shqiptarë që ndodhen në kampin e Al-Hawl dhe se po punohet për riatdhesimin e tyre.

Lleshaj: Po, ne nuk kemi nevojë për denoncime sepse pak a shumë autoritetet shqiptare i dinë se kush ndodhet tashmë në kampin Al–Hawl, dinë pra emrat dhe të dhënat kryesore të atyre që ndodhen tashmë atje. Problemi është se si mund të tërhiqen pa rrezikuar as ata vetë, as ata që do të ndërhyjnë për shpëtimin e tyre. Kjo është sfida kryesore e gjithë autoriteteve tona për të gjetur aktorët e mundshëm, partnerët e mundshëm, rrugët, mjetet dhe kohën e duhur.

Për të njëjtën arsye, ministrja për Marrëdhënien me Parlamentin dhe njëherësh zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali, e thirrur për interpelancë në Kuvend më 4 nëntor 2019, deklaroi se po punohet për nxjerrjen e shtetasve shqiptarë nga Siria.

Spiropali: Shqipëria po bën ç’është e mundur për të kthyer gratë dhe fëmijët që janë në kamp. Organizatat që menaxhojnë këto kampe nuk duan që këto njerëz të largohen. Ju garantojmë ju, deputetëve, që kanë kërkuar interpelancë se institucionet e përfshira po bëjnë detyrën me profesionalizëm, pa zhurmë dhe pa bujë për të zgjidhur këto probleme.

Për të patur një panoramë më të saktë mbi procesin e riatdhesimit të shtetasve të huaj nga Siria, “Faktoje” kontaktoi me zëdhënësin për shtyp të presidentit të Kryqit të Kuq Italian, Francesco Rocca, Tommaso della Longa, i cili ishte i pranishëm në operacionin e shpëtimit të 11-vjeçarit, Alvin Berisha. Në një bisedë telefonike (WhatsApp), zëdhënësi i Presidentit të Kryqit të Kuq Italian konfirmoi se lirimi i Alvin Berishës nga Siria është bërë në rrugë diplomatike përmes Gjysëmhënës së Kuqe Siriane. Ai konfirmoi që prania e ministrit të Brendshëm, Lleshaj ishte e nevojshme për pajisjen e Alvinit me dokumentacion pasi Alvin Berisha zotëronte vetëm shtetësinë shqiptare. I pyetur mbi kontributin e autoriteteve shqiptare dhe italiane, ai u shpreh se ato kanë asistuar në transportimin e Alvinit nga kufiri me Libinë për ne Itali. Zëdhënësi i Presidentit të Kryqit të Kuq Italian, Tommaso della Longa u shpreh se riatdhesimi i shtetasve të huaj nga Siria është një proces i komplikuar i cili kërkon angazhimin e disa institucioneve. Ndër të tjera ai u shpreh se personat që administrojnë kampet ku strehohen edhe shtetasit shqiptarë janë të interesuar që secili vend të riatdhesojë shtetasit e vet.

Marrë shkas nga një operacion i Republikës së Kosovës, ku Ministria e Drejtësisë u angazhua për riatdhesimin e 110 shtetasve kosovarë nga zonat e konfliktit në Siri më 19 prill 2019, “Faktoje” pyeti në Ministrinë e Drejtësisë së Shqipërisë. Institucioni i drejtësisë u përgjigj duke cituar Nenin 8, pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Referuar Nenit 8, pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, detyra e mbrojtjes së të drejtave të shtetasve shqiptarë jashtë kufijve i delegohet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Ndër institucionet te të cilat ne u interesuam për të pyetur ishte edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. “Faktojes” iu komunikua se institucioni i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme ka evidentuar shtetas shqiptarë (30-40) në kampet në Siri si dhe po punohet për procesin e riatdhesimit.

Top Channel, në një kronikë të datës 2 shkurt 2020, referuar të dhënave nga Komisioni Europian, raporton se shtetasit shqiptarë në Siri janë 73, pra gati dyfishi i shifrave që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme na raportoi. Në kronikën e transmetuar nga Top Cannel, Koordinatori i Qendrës Kundra Ekstremizmit të Dhunshëm, Agron Sojati shprehet se pothuajse është përmbushur plan-veprimi për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga Siria.

Agron Sojati: Shqipëria është në përfundim të planit të veprimit për pjesën e anëtarëve që pret të kthehen dhe të riintregrohen duke pasur një bashkëpunim shumë të afërt dhe dinamik me institucionet e zbatimit të ligjit, me prokurorinë, me policinë por edhe me pushtetin vendor. Njëkohësisht duke adresuar edhe komponentët e tjerë, social, ekonomik, psikiatrik dhe edukativ.

“Faktoje” dërgoi edhe një kërkesë për informacion pranë institucionit të Ministrisë së Brendshme lidhur me procesin e riatdhesimit të shtetasve shqiptarë nga Siria, por edhe pse afati ligjor për kthimin e një përgjigjeje ka kaluar, institucioni ende nuk na ka vënë në dispozicion informacionin e kërkuar.

Tre muaj pas lirimit të 11-vjeçarit, Alvin Berisha, disa deklatarave “premtuese” të zyrtarëve të lartë shtetërorë, shtetasit shqiptarë në Siri gjenden ende pa një zgjidhje.

LEXO EDHE: https://faktoje.al/lleshaj-per-shpetimin-e-alvinit-dhe-5-provat-qe-rrezojne-deklaraten-e-tij/

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img