Nga Jona Cenameri
Tre vite pasi kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, premtoi përfundimin “shumë shpejt” të rehabilitimit të qendrës së Libofshës, projekti rezulton i përfunduar.
Në vitin 2023 sipas Bashkisë projekti ishte ende pa financim, ndërsa në vitin 2025 FSHZH njoftonte përfundimin e punimeve, edhe pse në terren mbeteshin hapësira të pasistemuara.
Në përgjigjen e fundit, FSHZH konfirmon se objekti është kolauduar më 5 dhjetor 2025. Edhe verifikimi i Faktoje në vitin 2026 gjeti punimet të përfunduara.
Premtimi
Më 10 maj 2023, vetëm 4 ditë para zgjedhjeve vendore, Armando Subashi e prezantoi rehabilitimin e qendrës së Libofshës si një nga investimet e mandatit të ardhshëm.

“Jemi duke punuar dhe shumë shpejt përfundojmë rehabilitimin e qendrës së Libofshës, një zonë me resurse dhe mundësi të jashtëzakonshme në zhvillimin e turizmit”, deklaronte ai.
Nga premtimi te zvarritja e projektit
Kur Faktoje shkoi në Libofshë në nëntor 2023, gjashtë muaj pas zgjedhjeve, punimet ishin ndërprerë.
Rrugë të gërryera, baltë, mungesë ndriçimi dhe kanalizimesh ishin ndër problematikat e raportuara nga banorët. Bashkia Fier konfirmoi asokohe se projekti ishte ende në procedurë lejeje dhe nuk kishte marrë financim.
Çfarë ndryshoi në 2025
Në gusht 2025, Bashkia Fier bëri të ditur se projekti po realizohej nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ndërsa Bashkia po punonte për procedurat e shpronësimeve.
FSHZH deklaroi se punimet kishin përfunduar dhe pritej kolaudimi. Në terren, pedonalja dhe rruga ishin rregulluar, por mbeteshin ende hapësira të pasistemuara dhe objekte që pritej të shpronësoheshin.
Për këtë arsye, Faktoje e kategorizoi atëherë premtimin si pjesërisht të mbajtur.
Çfarë thotë Bashkia Fier në 2026
Në përgjigjen e këtij viti për Faktoje, Bashkia Fier konfirmon se zbatimi i projektit ka përfunduar, ndërsa objekti është ende në proces dorëzimi. Sipas institucionit, investimi është financuar dhe realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Ka përfunduar gjithashtu edhe procesi i shpronësimeve, i cili në verifikimin e vitit 2025 ishte ende në zhvillim. Bashkia thotë se procedura ka prekur 4 pronarë, me një vlerë totale kompensimi prej 1,294,660 lekësh, që përballohet nga buxheti i shtetit.
FSHZH: Objekti është përfunduar dhe kolauduar
Në përgjigjen e fundit për Faktoje, FSHZH konfirmoi përfundimin e plotë të punimeve dhe kolaudimin e objektit.
“Punimet për rehabilitimin e qendrës së Libofshës kanë përfunduar plotësisht dhe objekti është kolauduar më datë 05.12.2025”, sqaron institucioni.
Sipas FSHZH-së, projekti përfshiu rikualifikimin urban të sheshit dhe pedonales, sistemimin e fasadave, ndriçimin, gjelbërimin dhe mobilimin urban.
Institucioni sqaron se gjatë zbatimit janë bërë përshtatje sipas kushteve të terrenit, por ato nuk kanë cenuar elementet kryesore të projektit dhe nuk kanë ndryshuar vlerën e kontratës.
Verifikimi në terren, 2026
Në verifikimin e këtij viti, Faktoje konstatoi se punimet dukeshin të përfunduara dhe nuk kishte më shenja të një kantieri aktiv.
Një pensionist i zonës ngriti megjithatë shqetësime për mungesën e disa hapësirave për fëmijët dhe të moshuarit.
“Ja, na i bënë, por s’ka një kënd lojërash, një park për fëmijët. Stola për ne ka shumë pak, s’ka një tavolinë a diçka për pensionistët”, tha ai.
“Për veten s’më vjen keq, por për fëmijët”, shtoi pensionisti.





Përfundimi
Tre vite pas premtimit të Armando Subashit, rehabilitimi i qendrës së Libofshës rezulton i përfunduar. FSHZH konfirmon se objekti është kolauduar më 5 dhjetor 2025. Edhe verifikimi në terren në 2026 konfirmon përfundimin e punimeve.
Faktoje e kategorizon premtimin si të mbajtur.
Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.






