Levan, Bashkia raporton ndërhyrje por terreni akoma kërkon ndërhyrje

Në Peshtan të Vogël, Shtyllas dhe Bishan, ka pak ndryshim nga një vit më parë.

16
Peshtan i vogel

Nga Jona Cenameri

Tre vjet pasi kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, premtoi përfundimin e rehabilitimit të infrastrukturës rrugore dhe sistemit kullues në Njësinë Administrative Levan, procesi vijon.

Bashkia Fier raporton se gjatë vitit 2026 janë asfaltuar mbi 5 kilometra rrugë dhe janë pastruar mijëra metra kanale.

Por verifikimi i Faktoje në disa prej fshatrave të njësisë tregoi se problematikat e konstatuara një vit më parë vazhdojnë të jenë të dukshme.

Premtimi

Para zgjedhjeve vendore 2023, Armando Subashi u premtoi banorëve të Levanit “përfundimin e rehabilitimit të infrastrukturës rrugore” dhe “përfundimin e punës për rehabilitimin e sistemit kullues”.

Por që në përgjigjen e parë për Faktoje, Bashkia sqaroi se rehabilitimi i rrugëve kishte nisur në vitin 2015 dhe parashikohej të vazhdonte deri në vitin 2030.

Në verifikimin e vitit 2023, Faktoje gjeti rrugë pa ndriçim e sinjalistikë dhe kanale të bllokuara ose të pastruara vetëm pjesërisht.

Për një pjesë të kanaleve të treta, Bashkia kërkonte bashkëpunimin e banorëve për mirëmbajtjen e tyre.

Çfarë treguan verifikimet e mëparshme

Faktoje iu rikthye premtimit edhe në vitet 2024 dhe 2025.

Në verifikimin e vitit 2025, situata ndryshonte nga një fshat në tjetrin, por problemi përsëritej: rrugë kryesore të shtruara, ndërsa në shumë zona mungonin trotuaret, sinjalistika dhe ndriçimi i mjaftueshëm.

Kanalet kulluese në disa fshatra vazhdonin të ishin të bllokuara ose pastroheshin nga vetë banorët.

Në Peshtan të Vogël, Faktoje kishte konstatuar rrugë të dëmtuara, mungesë ndriçimi dhe kanale të mbuluara nga bimësia.

Në Shtyllas, banorët ankoheshin për përmbytje pas reshjeve, ndërsa në Bishan kanalet ishin të mbushura me mbeturina dhe kallamishte.

Çfarë thotë Bashkia Fier në 2026

Në përgjigjen e këtij viti për Faktoje, Bashkia Fier thotë se të gjitha qendrat e fshatrave të Njësisë Administrative Levan janë të lidhura me rrjet rrugor të shtruar ose asfaltuar.

Sipas institucionit, vetëm gjatë vitit 2026 janë shtruar dhe asfaltuar mbi 5 kilometra rrugë, është vendosur sinjalistikë horizontale dhe vertikale, ndërsa ndriçimi në ambientet publike të njësisë është realizuar në masën 85%.

Bashkia thotë se po vijon vendosja e ndriçuesve sipas kërkesave të komunitetit.

Edhe për sistemin vaditës dhe kullues, Bashkia raporton ndërhyrje të vazhdueshme.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2023 janë pastruar mbi 31 kanale me gjatësi rreth 17.6 kilometra, në vitin 2024 janë pastruar 48 kanale me gjatësi rreth 29.6 kilometra, ndërsa në vitin 2025, 24 kanale me gjatësi rreth 11.2 kilometra.

Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, Bashkia raporton pastrimin e 10 kanaleve, me gjatësi totale rreth 5.1 kilometra.

Institucioni shton se kanalet e para dhe të dyta janë pastruar dhe argjinaturat janë sistemuar, ndërsa për mirëmbajtjen e kanaleve të treta që përdoren nga fermerët vijon bashkëpunimi me vetë fermerët.

Verifikimi në terren, 2026

Faktoje u rikthye në Njësinë Administrative Levan për të parë nëse ndërhyrjet e raportuara nga Bashkia kishin ndryshuar situatën në zonat e verifikuara më parë.

Në Peshtan të Vogël, panorama ishte pothuajse e njëjtë me atë të vitit 2025.

Rrugët vijonin të ishin në gjendje të dobët, ndërsa mungonin ndriçimi, kanalizimet dhe elementë të tjerë të infrastrukturës që banorët kishin evidentuar edhe një vit më parë.

Faktoje vizitoi gjithashtu Shtyllasin dhe Bishanin. Edhe në këto dy fshatra nuk u evidentuan ndryshime të dukshme krahasuar me verifikimin e vitit të kaluar.

Kjo krijon një diferencë mes progresit të raportuar nga Bashkia në nivel të gjithë njësisë dhe gjendjes së konstatuar nga Faktoje në këto tre fshatra.

Përfundimi

Tre vjet pas premtimit të Armando Subashit për përfundimin e rehabilitimit të rrugëve dhe sistemit kullues në Njësinë Administrative Levan, ndërhyrjet vazhdojnë.

Bashkia raporton kilometra të rinj rrugësh të asfaltuara, zgjerim të ndriçimit dhe pastrim të kanaleve, por në Peshtan të Vogël, Shtyllas dhe Bishan verifikimi i Faktoje në 2026 gjeti pak ndryshim nga situata e dokumentuar një vit më parë.

Faktoje e kategorizon sërish premtimin si pjesërisht të mbajtur.

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Artikulli paraprakSPAK kërkon psikologë për shkak të presioneve ndaj hetuesve dhe dëshmitarëve
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.