E pabazë kjo lidhje e vaksinimit kundër Covid-19 me sindromën e POTS

12

Pretendimi: Personat e vaksinuar kundër Covid-19 mund të zhvillojnë Sindromën e Takikardisë Ortostatike Posturale (POTS)

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————————

Një postim që po qarkullonrrjetet sociale shqipfolëse paralajmëron personat e vaksinuar kundër Covid-19 se diçka mund t’iu ndodhë, por për të zbuluar më shumë duhet të klikojnë në lidhjen në komente.

Dukshëm, kjo është një tentativë për të mbledhur sa më shumë klikime dhe ndërveprime duke shfrytëzuar kureshtjen dhe shqetësimin e publikut.

Ndërkaq, në lidhjen e referuar në komente, përshkruhet “historia prekëse e Mayës” e cila u përball me “një sëmundje tepër të rrallë,” konkretisht Sindromën e Takikardisë Ortostatike Posturale (POTS). Artikulli përmbyllet me shënimin se “ky është një rast individual dhe nuk përfaqëson përvojën e shumicës së personave të vaksinuar.”

Historia e treguar në artikull nuk përmban ndonjë detaj identifikues si koha dhe vendi kur pretendohet të ketë ndodhur.

POTS është një gjendje që nuk përbën kërcënim për jetën dhe prek rreth 1 deri në 3 milionë njerëz në ShBA. Sipas Cleveland Clinic, ajo bën që zemra e një personi të rrahë më shpejt se zakonisht gjatë kalimit nga pozicioni ulur ose shtrirë në atë në këmbë. Shkaku i POTS mbetet i panjohur, por kjo gjendje shpesh trajtohet përmes ndryshimeve në dietë dhe sjellje, siç janë ushtrimet dhe aktiviteti fizik. Institutet Kombëtare të Shëndetit (NIH) raportojnë se shtatzënia, ndërhyrjet e mëdha kirurgjikale, traumat ose sëmundjet virale mund ta bëjnë një person më të prirur ndaj POTS.

Një rast i POTS pas marrjes së vaksinës kundër COVID-19 u raportua për herë të parë në vitin 2021.

Një studim i publikuar më 12 dhjetor 2022 raportoi se shkalla e diagnozave të reja të POTS ishte pak më e lartë pas vaksinimit kundër COVID-19. Megjithatë, sipas Sally Stewart, drejtoreshë e asociuar për marrëdhëniet me median në Cedars-Sinai, spitali jofitimprurës që realizoi kërkimin e studimit, kjo shkallë është pesë herë më e ulët se shkalla e diagnozave të POTS pas infektimit me Covid-19.

Autorët e studimit vënë në dukje se kjo prirje e thekson rëndësinë e vaksinimit kundër virusit. “Shkalla e diagnozave të reja të POTS-it pas vaksinimit ishte shumë më e ulët se shkalla e diagnozave të reja të POTS-it pas infektimit me SARS-CoV-2, çka tregon se rreziqet shtesë mbeten më të larta pas infektimit sesa pas vaksinimit,” sipas tyre.