Narrativat para vendimit të Hagës për ish-krerët e UÇK-së

Narrativat rajonale në prag të shpalljes së vendimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për ish-krerët e UÇK-së

34
Hashim Thaci

Nga Jona Cenameri

Në prag të vendimit të Hagës për Hashim Thaçin dhe tre ish-krerët e tjerë të UÇK-së, pasiguria për atë që do të ndodhë më 16 shtator ndihet edhe në titujt e lajmeve. “Trazira”, “protestë”, “tensione”, “dhunë”, “kaos” dhe skenarë për përplasje nisën të shfaqeshin në raportimet për atë që mund të pasonte vendimin e Hagës. Fillimisht, vëmendja u përqendrua te deklaratat e Aleksandar Vuçiçit mbi rezultatin e gjyqit.

“Vuçiç ‘e di’ vendimin e Hagës: Hashim Thaçi do të lirohet më 16 shtator”

“‘Pas 16 shtatorit flas në OKB’, Vuçiç i bindur: Hashim Thaçi lirohet nga akuzat në Hagë”

“Vuçiç ndryshon ‘pllakë’ për Thaçin: Në Paris mora ‘sinjale të ndryshme’ për vendimin ndaj tij”

“Vuçiç, i shqetësuar për marshin e lirisë: Po paralajmëroni dhunë, do reagojmë më 16 shtator”

Më pas diskutimi nuk mbeti vetëm te pyetja nëse Thaçi do të dënohej apo lirohej. Në tituj dhe debate publike nisi të shfaqej gjithnjë e më shumë një pyetje tjetër: çfarë do të ndodhte në Kosovë pas vendimit?

Çfarë pritet të ndodhë më 16 shtator?

Më 16 shtator, në orën 10:00, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Të katërt akuzohen për krime kundër njerëzimit (6 kategori veprash penale) dhe për krime lufte (4 kategori veprash penale). Gjykimi nisi më 3 prill 2023, ndërsa faza e paraqitjes së provave u mbyll më 18 dhjetor 2025. 

Procesi

Procesi nuk është një gjyq ndaj UÇK-së si organizatë. Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale për veprat që u atribuohen në aktakuzë. 

Aktakuza pretendon se krimet janë kryer nga anëtarë të UÇK-së, por përgjegjësia penale që shqyrton gjykata në këtë çështje u atribuohet individualisht katër të akuzuarve. 

Sipas Dhomave të Specializuara, gjatë procesit dhanë dëshmi në sallën e gjyqit 134 dëshmitarë: 125 të thirrur nga Prokuroria, 2 nga Mbrojtja e Viktimave dhe 7 nga ekipet e Mbrojtjes. 

Deklaratat përmbyllëse u mbajtën nga 9 deri më 18 shkurt 2026. Të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave. 

Debati Publik

Në debatin publik është krijuar përshtypja se më 16 shtator vendoset automatikisht edhe nëse Hashim Thaçi del nga paraburgimi. Situata e tij juridike është më komplekse.

Thaçi është i përfshirë edhe në një proces të dytë, së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin, për vepra që lidhen me administrimin (pengimin) e drejtësisë. 

Argumentet përfundimtare në atë çështje u zhvilluan më 10, 11 dhe 14 shtator. 

Prokuroria kërkoi gjashtë vjet burg për Thaçin dhe që një dënim të ekzekutohej pas çdo dënimi që mund të marrë në procesin kryesor. Mbrojtja kërkoi pafajësi. 

Nga “do të digjet Shqiptaria” te frika për trazira

Një nga deklaratat që i parapriu narrativës së ditëve të fundit erdhi më 20 gusht.

Ish-nënkryetari i  OVL-UÇK-së Nasim Haradinaj deklaroi se, në rast të një aktgjykimi dënues, situata mund të “eskalojë shumë keq”.

“Jo Kosova, por krejt Shqiptaria ka me u kallë flakë”, tha ai duke përmendur Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ai shtoi se gjyqtarët “nuk mund të marrin vendime të cilat e trazojnë një vend”. 

Vetë deklarata ishte e fortë dhe ngriti shqetësime për mënyrën se si mund të interpretohej. 

Deklarata e Nasim Haradinajt

Megjithatë, brenda pak ditësh diskutimi filloi të zhvendosej nga mundësia e protestave apo trazirave te pretendimi se një dënim i ish-krerëve të UÇK-së mund të sillte dhunë kundër serbëve.

Më 25 gusht, kryetari i Komisionit parlamentar serb për Mbrojtjen dhe Punët e Brendshme, Milovan Drecun, deklaroi se një zemërim i akumuluar nëse krerët e UÇK-së dënohen mund të drejtohej ndaj serbëve, veçanërisht në veri të Kosovës. 

Tabloidi serb Alo e përktheu këtë frikë në titullin sensacionalist: “Shqiptarët paralajmërojnë të keqen dhe kërcënojnë: Kosova do të digjet nëse Thaçi dënohet!”, duke përdorur edhe terminologji fyese ndaj shqiptarëve. 

Vuçiç: “E di” se Thaçi do të lirohet

Më 28 gusht, presidenti serb Aleksandar Vuçiç shtoi një element tjetër në narrativë: pretendimin se kishte informacion paraprak mbi rezultatin e gjyqit.

Ai deklaroi se kishte informacione, se vendimi ndaj Thaçit do të ishte “kryesisht pozitiv” dhe se një pjesë e dënimit do të mbulohej nga koha që ai kishte kaluar tashmë në paraburgim. 

Sipas tij, një vendim i tillë do të përdorej nga Perëndimi për t’u thënë serbëve se ata ishin “të vetmit fajtorë” për luftërat në ish-Jugosllavi dhe se “gjaku serb nuk është i rëndësishëm”. 

Ai e vendosi çështjen Thaçi në të njëjtin diskutim me vdekjen në burg të Ratko Mladiçit.

Ratko Mladiç

Deklarata e Vuçiçit erdhi një ditë pas vdekjes në Hagë të Ratko Mladiçit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës serbe të Bosnjes, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. 

Vuçiçi i lidhi dy çështjet, duke e paraqitur trajtimin e Mladiçit dhe vendimin e pritshëm ndaj Thaçit si pjesë të së njëjtës tezë për standarde të dyfishta të drejtësisë ndërkombëtare ndaj serbëve. Ky paralelizëm u manifestua në ditët në vazhdim edhe në hapësirën mediatike serbe. 

Mladiçi u varros më 7 shtator në Beograd, me nderime ushtarake si “hero” në një ceremoni me mijëra pjesëmarrës dhe zyrtarë serbë. Ceremonia shkaktoi reagime të forta në Bosnje dhe nga BE për glorifikimin e një personi të dënuar për krime lufte. 

Nga “lirimi” te “po përgatitet dhunë”

Më 3 shtator, referuar “Marshimit për Liri” të paralajmëruar në Prishtinë, Vuçiç tha: “Po paralajmërojnë dhunë dhe po ushtrojnë presion ndaj gjykatës nëse (Thaçi dhe të tjerët) nuk lirohen”.

Presidenti serb tha se ishte “veçanërisht i shqetësuar” për marshimin dhe paralajmëroi se pas 16 shtatorit do të shpjegonte “çfarë kanë bërë kundër Serbisë njerëzit e bashkësisë ndërkombëtare” gjatë 5, 6 apo 7 viteve të fundit dhe “si e kanë zbatuar gjithë atë plan”. 

Një media tjetër e çoi edhe më tej këtë linjë përmes publikimit: “Vuçiç i shqetësuar; ‘Shqiptarët po përgatisin marsh të madh’; ‘Po përgatitet dhunë’”.

Në tekst, pretendimi për një vendim që i jep lirinë Thaçit paraqitej si “kulmi i një plani të menduar thellë nga Perëndimi”. 

Marshi i 12 shtatorit

Sipas versionit të Vuçiçit, strategjia kishte qenë që arrestimi i Thaçit të qetësonte Serbinë, ndërsa Albin Kurti të vinte në pushtet pa barrën e së kaluarës së luftës; më pas, ish-krerët e UÇK-së do të shpalleshin të pafajshëm. 

Por marshi i 12 shtatorit përfundoi pa incidentet që ishin përmendur në paralajmërimet e mëparshme. Paçka se marshimi sipas policisë së Kosovës përfundoi pa incidente, tabloide serbe folën për kaos. 

Qeveria e Kosovës falënderoi pjesëmarrësit për “sjelljen paqësore” dhe “paraqitjen dinjitoze” dhe tha se bashkëpunimi me organet e rendit kishte kontribuar në mbarëvajtjen “e qetë dhe të sigurt” të aktivitetit. 

Paralajmërimet

Ndërkohë me 14 shtator Lista Serbe kërkoi nga KFOR-i dhe EULEX-i të shtonin praninë në zonat me popullsi të përzier dhe veçanërisht në zonat serbe në jug të Ibrit. 

Edhe nga veteranët e UÇK-së erdhi paralajmërimi për “revoltë qytetare”

Më 4 shtator, Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, deklaroi se veteranët nuk do të qëndronin “duarkryq” në rast të një vendimi dënues.

“Do të thërrasim protestë dhe situata mund të eskalojë. Mund të ketë demonstrata dhe revoltë qytetare”, deklaroi ai. 

Mediat serbe: dhunë si në rast dënimi, ashtu edhe në rast pafajësie

Më 8 shtator, media serbe e kosovës, publikoi analizën “Frikë dhe dyshime në rajon para vendimit në Hagë: Çfarë vjen pas 16 shtatorit?”.

Në të argumentohej se protestat dhe incidentet nuk mund të përjashtoheshin. Analiza shkonte më tej, duke paraqitur edhe një skenar në të cilin dhuna ndaj serbëve mund të vazhdonte pavarësisht rezultatit: si “hakmarrje” në rast dënimi, ose për shkak të një ndjenje “triumfalizmi” në rast pafajësie. 

Po atë ditë, Milovan Drecun deklaroi se nëse nuk kishte një “dënim të përshtatshëm” ndaj Thaçit dhe tre të tjerëve, kjo do të përbënte “falje dhe legalizim të krimeve të UÇK-së”.

Ndërsa drejtori i Zyrës serbe për Kosovën, Petar Petkoviç, reagoi ndaj një murali në Prishtinë kushtuar Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit duke deklaruar se “politika e Prishtinës është që kriminelët ndaj serbëve të glorifikohen”. 

Në mediat tabloide serbe si Kurir dhe Alo pati publikime provokuese. Kuris nën etiketën “e frikshme” shkruante: “Para shpalljes së vendimit për Hashim Thaçin, Prishtina intensifikon glorifikimin e UÇK-së”. Kurse Alo ju referohej krerëve të UÇK si “kasapë” në titullin: “Skandal! Për kasapët e UÇK-së është bërë një murale në mes të Prishtinës!” 

Vuçiç ndryshon parashikimin

Më 12 shtator, vetëm katër ditë para aktgjykimit, Vuçiç dha një version tjetër.

Ai tha se gjatë qëndrimit në Paris dhe bisedave me liderë evropianë dhe botërorë kishte marrë “sinjale të ndryshme” dhe se tani ekzistonte mundësia që Thaçi të merrte një dënim të rëndë.

“Para 15 ditësh mora informacion se do të dënohej aq sa të mbulohej paraburgimi”, kujtoi ai, por shtoi se informacionet e reja ishin të ndryshme. 

Çfarë thuhet në Kosovë?

Në Kosovë narrativa dominuese është e kundërt me atë serbe.

Në vend të tezës së një gjykate që do të favorizonte shqiptarët, një pjesë e konsiderueshme e diskursit politik e paraqiti procesin si padrejtësi ndaj UÇK-së dhe luftës çlirimtare të Kosovës.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e cilësoi 16 shtatorin si një datë me rëndësi të krahasueshme me ditën e lirisë dhe të pavarësisë. Ai tha se në Hagë “po gjykohen ushtarët e UÇK-së, jo politikanët” dhe se lufta e UÇK-së kishte qenë “e pastër dhe e drejtë”. 

Në “Marshin për Liri” më 12 shtator, Hamza iu drejtua edhe trupit gjykues: “Mendoni për pasojat para se të merrni vendimin”.

Në vazhdim të fjalimit ai e shpjegoi këtë me ndikimin që, sipas tij, një vendim i padrejtë do të kishte mbi familjet e dëshmorëve, veteranët dhe njerëzit e prekur nga lufta, ndërsa kërkoi pafajësinë e katër të akuzuarve. 

Deklaratat politike

Deklarata e Hamzës mori një tjetër ngjyrim në mediat serbe. Tabloidi Alo e paraqiti atë si një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj gjyqtarëve të Hagës, me titullin ‘Shqiptarët kërcënojnë publikisht gjyqtarët e Hagës! Mendoni për pasojat!’. 

Dy ditë më vonë, Alo shkruante ‘Prishtina kërcënon Hagën për shkak të UÇK-së gjakatare: “Mendoni për pasojat!”’, duke e shkëputur frazën nga shpjegimi që Hamza i kishte dhënë në vazhdim për pasojat politike dhe shoqërore që, sipas tij, do të kishte një vendim i padrejtë.”

Kurse Albin Kurti fillimisht mbajti një qëndrim të rezervuar. Më 8 shtator, i pyetur nëse kishte dijeni për vendimin, ai u përgjigj shkurt: “S’kam asnjë informacion”. 

Por më 13 shtator, gjatë prezantimit të qeverisë së re në Kuvend, Kurti tha se “të gjithë jemi në ankth” për vendimin dhe e cilësoi kërkesën e Prokurorisë si “të padrejtë dhe të pabesueshme”, duke shtuar se “asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në”. 

Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama përdori gjuhë edhe më të drejtpërdrejtë. Më 12 shtator ai e quajti procesin “farsë” dhe shkroi: “Liri për çlirimtarët! Farsa është në ditët e fundit”, duke shprehur bindjen se Thaçi do të triumfonte me “forcën e së vërtetës së tij”. 

Dy narrativa, një gjyq

Debati i javëve të fundit ka prodhuar dy narrativa.

Në Kosovë dhe Shqipëri, procesi është paraqitur shpesh si një gjykim që rrezikon të njollosë UÇK-në dhe historinë e luftës së Kosovës. Termat “çlirimtarë”, “luftë e pastër”, “farsë” dhe “rishkrim i historisë” janë bërë pjesë e kësaj kornize.

Në Serbi, gjyqi është futur në një kuadër tjetër: një sistem ndërkombëtar që, sipas Vuçiçit dhe zyrtarëve të tjerë serb, ka dënuar serbët dhe ka falur krimet e të tjerëve ndaj tyre.

Vendimi për lirimin e Thaçit është paraqitur si provë e këtij “standardi të dyfishtë”, kurse vendimi për dënimin e tij është shoqëruar me paralajmërime se mund të prodhojë zemërim dhe dhunë kundër serbëve.

Artikulli paraprakI gjeneruar ky robot mjekësor që arratiset nga spitali
Artikulli tjetërE pabazë kjo lidhje e vaksinimit kundër Covid-19 me sindromën e POTS
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.