Pretendimi: Edi Rama po planifikon t’u japë shtetësinë shqiptare 100 mijë izraelitëve, me synimin për ta kthyer Shqipërinë në një “Gazë të dytë”.
Verdikti: E pavërtetë
Më 24 gusht 2026, disa media online (link, link, link, link) dhe faqe në rrjetet sociale publikuan lajmin se kryeministri Edi Rama po përgatit një plan për t’u dhënë shtetësinë shqiptare 100 mijë shtetasve izraelitë.

Artikulli i ndarë ngjashëm nga këto media njofton vendimin e qeverisë shqiptare për të pajisur me pasaporta shqiptare izraelitët, si një skenar i organizuar për të shkombëtarizuar vendin. Pretendimi u shpërnda më tej përmes rrjeteve sociale, duke marrë qindra komente dhe reagime nga përdoruesit.

Në këto artikuj nuk paraqitet asnjë dokument apo deklaratë zyrtare që të provojë ekzistencën e një plani të tillë për dhënien e shtetësisë shqiptare 100 mijë izraelitëve.
Pretendimi e lidh këtë ide me një skenar për ta kthyer Shqipërinë në një “Gazë të dytë”, duke krijuar idenë se zanafilla e këtij lajmi mund të jetë një riciklim i shtrembëruar i narrativës së përhapur në janar 2025 për zhvendosjen e banorëve palestinezë të Gazës.
Asokohe qarkulloi në disa media ndërkombëtare lajmi se administrata e presidentit amerikan Donald Trump po negocionte me Shqipërinë për të zhvendosur deri në 100 mijë palestinezë nga Gaza në vendin tonë. Pretendimi u bazua në raportime të mediave izraelite dhe u përhap më pas në rrjetet sociale dhe media të tjera.
Kryeministri Edi Rama e mohoi publikisht lajmin, duke e cilësuar atë si të pavërtetë. Rama deklaroi se Shqipëria nuk ishte kontaktuar nga askush për një kërkesë të tillë dhe se vendi nuk mund të merrte përsipër një përgjegjësi të tillë.
Edhe një verifikim i publikuar nga kolegët izraelitë verifikues të fakteve të Misbar në 29 janar 2025 e klasifikoi pretendimin si të rremë, duke konfirmuar se nuk kishte prova për një marrëveshje të tillë mes Shqipërisë dhe administratës amerikane.
Marrëdhëniet e afërta politike dhe diplomatike mes Shqipërisë dhe Izraelit nuk janë provë për ekzistencën e një plani për dhënien masive të shtetësisë shqiptare.






