Pretendimi: Suedia burgos prindërit që pengojnë fëmijët e tyre të marrin terapi hormonale për ndryshimin e gjinisë
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————————
Një video e shkurtër e shpërndarë në Facebook paraqet një grua që flet në anglisht, ndërsa fjalët e saj përkthehen me titra në shqip. Gruaja në video pretendon se “Suedia i dërgon prindërit në burg nëse ndalojnë fëmijët e tyre të marrin terapi hormonale” duke shtuar ndër të tjera se “askush nuk flet” për këtë çështje.

Videoja është shpërndarë edhe nga profile të tjera shqiptare në Facebook. Një prej tyre e shoqëron me komentin: “…axhenda e ‘Terapisë Gjinore’ ka kohë që trajtohet, ata që e kundërshtojnë merren masa të rrepta nga SHTETI.”
Pretendimi duket se ngatërron rregullat për mbrojtjen e fëmijëve me trajtimin mjekësor të disforisë gjinore. Suedia ka ligjin LVU për kujdesin e detyrueshëm të fëmijëve, i cili mund të zbatohet kur ekziston rrezik serioz për shëndetin ose zhvillimin e një fëmije. Vendimi për marrjen e fëmijës në kujdes merret nga gjykata dhe nuk lidhet në mënyrë specifike me terapinë hormonale apo identitetin gjinor.
Për më tepër, qasja e autoriteteve suedeze ndaj trajtimeve hormonale për të miturit është bërë më kufizuese, jo më detyruese. Udhëzimet e Socialstyrelsen rekomandojnë që bllokuesit e pubertetit dhe trajtimet hormonale për fëmijët dhe adoleshentët me disfori gjinore të përdoren vetëm në rrethana të veçanta dhe jo si trajtim rutinë.
Një tjetër element që bie ndesh me pretendimin e videos është mënyra se si Suedia trajton ndryshimin juridik të gjinisë. Deri në ndryshimin e fundit ligjor, mosha për ndryshimin juridik të gjinisë ishte 18 vjeç. Në prill 2024, Parlamenti suedez miratoi një ligj të ri që e uli këtë moshë në 16 vjeç, i cili hyri në fuqi më 1 korrik 2025. Për personat nën 18 vjeç, kërkesa duhet të bëhet nga kujdestari/prindi dhe kërkohet miratimi i tij. Në asnjë nen të këtij ligji, nuk parashikohet penalizim për prindërit në rast se refuzojnë ndryshimin e gjinisë.
Pra, pretendimi se një prind në Suedi mund të përfundojë në burg sepse kundërshton terapinë hormonale të fëmijës nuk mbështetet nga legjislacioni suedez.
Pretendimi në rrjete sociale vjen pak kohë pasi në Shqipëri u përhap dezinformim lidhur me terapinë hormonale për personat transgjinorë. Faktoje verifikoi më herët se udhëzuesi shqiptar për terapinë hormonale zbatohet vetëm për personat e rritur, ndërsa barnat nuk rimbursohen dhe të miturit përjashtohen nga skema.






