Pretendimi: Në Ballkan janë vendosur antena të kontrollit të motit që janë përgjegjëse për ndryshimet klimatike
Verdikti: E pavërtetë
Barbara Halla
Në rrjetet sociale në gjuhën shqipe po qarkullojnë pretendime se një rrjet antenash, radarësh dhe kullash komunikimi në Ballkan përdoret për të kontrolluar motin, për të shkaktuar përmbytje, thatësira ose valë të të nxehtit. Këto pretendime lidhen shpesh me të ashtuquajturin projektin HAARP dhe me instalime të ndryshme teknologjike në Serbi, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë dhe Shqipëri. Megjithatë, nuk ekzistojnë prova shkencore që mbështesin teorinë se këto struktura janë në gjendje të manipulojnë kushtet atmosferike në shkallë rajonale.

Projekti HAARP, i cili shpesh përmendet në teori konspiracioni, është një program kërkimor i krijuar për studimin e vetive të jonosferës, shtresës së sipërme të atmosferës së Tokës. Shkencëtarët kanë sqaruar vazhdimisht se fuqia e transmetuesve të tillë është shumë e ulët për të ndikuar në sisteme meteorologjike si ciklonet, reshjet apo temperaturat. Faktoje vetë i ka hedhur shpesh poshtë teoritë e konspiracionit si dhe narrativat mashtruese që kanë të bëjnë më HAARP, duke shpjeguar se “puna studimore që kryen HAARP nuk ka asnjë lidhje me kontrollin e motit.
I njëjti postim është qarkulluar fjalë për fjalë nga llogari që shpërndajnë teori të tjera konspiracioni (si ajo sipas të cilës toka është e sheshtë). Pretendimet për stacione sekrete në Barajevë të Serbisë, datojnë nga viti 2012. Në atë kohë, fshatarët e këtij komuniteti pranë Beogradit u kapluan nga paniku pas konspiracionit se një antenë misterioze dhe sekrete fshihej mes tyre. Në realitet, antena “e padukshme” ishte thjesht një legjendë urbane.
Thashetheme të ngjashme qarkullojnë prej kohësh edhe për antenat në malin Petrova Gorë të Kroacisë apo ish-radarët ushtarakë të Bosnjës janë bazuar kryesisht në fotografi të infrastrukturës ekzistuese dhe në spekulime të shpërndara në internet.
Asnjë institucion shkencor apo meteorologjik nuk ka paraqitur prova që këto objekte përdoren për kontroll klimatik. Ndryshimet e papritura të motit në Ballkan shpjegohen nga faktorë natyrorë, përfshirë pozicionin gjeografik të rajonit dhe ndikimin e masave të ndryshme ajrore nga Mesdheu, Europa Qendrore dhe Deti i Zi.
Po ashtu, pretendimet se radarët Doppler ose kullat e telefonisë celulare 5G “djegin” lagështinë në atmosferë apo shpërndajnë retë nuk mbështeten nga asnjë studim shkencor. Radarët meteorologjikë përdoren për të vëzhguar reshjet dhe stuhitë, ndërsa rrjetet celulare transmetojnë sinjale komunikimi me fuqi shumë të kufizuar. Edhe teoria e lidhjes mes këtyre antenave dhe të ashtuquajturave “chemtrails” është hedhur poshtë nga komuniteti shkencor, i cili i identifikon vijat e bardha pas avionëve si gjurmë kondensimi të avullit të ujit në lartësi të mëdha.






