E gjeneruar kjo foto e ministrit izraelit që përqesh aktivistët pro-palestinezë

8

Pretendimi: Kjo foto dëshmon fyerjet që bëri ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben-Gvir ndaj aktivistëve pro-palestinezë

Verdikti: Gjeneruar me AI

Barbara Halla

Në mediat sociale shqiptare po qarkullon një imazh që pretendohet se tregon ministrin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir duke u nxjerrë gjuhën dhe tallur me disa aktivistë pro-palestinezë të arrestuar në fund të majit 2026. Politikani i ekstremit të djathtë u vendos në qendër të kritikave pasi publikoi pamjet e aktivistëve, mes të cilëve edhe një shqiptar, të ndaluar në det në afërsi të Gazës ndërsa detyroheshin dhunshëm të gjunjëzoheshin nga ushtarakët izraelitë. 

Pavarësisht sjelljes jonormale për të një ministër, pamja që pretendohet në këtë postim duket të jetë gjeneruar përmes inteligjencës artificiale. 

Së pari, asnjë media e njohur apo burim i besueshëm informativ nuk ka publikuar ndonjë fotografi të tillë. Kërkimet tregojnë se imazhi qarkullon kryesisht në llogari të ndryshme të mediave sociale, pa një burim të qartë origjine dhe pa asnjë konfirmim nga organizata mediatike profesionale. Por edhe në media sociale, kjo foto është akuzuar si produkt i inteligjencës artificiale. Për këtë arsye, burimi i fotografisë mbetet i paqartë dhe autenticiteti i saj nuk mund të verifikohet.

Për më tepër, vetë imazhi paraqet shenja të dukshme që është gjeneruar me inteligjencë artificiale. Fotografia ka një stil të theksuar karikatural dhe nuk ngjan me një fotografi reale, pavarësisht se postimi në Facebook e paraqet atë si një pamje autentike. Elementet vizuale kanë një pamje tepër të përpunuar që është karakteristike për shumë imazhe të krijuara me mjete AI.

Një nga detajet më të dukshme gjendet te dora e figurës së ministrit izraelit. Dora duket qartësisht si një ilustrim ose vizatim dhe nuk përputhet me pjesët e tjera të imazhit, të cilat janë paraqitur në një stil disi më realist. Ky mospërputhje vizuale është një tregues i zakonshëm i imazheve të gjeneruara ose të manipuluara me inteligjencë artificiale.

Njëkohësisht, disa detaje të tjera, si lidhja me litar e aktivistëve në foto apo edhe veshja e rreckosur e tyre, janë prova të mëtejshme se skena në këtë imazh nuk ka lidhje me situatën reale.

Flotilja e Lirisë është një nismë ndërkombëtare e aktivistëve pro-palestinezë në të gjithë botën që organizon udhëtime detare me qëllim tërheqjen e vëmendjes ndaj situatës humanitare në Gaza dhe sfidimin simbolik të bllokadës izraelite. Për shkak të profilit të lartë publik të kësaj lëvizjeje, ajo është shpesh subjekt i dezinformatave dhe përmbajtjeve të manipuluara që qarkullojnë në internet.