Pretendimi: Ekziston një mur i akullt në Antarktidë, i cili përforcohet nga forcat e errëta me teknologjinë HAARP dhe manipulimin e motit
Verdikti: E paprovuar
——————————————————————-
Rrjetet konspiracioniste kanë nisur të përziejnë teori të ndryshme konspirative për të krijuar hibridë të çuditshëm, të paraqitura si këshilla frymëzuese ndriçimi shpirtëror. Një postim i majit 2026 pretendon se “muri i akullit të Antarktidës,” i cili është “manifestim fizik i sa i ngrirë është kolektivi në frikë,” mbahet nga “forcat e errëta” me anë të teknologjive si “HAARP” dhe “manipulim moti.”

Ky postim përzien teorinë e “murit të akullit në Antarktidë” që rrjedh nga konspiracionistët e Tokës së Sheshtë, me teoritë konspirative që rrethojnë sistemin famëkeq HAARP, një projekt studimor amerikan në Alaskë.
Pretendime të tilla të jashtëzakonshme duhet, detyrimisht, të shoqërohen me prova të jashtëzakonshme. Megjithatë, si zakonisht, konspiracionistët nuk ofrojnë asnjë provë, aq më pak të jashtëzakonshme.
“Muri i akullit”, ose ideja se Antarktida nuk është një kontinent në fund të globit, por në të vërtetë një mur që rrethon Tokën, është një koncept i konspiracionistëve të Tokës së Sheshtë, që besojnë se Toka nuk është një planet i rrumbullakët, por një rrafsh i sheshtë.
Në vitin 2019, Konferenca Ndërkombëtare e Tokës së Sheshtë thuhet se u përpoq të organizonte një lundrim në Antarktidë për të provuar teorinë e tyre. Lundrimi, megjithatë, nuk ndodhi.
Antarktida ndodhet në jug të planetit tonë, dhe rrethohet nga Oqeani Jugor.
Platformat e akullit ekzistojnë në Antarktidë, dhe kërkimet tregojnë se ato luajnë një rol kyç në ruajtjen e temperaturave të oqeanit, gjë që stabilizon klimën.
Megjithatë, këto nuk janë mure që rrethojnë skajin e një Toke të sheshtë.
Gjeologia akullnajore Bethany Davies tha për USAToday se nuk do të ishte e mundur që muri i pretenduar i akullit të ekzistonte pa një masë tokësore të lidhur me të.
Antarktida “është e rrethuar nga platformat lundruese të akullit, të cilat më parë janë ngatërruar nga teoricienët e Tokës së Sheshtë me mure akulli”, tha ajo. “Platformat e akullit duhet të ngjiten në kontinent… Një mur rrethor akulli do të ishte i paqëndrueshëm dhe për shkak të mungesës së rrjedhës së akullnajës, akulli i akullnajave do të hollohej me shpejtësi dhe do të shpërbëhej.”
Sipas Shkollës Klimatike të Columbia University, “nëse Toka do të ishte e sheshtë, do ta dinit, sepse shumë gjëra do të funksiononin ndryshe.” Studiuesit vunë në dukje se, nëse Toka do të ishte e sheshtë, gjëra si graviteti, dielli dhe fushat magnetike nuk do të silleshin siç sillen aktualisht.
Ndërkaq, projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i krijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.
HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.
Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.
Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore duke e etiketuar si shkaktar i përmbytjeve, uraganeve, thatësirave, tërmeteve, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.
Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në një vend në Alaska dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhesh për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”






