Pretendimi: Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit në Hagë njohu juridiksionin rus mbi Krimenë dhe Detin e Azovit
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————————–
Vendimi i një gjykatë ndërkombëtare në Hagë lidhur me Krimenë dhe Detin e Azovit po interpretohet në media dhe rrjete sociale si njohje e juridiksionit rus mbi këto rajone.

Pretendimet pasojnë një vendim të Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit që gjeti se Rusia kishte shkelur disa detyrime të ligjit detar gjatë ndërtimit të urës së Ngushticës së Kerçit që lidh Rusinë kontinentale dhe Krimenë, ndërsa hodhi poshtë pretendimet e Ukrainës se Moska po kërkonte në mënyrë të paligjshme kontroll ekskluziv mbi ngushticën për arsye procedurale.
Vendimi përfundimtar i gjykatës, botuar më 15 qershor, rrjedh nga një çështje e ngritur nga Ukraina sipas Konventës së OKB të vitit 1982 mbi Ligjin e Detit, lidhur me të drejtat e shtetit në Ngushticën e Kerçit, Detin e Azovit dhe ujërat përreth Krimesë.
Gjykata refuzoi shumicën e pretendimeve ukrainase dhe nuk urdhëroi masa që do t’i kërkonin Rusisë të hiqte dorë nga kontrolli mbi zonat detare përreth Krimesë, Ngushticës së Kerçit dhe Detit Azov. Ky rrëzim i pretendimit ukrainas, ka shërbyer për narrativën ruse për ta interpretuar si një njohje të aneksimit të Krimesë prej saj.
Megjithatë, vendimi i gjykatës nuk e ndryshon statusin ligjor ndërkombëtar të Krimesë sepse gjykata nuk vendosi për sovranitetin mbi gadishullin, duke u kufizuar vetëm në fushëveprimin e Konventës së OKB mbi të Drejtat e Detit.
Çështja kishte të bënte me të drejtat detare në Detin e Zi, Detin Azov dhe Ngushticën e Kerçit, si lundrimi, peshkimi, resurset e shtratit të detit, detyrimet mjedisore. Kujt i përket Krimea nuk ishte nën diskutim.
Një panel arbitrazhi i ngritur sipas konventës së Ligjit të Detit nuk ka autoritet për të vendosur për çështje të sovranitetit tokësor. Vetë Rusia argumentoi që në fillim se Ukraina po përpiqej ta fuste fshehurazi çështjen e Krimesë në një forum detar, dhe në vitin 2020 gjykata e pranoi pjesërisht këtë kundërshtim, duke i kërkuar Kievit të paraqiste përsëri pretendimet e saj pa pjesët që vareshin nga një vendim mbi sovranitetin.
Shumë nga pretendimet e Ukrainës u rrëzuan pikërisht sepse gjykata e trajtoi Detin e Azovit dhe Ngushticën e Kerçit si ujëra të brendshme të të dy shteteve, Rusisë dhe Ukrainës.
Sipas ligjit ndërkombëtar, Krimea njihet gjerësisht si pjesë e Ukrainës. Rusia e aneksoi gadishullin në vitin 2014, një veprim që mbetet gjerësisht i panjohur ndërkombëtarisht, dhe Ukraina vazhdon ta konsiderojë Krimenë si territor të pushtuar.






