Pretendimi: Kullat celulare që tregohen në këtë video janë një sistem armësh i projektuar për të vrarë njerëz me armë të padukshme
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————————————-
Në rrjetet konspiracioniste vijon të qarkullojë pretendimi se kullat celulare 5G janë pjesë e një sistemi armësh projektuar për të vrarë njerëz me armë të padukshme.

Në versionin më të fundit, ky pretendim shoqërohet me një video në gjuhën e angleze ku një burrë dëgjohet të pretendojë se nëse jeni vaksinuar, kulla 5G lidhet drejtpërdrejt me nanoteknologjinë në trupin tuaj. Sipas tij, kjo provohet nga “një patentë e Universitetit Rockefeller.”
Si zakonisht, për të mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm nuk ofrohet asnjë provë, burim apo referencë.
Në fakt ky pretendim është i përbërë nga disa pretendime që Faktoje i ka përgënjeshtruar më parë.
Si fillim kemi pretendimin e jashtëzakoshëm se nëse jeni vaksinuar keni nanoteknologji në gjak.
Siç Faktoje ka shpjeguar më parë, vendet në mbarë botën kanë sisteme të mbikëqyrjes së sigurisë së vaksinave që mbulojnë miliarda njerëz dhe do të sinjalizonin nëse diçka si “nanorobotët” po gjeheshin tek njerëzit. Nuk ka patur asnjë shqetësim sigurie në lidhje me ‘nanobotët’ në vaksina. Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe agjenci homologe në vende të tjera nuk kanë përcaktuar se të ashtuquajturit ‘nanobotë’ gjenden ose tek njerëzit ose tek vaksinat mRNA. Kontrolli i cilësisë, kriteret e dokumentacionit dhe kriteret e vlerësimit të pavarur laboratorik të FDA janë më të rreptat në botë.
Ndërkaq, patenta e Universitetit Rockfeller, ka të bëjë me “përbërjet e nanopjesëzave të ferritinës dhe metodat për të moduluar aktivitetin qelizor.” Në dokumentet bashkëngjitur patentës nuk përmendet fare vaksina anti-Covid apo vaksinimi në përgjithësi.
5G është një brez i ri i shërbimit të telefonisë celulare. Antenat dërgojnë dhe marrin fusha elektromagnetike me radiofrekuencë (RF EMF). 5G përdor “teknologjinë e formimit të rrezeve”, e cila lejon që fushat elektromagnetike me radiofrekuencë të shkojnë direkt aty ku duhet.
Fusha elektromagnetike (EMF) e gjeneruar nga antenat e telekomunikacionit nuk është jonizuese. Kjo do të thotë se nuk ka ndikim negativ në trupin e njeriut, nuk ndërhyn në strukturën qelizore, nuk e modifikon atë dhe nuk ndikon në funksionet e saj.
Komisioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen nga Rrezatimi Jo-Jonizues (ICNIRP), pas 7 vitesh kërkimesh, publikoi udhëzimet e vitit 2020 mbi kufizimin e ekspozimit ndaj fushave elektromagnetike. Ato përfshijnë informacion rreth 5G.
Komisioni thotë se efekti kryesor që fushat elektromagnetike me radiofrekuencë kanë në trupin e njeriut është rritja e temperaturës së indeve të ekspozuara. Trupi mund të përballojë rritje të vogla të temperaturës së trupit, si përmes ushtrimeve fizike, por ekspozimi ndaj radiofrekuencës dhe rritja e temperaturës mund të jenë të rrezikshme mbi një prag të caktuar.
Eric van Rongen, kryetar i ICNIRP, tha se nuk ka prova që fushat elektromagnetike shkaktojnë efekte shëndetësore si kanceri, elektro-mbindjeshmëria, infertiliteti ose ndonjë gjë tjetër. Dy efektet e vetme shëndetësore të njohura janë stimulimi nervor deri në 10 MHz dhe ngrohja nga 100 kHz.
Marvin C. Ziskin, Profesor Emeritus i Radiologjisë dhe Fizikës Mjekësore, tha se nuk ka bazë për të pritur që 5G do të shkaktojë probleme negative shëndetësore, me kusht që të respektohen kufijtë e ekspozimit.






