Pretendimi: Kjo foto e një tufe ujqërish është një leksion për lidershipin në shoqërinë njerëzore
Verdikti: E pavërtetë
Barbara Halla
Në mediat sociale shqiptare po qarkullon një imazh që pretendon se shpjegon mënyrën sesi udhëtojnë ujqërit në tufë. Duke argumentuar se ujqërit më të motçëm dhe të sëmurë prijnë tufën për të përcaktuar hapin e antarëve të saj, kjo sjellje sillet si një leksion udhëheqjeje dhe refleksioni mbi mënyrën si duhet organizuar shoqëria njerëzore.

Fotoja që përdoret në këto postime është e vërtetë dhe vjen nga një dokumentar i BBC-së. Por shpjegimi që jepet për këtë imazh nuk bazohet në realitet, edhe pse pretendimet që janë shpërndarë rishtazi në shqip qarkullojnë prej vitesh në gjuhë të ndryshme.
Ndryshe nga çfarë pretendon shpjegimi i shpërndarë në Facebook, kjo tufë ujqërish nuk e ka udhëheqësin në fund te grupit por në fillimin e tij. Pra tre ujqërit e parë nuk janë më të vjetrit apo të sëmurët.
Imazhi, i marrë nga fotografi Chadden Hunter në vitin 2011, përmban një shpjegim të saktë mbi dinamikat mes ujqërve në këtë foto.

“Tufa e ujqërve, e udhëhequr nga një ujk femër alfa, udhëton një nga një nëpër borën e thellë për të kursyer energji. Madhësia e tufës është një shenjë se sa e pasur është baza e tyre e presë gjatë dimrit, kur bizonët janë më të kufizuar nga ushqimi i dobët dhe bora e thellë.”
Megjithatë, siç e shpjegon dhe një verifikim i kryer nga Politifact, termi “ujk alfa” nuk pranohet nga të gjithë shkencëtarët për të përshkruar liderin e një tufe. Politifact citon ekspertin L. David Mech sipas të cilit ujku (qoftë femër apo mashkull) që identifikohet si “alfa” zakonisht është një nga prindërit e tufës që mund të përbëhet nga ujqër më të vegjël. Por ky ujk nuk ka funksionin e një lideri siç e kuptojmë në botën e njerëzve.
Pra, megjithëse fotoja vetë është e vërtetë, shpjegimi që jepet për natyrën dhe organizimi e tufës se ujqërve është i pasaktë dhe bazohet vetëm në spekulime dhe jo në hulumtime të sakta mbi natyrën dhe sjelljen e këtyre kafshëve të egra.






