Pretendimi: Një patentë konfirmon se tani qelizat tuaja mund të kontrollohen duke përdorur vaksinat kundër Covid
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————————————-
Në rrjetet sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi i jashtëzakonshëm se një patentë konfirmon se qelizat e njerëzve mund të kontrollohen duke përdorur vaksinat anti-Covid.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm nuk ofrohet asnjë provë, burim apo referencë.
Asnjë detaj identifikues nuk jepet për patentën në fjalë, si numri i identifikimit, ku është depozituar, kur dhe nga kush. I vetmi detaj që mund të përdoret për të identifikuar këtë patentë jepet në fjalinë e dytë ku pretendohet se “patenta diskuton aftësinë për të moduluar dhe drejtuar nga distanca aktivitetet qelizore duke përdorur Përbërjet e Nanopjesëzave të Ferritinës.”
Duke përdorur fjalë kyçe, Faktoje gjeti një patentë dhënë shpikësve Jeffrey Friedman dhe Sarah Stanley në ShBA në 2020 i përshtatet këtij përshkrimi. Studiuesit janë pjesë e Universitetit Rockefeller dhe e propozuan atë si një platformë për trajtimin e sëmundjeve të lidhura me mangësitë e proteinave.
Patenta numër US20180353605 ka të bëjë me “përbërjet e nanopjesëzave të ferritinës dhe metodat për të moduluar aktivitetin qelizor.”
Megjithatë, në dokumentet bashkëngjitur patentës nuk përmendet fare vaksina anti-Covid apo vaksinimi në përgjithësi.
Sipas abstraktit të patentës, shpikja “ofron metoda dhe përbërje për kontrollin në distancë të funksionit qelizor bazuar në përdorimin e valëve të radiofrekuencës për të ngacmuar nanopjesëzat e synuara për lloje specifike qelizash.”
Kjo është një teknikë mjekësore ku shkencëtarët përdorin grimca të vogla që mund të vendosen pranë qelizave specifike në trup. Pastaj ata përdorin valë radiofrekuence, të ngjashme me ato që përdoren tashmë në imazherinë mjekësore, për të aktivizuar ato grimca. Ky aktivizim mund të shkaktojë një përgjigje shumë të vogël dhe të lokalizuar në ato qeliza specifike si aktivizimi i një proteine ose ndihma në trajtimin e një sëmundjeje.
Në asnjë prej parashikimeve të studiesve nuk bëhet fjalë për ndonjë kontroll të mendjes nëpërmjet kësaj teknologjie ashtu siç pretendohet në postimet në rrjet.






