Një manipulim teoria e organit të fshehur që kupton manipulimin

22

Pretendimi: Trupi i njeriut ka një organ të 80-të që kupton manipulimin, por ai është i mbajtur i fshehtë që në vitin 1953 kur u zbulua

Pretendimi: E paprovuar

——————————————————————–

Në një video që ka marrë 6 mijë pëlqime në Facebook, natyropati Altin Joka pretendon se, ndryshe nga ç’mësohet nga mjekësia dhe shkenca, trupi i njeriut ka një organ të 80-të, i cili kupton manipulimin. Megjithatë, pretendon Joka, ky organ magjik është mbajtur sekret që nga zbulimi i tij në 1953.

Megjithatë, për të mbështetur këto pretendime të jashtëzakonshme, natyropati nuk ofron ndonjë provë, burim, apo referencë. Madje ai as nuk jep emrin e këtij organi të mrekullueshëm.

Duke kërkuar me fjalë kyçe në rrjet, Faktoje gjeti se kjo narrativë mistike e organit të fshehur qarkullon të paktën që nga fillimi i majit 2026 në gjuhën angleze, në formën e një postimi që është shpërndarë duke u kopjuar fjalë për fjalë nëpër platformandryshme.

Pretendimet në anglisht e quajnë këtë organ mistik “trupi nexus.” Një kërkim në literaturën shkencore me Google Scholar nuk jep ndonjë artikull apo studim që përmban këtë emër apo përputhet me përshkrimin e mësipërm.

Nuk ka prova që një ekip ushtarak i Walter Reed zbuloi dhe klasifikoi një organ të fshehur në vitin 1953. Në literaturën mjekësore nuk ekziston asnjë studim 7-vjeçar që përfshiu 4 mijë ushtarë.

Versioni më i hershëm i postimit në anglisht duket se është postuar në një Twitter më 14 maj 2026 nga llogaria Whiplash347

Një hetim i vitit 2022 nga Logically, një grup shkencëtarësh të të dhënave dhe programuesish, zbuloi se Whiplash347 dhe një tjetër influencer konspiracionist kishin bindur mijëra ndjekës të tyre të investonin në kriptomonedha mashtruese duke bërë që ndjekësit e tyre të humbisnin së bashku miliona dollarë. Njëri prej tyre u vetëvra pasi humbi më shumë se 100 mijë dollarë. Mesa duket, fatkeqësisht, ‘organi’ i tyre nuk e ka ndjerë manipulimin.

Disa shkencëtarë kanë argumentuar se trupi i njeriut në fakt ka 80 organe, duke përfshirë si organin e 80-të jo ndonjë detektor gënjeshtrash mes stomakut dhe shtyllës kurrizore, por intersticiumin, një rrjet kanalesh që rrjedhin rreth dhe midis qelizave dhe indeve tona.

Intersticiumi u zbulua vetëm në 10 vitet e fundit dhe konsiston në kanale të mbushura me lëngje që duket se kanë role të shumëfishta në trupin tonë, duke përfshirë mbështjelljen dhe mbështetjen e indeve tona, transportimin e oksigjenit, lëndëve ushqyese dhe produkteve të mbeturinave, dhe duke luajtur një rol në sistemin tonë imunitar.