KLEVIS PALOKA
“260 mijë vende të reja pune janë hapur në mandatin e parë të qeverisë Rama”. Kështu deklaroi Ministri i Financës dhe Ekonomisë , Arben Ahmetaj në një mbledhje të Komisionit të Ekonomisë me 6 dhjetor 2017.
Por nga kërkimet e “FAKTOJE”, kjo deklaratë rezulton të jetë gënjeshtër pasi sipas Institutit të Statistikave ( INSTAT), për katër vitet e mandatit të qeverisë “ Rama 1” janë hapur 209 mijë vende të reja pune pasi në tremujorin e tretë të 2013-ës ishin 995.553 vende pune, ndërsa në tremujorin e tretë të 2017-ës, 1.205.365 vende pune. Ndërsa vitet gjatë të cilave janë hapur më shumë vende pune janë viti 2014 dhe 2016, dhe respektivisht në vitin 2014 janë hapur rreth 73 mijë vende të reja pune, ndërsa në vitin 2016 janë hapur rreth 90 mije vende të reja pune.
Referuar përgjigjes së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dërguar për “FAKTOJE”, konstatohet se nga 31 gushti 2013 deri në 31 gusht 2017, janë hapur 197 mijë vende të reja, ndërsa Ministri Ahmetaj deklaroi se janë hapur 260 mijë vende të reja pune duke u bazuar tek borderotë shtetërore, por kjo deklaratë nuk është plotësisht e vërtetë pasi nëse bëhet një krahasim midis deklaratës së Ahmetajt dhe të dhënave të Ministrisë së Financave, vihet re një diferencë jo e vogël shifrash, 63 mijë vende të reja pune.
Në lidhje me këtë çështje reagoi edhe Partia Demokratike e cila nëpërmjet deputetes Jorida Tabaku, në një deklaratë për shtyp me datën 5 dhjetor 2017, deklaroi se në mandatin e parë të qeverisë Rama janë hapur rreth 30 mijë vende të reja pune duke u bazuar (sipas saj) tek të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT). “ FAKTOJE”, kontaktoi me deputeten Tabaku për të sqaruar diferencën e madhe të shifrave pothuajse për të njëjtën periudhë kohore dhe shumë të ndryshme nga të dhënat e INSTAT-it, dhe deputetja e Partisë Demokratike na bëri të mundur njohjen me të dhënat e mëposhtme.
Nga të dhënat vihet re se llogaritja është bërë për tremujorin e dytë të 2012 me tremujorin e dytë të 2017-ës, jo për periudhën kur Partia Socialiste ka marrë pushtetin në shtator të 2013-s.
Nga sa shpjegohet më sipër, rezulton se deklaratat e palëve politike lidhur me shifrat për vendet e reja të punës, nuk përkojnë me njëra-tjetrën edhe pse subjektet politike i referehen të njëjtit burim të të dhënave. Ndërkohë as të dhënat e ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, nuk përputhen me të dhënat e INSTAT. Verifikimi i deklaratave nga FAKTOJE, për këtë çështje, na bën të besojmë se deklarata e dhënë nga ministri Ahmetaj, është GËNJESHTËR.