.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookZvicra nuk planifikon dënime me burg për ngrohjen këtë dimër

Zvicra nuk planifikon dënime me burg për ngrohjen këtë dimër

Lajmi sensacionalist që ka qarkulluar së fundmi nëpër portale se Zvicra do të dënojë me burg qytetarët që ngrohin dhomën mbi 19 gradë Celsius është, siç mund të imagjinohet, i pavërtetë. “Faktoje” verifikoi pavërtetësinë e tij duke iu drejtuar burimeve origjinale, të cilat janë keqkuptuar në masat e propozuara si nga portalet dhe politikanët shqiptarë.

Patris Pustina

Zvicra ashpërson masat: Tre vjet burg kush ngroh dhomën më shumë se 19 gradë Celsius” deklaron portali JOQ Albania në një titull të dizenjuar për të tërhequr klikime. E ndërsa pritshmëritë e transparencës dhe verifikimit të fakteve për këtë portal janë përgjithësisht të ulëta, versione të këtij titulli sensacionalist janë përsëritur dhe nga media të tjera, televizione kombëtare, dhe media ndërkombëtare

Megjithëse titujt e mësipërm bëjnë një pretendim serioz, në përbërje të tyre nuk i referohen asnjëherë masës së dënimit me burg, specifikisht. 

Të gjitha i referohen një artikulli të gazetës Blick, i cili pretendon, pa dhënë referenca konkrete, se “ata që e ngrohin shumë shtëpinë mund të rrezikojnë burgun”. Gazeta më tej i referohet fjalës së zëdhënësit të Departamentit të Ekonomisë dhe Kërkimit në Zvicër Markus Sporndli për të shpjeguar masat që mund të merren sa i përket gjobave. Soprndli nuk flet në asnjë rresht për burgun. Por, përfshirja e tij në artikull përdoret për t’i dhënë besueshmëri shkrimit, përfshirë dhe çfarëdo pretendimi të paprovuar që mund të bëjë autori brenda tij.

“Faktoje” iu drejtua vetë zotit Sporndli duke i dërguar një email dhe përgjigjia e tij e shpejtë konfirmoi se artikulli i Blick ishte keqkuptuar apo keqinterpretuar nga një pjesë e publikut. Ai shpjegoi se, për momentin, Zvicra nuk ka mungesë elektriciteti apo gazi, si rrjedhojë, nuk ka asnjë kufizim të vendosur nga qeveria, shkelja e të cilit mund të çonte në masa ndëshkuese.

Për më tepër, Sporndli tha se “Akti Kombëtar i Furnizimit Ekonomik (NESA), i cili do të shërbente si bazë për çdo kufizim apo ndalim, nuk parashikon gjoba administrative në formën e tij aktuale. Për rrjedhojë, ndjekja e shkeljeve sipas NESA do të ishte më e ndërlikuar; megjithatë, çdo gjobë e mundshme nuk do të ishte më e lartë se një gjobë normale administrative.” Pra, jo vetëm që Zvicra nuk po planifikon diçka ekstreme si të burgosë qytetarët e saj nëse ngrohin dhomën mbi 19 gradë, por ky shtet do ta kishte të vështirë të ushtronte edhe masa si gjoba nën legjislacionin aktual. 

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img