.

.

BallinaFaktometerPa kategoriZv/ministrja e Bujqësisë siguron konsumatorët për cilësinë e produkteve ushqimore

Zv/ministrja e Bujqësisë siguron konsumatorët për cilësinë e produkteve ushqimore

ANXHELA RUÇI

Siguria e produkteve ushqimore vazhdon të mbetet një nga shqetësimet kryesore të konsumatorëve, ndërsa shumë shpesh në media raportohet për produkte mishi të infektuara apo qumësht dhe nënprodukte të tij jashtë standardeve.

Por zv.ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Ermira Gjeçi në një intervistë në rubrikën “Opinion” në News24 pak kohë më parë, tha se nuk duhet të shqetësohemi pasi po kryhen të gjitha procedurat për kontrollin e ushqimeve të shportës dhe jo vetëm, duke shtuar se: “Kemi pasur raste të dërguara  në Prokurori të cilësuara si raste të rënda që kërkojnë ndërhyrje ose penalitet të një niveli më të lartë.”,- shtoi më tej Gjeçi.

“Faktoje” u interesua pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit  nëse ka kallëzime penale të dërguara në Prokurori dhe cilat janë këto raste me të cilat nuk mund të mjaftohet vetëm me gjobë por duhen ndërmarë sanksione më të rënda.

Në vlerësim sipas tyre për dërgimin në Prokurori mbahet parasysh: “Natyra e shkeljes, rrethanat e kryerjes , pasojat, interesi dhe mbrojtja e konsumatorit nga produktet ushqimore që prodhohen, tregtohen, ruhen, shpërndahen në shkelje të dispozitave ligjore”.  Për shkelje të këtyre kushteve mësuam se AKU ka dërguar për kallëzim penal 36 subjekte që tregtojnë produkte ushqimore.

Por a është kjo e mjaftueshme?

Nga janari i vitit 2018 deri në muajin korrik, AKU ka bllokuar dhe kthyer mbrapsht më shumë se 200 ton mish të infektuar me salmonelë, origjina e së cilës ishte Brazili. Ndërsa më parë është denoncuar se qumështi ka përmbajtje të lartë aflatoksine e cila mund të shkaktojë kancer.

Ashtu si zv. ministja Gjeçi, edhe Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimir Rural Niko Peleshi ka deklaruar se subjektet i janë nënshtruar vetëkontrollit dhe nga inspektimet në terren 11 subjekte janë mbyllur, deri në plotësimin e standardeve, edhe kjo, shifër që konfirmohet nga AKU. Edhe në këtë rast vlen të shtrohet pyetja nëse janë të mjaftueshme masat që Ministria e Bujqësisë ka marrë për subjektet që tregtojnë produkte ushqimore?

Një nga specialistët për sigurinë ushqimore Enriko Cenko pyetur nga “Faktoje”, tha se përmirësimi i cilësisë së produkteve ushqimore varet nga vetë subjektet të cilat duhet të plotësojnë  dhe respektojnë standardet.

Një tjetër shqetësim që Cenko ngriti është mungesa e vetëkontrollit të subjekteve dhe pajisja e tyre me çertifikata, të cilat i kanë të detyruara me ligj.

“Ne vend ka rreth 25 mijë subjekte agroushqimore dhe rreth 300 mijë ferma. Nga këto ferma vetëm rreth 30 mijë kanë numër identifikimi. Vlerësohet se vetëm 1% e këtyre subjekteve bëjnë vetëkontroll. Shumë pak subjekte janë të certifikuara me HACCP, kur ligji për ushqimin e ka me detyrim.”

Duke qenë se shifrat e dhëna nga autoritetet për sa u tha më lart, kanë përputhshmëri, por faktet në terren flasin ndryshe përsa kohë ende sekuestrohen sasi të konsiderueshme produktesh ushqimore, lajmin do ta vlerësojmë PA KATEGORI. Gjithësesi inkurajojmë autoritetet përkatëse të vijojnë punën në këtë drejtim.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img