Një video që tregon disa mjete ushtarake duke u djegur po qarkullon online si të ishte e lidhur me konfliktin mes Hamas dhe Izraelit. Verifikimi i Faktoje zbuloi se video tregon në të vërtetë djegien e një baze ushtarake në Lohatla, Afrikë të Jugut.

—————————————–

Video e djegies së disa automjeteve ushtarake po shpërndahet online me pretendimin se ajo tregon djegien e mjeteve ushtarake izraelite gjatë konfliktit mes Izraelit dhe Hamas. Video që ka marrë mijëra shikime shoqërohet me komente të shumta kundër Izraelit.  

Natyrshëm që pamje të tilla të shkatërrimit në masë të mjeteve ushtarake dhe detaje të tjera ngjallin dyshim nëse pamjet i përkasin Lindjes së Mesme. 

 Për të verifikuar vërtetësinë e këtij pretendimi, Faktoje vendosi të kontrollojë profilin në TikTok që duket në cepin e poshtëm djathtas së videos, @fritzheinerigh.

Duket se video e mësipërme është postuar fillimisht në TikTok në 7 tetor 2023, pikërisht në ditën e sulmit terrorist të Hamas në Izrael. 

Ç’është më interesante është se ajo nuk përmendte Gazën apo Izraelin. Në fakt, ajo shoqerohej me përshkrimin: “Lohatla po digjet… shumë e trishtë!”

Një kërkim i thjeshtë në Google zbuloi se pamjet në video me gjasa tregojnë djegien e bazës ushtarake në Lohatla, në Afrikën e Jugut. 

Mediat afrikanojugore raportojnë se më 6 tetor një zjarr ra në këtë bazë ushtarake duke lënë të vdekur 6 ushtarë.

Kështu, video e mësipërme nuk ka të bëjë aspak me konfliktin Izrael-Hamas.