Zjarri masiv në parkimin e aeroportit Luton nuk nisi nga makina elektrike 

589

Përdoruesit e rrjeteve sociale po pretendojnë se zjarri masiv në vendparkimin e aeroportit Luton të Londrës u shkaktua nga makinat elektrike. Por verifikimet e deritanishme tregojnë se shkak për nisjen e zjarrit të fuqishëm është bërë një makinë me naftë. 

‘Sot aeroporti Londrës anulloi fluturimet se ra zjarr nga makinat elektrike’, shkruan një përdorues i rrjetit social facebook, teksa ndan videon me pamje nga zjarri masiv që përfshiu vendparkimin e aeroportit Luton në Londër. Makinat elektrike janë vendosur edhe në këtë rast në qendër të disa kritikëve si shkaktare të aksidenteve apo tragjedive të ndryshme rrugore, duke vënë në dyshim tranzicionin e synuar nga karburantet fosile drejt mjeteve miqësore me mjedisin.

“Faktoje” vendosi të verifikojë më tej këtë pretendim mbi shkakun e zjarrit në Londër. Hetimet vijojnë, por nga verifikimet paraprake rezulton se shkak për zjarrin e fuqishëm në parkingun e aeroportit Luton është bërë një makinë me naftë dhe jo makinë elektrike. 

Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Bedfordshire zbuloi të mërkurën në mëngjes se shkaku i zjarrit ishte një makinë me naftë.

“Ne nuk besojmë se ishte një makinë elektrike,” tha Andrew Hopkinson, shefi i zjarrfikësve për Shërbimin e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Bedfordshire.

“Besohet se është me naftë, në këtë fazë të gjitha i nënshtrohen verifikimit. Dhe pastaj ai zjarr është përhapur me shpejtësi të qindra mjete të tjera.”

Mediat në Britani raportojnë se hetuesit besojnë se zjarri filloi kur një makinë me naftë, që mendohet të jetë një Range Rover, pësoi një defekt elektrik ose rrjedhje të karburantit. Daily mail ka ndarë dhë një video të makinës tip Range Rover që dyshohet se shkaktoi zjarrin masiv që dëmtoi 1,500 automjete nga 1,900 që ishin të parkuara në aeroport. 

Burimi: Daily Mail

London Luton është aeroporti i pestë më i madh në Mbretërinë e Bashkuar pas Heathroë, Gatwick, Manchester dhe Stansted, duke numëruar më shumë se 13 milionë pasagjerë në 2022. Zjarri mendohet se u ndihmua nga një sërë rrethanash, që nisnin nga mungesa e fikësve automatikë të zjarrit në brendësi të parkimit dhe hapësira e kufizuar për të lejuar ndërhyrjen e shpejtë të zjarrfikësve.