BallinaFaktometerE PavërtetëE pavërtetë deklarata e Veliajt se në Tiranë u hapën 10 shkolla të reja këtë vit shkollor

E pavërtetë deklarata e Veliajt se në Tiranë u hapën 10 shkolla të reja këtë vit shkollor

Këtë vit të ri shkollor Tiranës iu shtuan vetëm dy shkolla të reja dhe jo 10 siç deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Këtë e konfirmuan zyrtarisht për Faktoje, Ministria e Arsimit dhe vetë Bashkia e Tiranës. Verifikimi i Faktojes tregon se si deklaratat për shkollat e reja dhe dhënien fund të mësimit me turne përdoren për qëllime propagandistike.

Në muajin gusht të këtij viti, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se Tiranës i shtohen 10 shkolla të reja për vitin shkollor 2023-2024.

Edhe një javë para nisjes së vitit të ri shkollor, Veliaj foli sërish për këtë paketë të re objektesh arsimore.

“Hapet një paketë tjetër prej 10 shkollash të reja mbi ato 40 që përfunduam në semestrin e kaluar. Janë 10 shkolla, ku spikasin disa nga gjimnazet ikonë të Tiranës,’ Besnik Sykja’ dhe ‘Partizani”-deklaroi Veliaj në një intervistë për Top Channel më 4 shtator.

Kjo deklaratë u përsërit ditën e parë të nisjes së vitit shkollor, nga Veliaj gjatë përurimit të shkollë 9 vjeçare ‘Lek Gjiknuri’.

“Këtë herë hapen 10 shkolla të reja, edhe semestrin e dytë do hapen edhe 10 të tjera. Pastaj do i themi lamtumirë mësimit me dy turne në Tiranë”, theksoi Veliaj më 13 shtator.

Por, sa shkolla të reja iu shtuan Tiranës gjatë vitit shkollor 2023-2024 dhe cilat janë ato?

Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit e Sportit dhe Bashkisë së Tiranës.

Kërkesa për informacion dërguar MAS dhe Bashkisë së Tiranës

Në përgjigjen zyrtare për Faktoje, MAS bën të ditur se gjatë këtij viti ka përfunduar vetëm ndërtimi i shkollës ‘Lek Gjiknuri’.

“Pas përfundimit dhe fillimit të aktivitetit për një sërë shkollash të reja gjatë vitit 2022 informojmë se gjatë këtij viti ka përfunduar edhe ndërtimi i shkollës ‘Lek Gjiknuri’.

Shkolla ‘Lek Gjiknuri’ pritet të hapi dyert për nxënësit për vitin e ri shkollor 2023 – 2024”, sqaron Ministria e Arsimit për Faktoje.

Përgjigjia e MAS, 14 shtator 2023

Ndërsa, Bashkia e Tiranës thekson se janë 4 shkolla të reja të ndërtuara gjatë këtij viti dhe deri më tani vetëm njëra prej tyre ka hapur dyert për të pritur nxënësit.

“Numri i shkollave të reja të ndërtuara në Tiranë gjatë këtij viti (2023) dhe janë ndjekur në cilësinë e menaxhuesit të kontratës nga Drejtoria e Investimeve të Punëve Publike është 4 (katër).

Për vitin shkollor 2023 – 2024 do të hapin dyert për të mirëpritur nxënësit këto shkolla:

Gjimnazi ’Partizani’ me vendndodhje te Njësia Administrative nr. 8 , rruga ’Sinan Tafaj’.

Gjimnazi ’Besnik Sykja’ me vendndodhje te Njësia Administrative nr. 5, rruga ’Kristo Floqi’.

Shkolla 9- Vjecare ’Lek Gjiknuri’ me vendndodhje te Njësia Administrative nr. 8,  rruga ’Besim Daja’.

Shkolla e Mesme e Bashkuar Vaqarr me vendndodhje në Vaqarr”-thuhet në përgjigjien e Bashkisë Tiranë që mban datë 22 shtator 2023.  

Përgjigjia e Bashkisë Tiranë, 22 shtator 2023

Këtë të hënë, 9 tetor, u përurua edhe gjimnazi “Partizani”. Ndryshe nga deklaratat e mëparshme, kryebashkiaku Veliaj nuk e përmendi më “hapjen e 10 shkollve të reja”.

I pyetur nga Faktoje në lidhje me objektet e reja arsimore, Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare sqaron:

“Kemi të bëjmë me një sjellje recidiviste të mosmbajtjes së premtimeve, me një fshehje të realitetit të shkollave me dy turne dhe mosplotësimit të kapaciteteve në shkolla, duke prodhuar lajme të pavërteta në mediat që informojnë në masë qytetarët”.

Kujdes nga propaganda me togfjalshin ‘Shkolla të reja’!

Në maj të këtij viti, Faktoje publikoi artikullin fact checking në lidhje me një deklaratë para zgjedhjeve vendore të 14 majit, ku kryebashkiaku Veliaj konfirmonte se gjatë 2 mandateve të tij në krye të bashkisë ishin ndërtuar 40 shkolla të reja. Verifikimi tregoi se këtu përfshiheshin 26 shkolla ekzistuese të cilat ishin rikonstruktuar apo rindërtuar pas tërmetit të vitit 2019. Shkollat ekzistuese të rindërtuara mund të ofrojnë kushte më të mira, por ato nuk shtojnë kapacitetin e nxënësve që do t’i jepte zgjidhje mësimit me turne. Mirëpo në deklaratat, sidomos gjatë fushatave zgjedhore nuk qartësohet ky term duke i shërbyer propagandës zgjedhore.

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar vendosëm që deklaratën e kryebashkiakut Veliaj se gjatë këtij viti shkollor janë ndërtuar 10 shkolla të reja në Tiranë, do ta kategorizojmë Të Pavërtetë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img