.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookZelenskit dhe Hitleri u vlerësuan nga TIME për kritere krejt të ndryshme

Zelenskit dhe Hitleri u vlerësuan nga TIME për kritere krejt të ndryshme

Pasi revista amerikane Time shpalli presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky “Njeriun e Vitit” 2022, disa portale e kanë krahasuar këtë ngjarje me shpalljen e diktatorit gjerman Adolf Hitler për të sajuar një paralelizëm mes të dyve. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se këto krahasime nuk përfshijnë kontekstin e plotë të titullit “Njeriu i Vitit”.

——————————-

Portali mast.al pretendon se “Zelenski u shpall “Personi i Vitit” nga revista TIME duke ndjekur hapat e Hitlerit në vitin 1938,” në një artikull që kryesohet nga një foto e modifikuar e kopertinës së revistës Time, ku presidentit ukrainas i është vendosur në ballë simboli i përdorur nga nazistët, swastika. Kjo e vendos këtë artikull brenda një prej narrativave më të përhapura nga propaganda ruse për të justifikuar luftën në Ukrainë, ajo e Ukrainës si shtet nazist.

“Presidenti Volodimir Zelenski shpallet “Personi i Vitit” nga revista TIME,” deklaron artikulli. “Adolf Hitlerit është nderuar me të njëjtin titull nga e njëjta revistë në vitin 1938.”

Megjithëse është e vërtetë që Adolf Hitler ka marrë të njejtin titull nga revista Time në 1938, vështirë të thuhet se është “nderuar” me të njejtin titull. Në artikullin që shoqëroi shpalljen e Hitlerit si “Njeriu i Vitit” në 1938, shkruhej: “Një brez përpara, qytetërimi perëndimor dukej se i kishte lënë pas të ligat kryesore të barbarizmit, me përjashtim të luftës mes kombeve. Revolucioni Komunist Rus promovoi të ligën e luftës së klasave. Hitleri ia kaloi me një të ligë tjetër, luftën e racave.”

“Gjenitë e vullnetit të lirë janë mbytur kaq shumë nga shtypja e diktaturës sa prodhimi gjerman i poezisë, prozës, muzikës, filozofisë, dhe artit ka qenë vërtet i mjerueshëm,” vijon Time. “Njeriu më shumë përgjegjës për këtë tragjedi botërore është një asket i zymtë, temperamental, jo tërheqës, 49-vjeçar, lindur në Austri, me një mustaqe si Charlie Chaplin”

Vetë kopertina e revistës Time, në numrin që shpalli Hitlerin “Njeriu i Vitit”, është një ilustrim grotesk ku Hitleri i vogël tregohet duke luajtur një organo mbi të cilën ka një rrotë torture nga varen trupa njerëzish. Diçitura shkruan: “Nga organisti profan, një himn urrejtjeje.”Në 1939, revista Time e përshkroi zgjedhjen e Hitlerit si “Njeriu i Vitit” duke thënë se “në 1938, Hitleri u shndërrua në kërcënimin më të madh me të cilin bota demokratike, liridashëse përballet sot.”

Për krahasim, artikulli shoqërues për Zelenskin, “Njeriu i Vitit” për vitin 2022, shkruan: “Sepse dëshmoi se guximi mund të jetë po aq ngjitës sa frika, sepse lëvizi popuj dhe kombe për t’u bashkuar në mbrojtje të lirisë, sepse i kujtoi botës se sa e brishtë është demokracia – dhe paqja – Volodymyr Zelensky dhe shpirti i Ukrainës janë Njeriu i Vitit 2022.”

Dukshëm, qasjet ndaj Zelenskyt dhe Hitlerit janë diametrikisht të kundërta.

Në fakt, siç deklaron dhe vetë revista Time, titulli “Njeriu i Vitit” i jepet, që nga viti 1928, “njeriut apo njerëzve që ndikuan më shumë lajmet dhe jetët tona, për mirë apo për keq, dhe mishëruan çfarë ishte e rëndësishme për atë vit, për mirë apo për keq.” Josif Stalin është shpallur dy herë “Njeriu i Vitit”, më 1939 dhe 1942, ndërsa diktatori iranian Ayatollah Khomeini mori titullin për vitin 1979.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img