Pretendimi: Futbollisti Xherdan Shaqiri akuzon si spiun presidentin e FSHF

Verdikti: E pavërtetë

Vjolanda Peca

Një video e yllit të përfaqësueses zvicerane me origjinë shqiptare Xherdan Shaqiri, ka krijuar valë të mëdha diskutimesh dhe spekulimesh në rrjet. Në këtë video, aludohet se Shaqiri fyen si spiun Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka. 

Nuk është e fshehtë se marrëdhënia mes Dukës dhe Shaqirit është thyer vite më parë pasi ky i fundit akuzoi publikisht FSHF se nuk kishte mundësuar përfshirjen e talenteve shqiptare në Zvicër në ekipin kombëtar. Për shkak të kësaj përplasjeje të mëparshme, video akuzuese është marrë si e mirëqenë dhe ka marrë mbi 524 mijë shikime në vetëm 24 orë dhe qindra komente të tifozëve në mbarë hapësirën shqipfolëse. 

Megjithatë, Faktoje i bëri një analizë më të thellë videos për të zbuluar se bëhet fjalë për një manipulim. Kjo video rezulton se është e copëzuar dhe e nxjerrë jashtë kontekstit. 

Personi për të cilin Shaqiri flet në video është një tjetër person me emrin Armando. Bëhet fjalë për Armando Ceroni, një gazetar dhe komentator sportiv i njohur i Televizionit zviceran në gjuhën italiane RSI. 

Fjala “spiun” u përdor në formë shakaje dhe jo me qëllim për të ngritur akuza. Shaqiri kishte përgatitur një surprizë për Ceronin duke i dhuruar një bluzë me emrin e tij si shenjë falenderimi pas një karriere të gjatë të gazetarit. Të dy kanë bërë shaka se ky është Evropiani i fundit për karrierën e tyre.  

Pjesë nga videoja e plotë në të cilen Shaqiri surprizon gazetarin Ceroni

Vetë gazetari sportiv Armando e ka mirëpritur surprizën, por edhe shakanë e etiketimit si spiun. Në ndeshjen e rradhës së Zvicrës në EURO2024, ai ka komentuar ndeshjen me bluzën e Shaqirit të veshur dhe duke imituar edhe qëndrimin e tij kur shënon gol.  

Në përfundim, videoja e Xherdan Shaqirit është një shembull i qartë i asaj se si një shaka miqësore mund të keqinterpretohet dhe manipulojë lehtësisht opinionin publik nëse nuk jemi vigjilentë.