BallinaProjekteQendra Kundër Dezinformimit e Ballkanit PerëndimorAlarmet false për bombë në shkolla u dërguan nga vende jo mike të Shqipërisë

Alarmet false për bombë në shkolla u dërguan nga vende jo mike të Shqipërisë

Emailet kërcënuese për bombë në shkollat në Tiranës u dërguan nga vende jo mike të Shqipërisë. Kjo bëhet e ditur zyrtarisht për Faktoje nga Policia e Shtetit, e cila thekson se çështja i ka kaluar për hetim SPAK-ut. Lajmet e pasqyruara në media me tituj abuzues, përmbajtje të paverifikuar dhe shpesh kontradiktore, përhapën panik tek qytetarët.

Më 17 maj, një alarm për bombë në shkollat në Tiranës u raportua gjerësisht në mediat online dhe jo vetëm. Mënyra se si ky njoftim u pasqyrua në mediat shqiptare krijoi panik te qytetarët. Për disa klikime më shumë, mediat dhe televizionet informative nisën një garë raportimesh mbi përmbajtjen e këtij emaili, pa bërë asnjë verifikim paraprak mbi vërtetësinë e tij.

Nëpërmjet një lidhjeje ‘live’ televizionet informative raportuan mbi emailin të mbërritur në adresë të disa komisariateve, por edhe në adresat e zyrtarëve të Policisë së Shtetit, ku njoftohej për bombë në shkolla në Tiranë.

Më tej, lajmi u publikua në shumë media online, ndërsa ajo që vihej re ishin raportimet kontradiktore. Në disa media raportohej se emaili kishte mbërritur në adresë të policisë, në të tjera theksohej se mesazhi kërcënues u ishte dërguar shkollave.

“Alarm për bombë në shkollën 9-vjeçare! Mesazhi anonim në e-mail: Kamionët tanë janë të mbushur me eksploziv! Do ju mbytim me gjak”-ishte ky një prej titujve të mediave online

Një tjetër portal, që raporton mbi këtë email aludon ndër të tjera: “kërcënuesi duket se është ekstremist islamik”, duke e krahasuar me sulmin në Nice të Francës.

Menjëherë pas këtij lajmi, mediat online raportuan se alarmi ishte fals, duke iu referuar informacioneve nga Policia e Shtetit dhe kontrolleve të kryera prej tyre në shkolla. 

Në lidhje me këtë çështje, Policia e Shtetit nuk pati një reagim zyrtar, ndërsa në raportimet e tyre mediat i referoheshin burimeve nga ky institucion.

Çfarë përmbante emaili?

Mesazhi kërcënues ishte me përmbajtje të ekstremizmit fetar islamik dhe me një gjuhë të dhunshme kundrejt mësuesve.

“Gjaku i mësuesve do të derdhet në shkolla. Armiqtë E Allahut do t’i shtrembërojnë veprimet tona. Thashë: ‘O i Dërguari i Allahut, kuajt tanë shkelën mbi gratë dhe fëmijët e idhujtarëve. Ai tha: ‘ata janë nga baballarët e tyre”, shkruhej ndër të tjera në emailin kërcënues.

Në lidhje me këtë email, eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço deklaroi se pas këtij mesazhi fshihet i njëjti person që e ka kryer këtë veprim edhe në vendet fqinje.

“Kanë bërë veprime Policia e Shtetit, antiterrori dhe SHISH dhe ka rezultuar se personi që e ka bërë është rus që ndodhet në Serbi. Këtë veprim e ka bërë edhe me Malin e Zi dhe Kosovën. Dosja i është referuar SPAK për ta ndjekur për akte terroriste, ka qenë alarm nga dikush. Është i identifikuar, por mbahet sekret emri dhe mbiemri”, tha eksperti.

Policia: Emaili u dërgua nga vende jo mike të Shqipërisë

Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Policisë së Shtetit për të mësuar më shumë detaje mbi burimin e këtij emaili. Zyrtarisht institucioni bën të ditur se informacioni ishte i rremë dhe se emaili është nisur nga vende jo mike të Shqipërisë.

“Për sa interesoheni, materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprën penale ‘Kanosja për kryerjen e veprave penale, me qëllime terroriste’ dhe çështja ndiqet në vijimësi.

Pasi janë bërë kontrollet dhe verifikimet përkatëse, ka rezultuar se informacioni ka qenë i rremë. Në asnjë çast siguria në shkolla nuk është cenuar, ndërsa email-i rezulton të jetë nisur nga vende jo mike të Shqipërisë”, njofton zyrtarisht Policia.

Alarme të ngjashme edhe në vendet e rajonit  

Në vendet fqinje si Maqedoni e Veriut, Kosova, Mali i Zi, Greqia alarmet për bomba në shkolla janë të përsëritura. Në Maqedoninë e Veriut këto emaile janë kthyer në një problem shqetësues për sigurinë, por fatmirësisht kërcënimet kanë rezultuar false.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img