BallinaAktualitetCovid-19300 raste në ditë me Covid-19 te urgjenca e QSUT, spitalet Covid-3 dhe 4 ende mbyllur

300 raste në ditë me Covid-19 te urgjenca e QSUT, spitalet Covid-3 dhe 4 ende mbyllur

Ndërsa Shqipëria përballet me rritjen e pandalshme të të infektuarve me Covid-19, shtohen pikëpyetjet nëse janë plotësuar kapacitetet në spitalet Covid 1 dhe 2. Një vëzhgim i Faktoje në urgjencën e QSUT dhe burimet brenda saj, flasin për rreth 300 raste të reja në ditë të identifikuara vetëm aty. Edhe opozita jep shifra alarmante, ndërkohë që spitalet Covid 3 dhe 4 që sipas qeverisë janë gati, ende nuk janë hapur. Nga 3 zyrtarë që pyeti Faktoje për të marrë një konfirmim mbi situatën e të prekurve dhe kur do hapen dy spitalet, askush nuk përgjigjet.

Në 26 Tetor- Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektuan strukturën e ish-kirurgjive në QSUT, që do të shërbejnë si spital Covid 3 në rast se do të jetë e nevojshme.

“Janë 150 shtretër në këtë strukturë e dedikuar për pacientët me Covid19, ku ka gjithashtu edhe një njësi reanimacioni për pacientët që do të ketë nevojë. Sipas protokollit që ka përcaktuar shërbimi infektiv çdo gjë është vendosur dhe është gati. Janë pajisur dhomat me monitorë, respiratorë dhe linjat e oksigjenit”, tha Manastirliu.

Edhe Kryeministri Rama përmes një postimi në rrjetin social Instagram garantoi se spitalet Covid 3 dhe 4 janë gati.

Po në 26 tetor Ministrja Manastirliu deklaroi se në dy spitalet ekzistues kishte edhe 40-50 shtretër të lirë dhe se me plotësimin e tyre, do niste punën Covid 3, I pozicionuar nw territorin e QSUT.

A janë ‘plot’ spitalet COvid-1 dhe 2?

Faktoje bëri një verifikim duke iu referuar disa burimeve dhe në terren.

Së pari, rritja e numrit të të infektuara konfirmohet nga Ministria e Shëndetësisë, përmes raportimeve ditore.

Edhe të dhënat e organizmave ndërkombëtare si WorldMeters.com dhe Coronatracker.com dëshmojnë shtimin e konsiderueshëm të të prekurve nga virusi Covid-19.

                        *Të dhënat sipas rasteve ditore për Shqipërinë nga WorldMeters.com

 

                             *   Të dhënat nga Coronatracker.com për Shqipërinë

A është rritur po me këtë ritëm numri i të shtruarve në spitale? Ky është një informacion që burimet zyrtare nuk na e kanë dhënë. Ne shkuam në terren në 27 tetor, për të mësuar nëse do hapeshin dy spitalet Covid-3 dhe 4.

     *Spitali Covid 3 (Brenda QSUT)

Kjo ështe hyrja për në spitalin Covid-3, i cili sipas deklaratës së zonjës Manastirliu planifikohet të hapet këtë javë. Kur pyetëm rojen në hyrje të objektit, na tha se nuk kishte asnjë mjek/infermier apo personel brenda spitalit, I cili ndodhet fare pranë urgjencës së QSUT.

Askush nuk dinte të jepte një datë se kur do të bëhej funksional, ndërkohë që vetëm pak hapa më tutje gjetëm grumbuj njërëzish në pritje.

Ishin qytetarë që prisnin pranë hyrjes së urgjencës, të afërm që kishin sjellë persona të dyshuar si të prekur nga covid-19 dhe pacientë që prisnin radhën për t’u ekzaminuar. Burime brenda urgjencës thanë për Faktoje se numri real i të infektuarve që identifikoheshin çdo ditë tejkalonte atë çfarë raportohet zyrtarisht nga institucionet shëndetësore çdo 24 orë.

“Janë mbi 300 raste të konfirmuara vetëm për urgjencën këtu. Është e sigurt që ky numër nuk raportohet, por ka persona të cilët vijnë me simptoma si problem me diabetin, mushkërinë zemrën dhe kur ekzaminohen rezultojnë se kanë Covid-19” -u shprej D.J 45 vjeç infermier në këtë sektor.

Para se të publikonte artikullin, nisur nga shifra alarmante që morëm nga burimet brenda urgjencës, Faktoje u përpoq të kontaktonte me Kreun e Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj për të konfirmuar situatën. Deri në publikimin e shkrimit nuk morëm përgjigje.

Ne pyetëm edhe Mjekun Infeksionist, njëkohësisht antar i Komitetit të Ekspertëve të COVID-19 Pëllumb Pipero, por as ai nuk ktheu përgjigje.

Hapi tjetër ishte të kontaktonim me Zv Ministren e  Shëndetësisë Mira Rakacolli për ta pyetur  mbi këtë çëshje, por as ajo nuk u përgjigj.

Nga vëzhgimi në QSUT konstatuam se dyndja e njërëzve para urgjencës, përbënte një rrezik shtesë për përhapjen e virusit. Ndërkohë në dy çadra përbri urgjencës bëheshin ekzaminimet e qytetarëve që dyshonin se ishin të infektuar me Covid-19.

Pavarësisht përpjekjeve për të forlur me stafin, na u ndalua kategorikisht ndërsa binte në sy se punohej nën presion të vazhdueshëm dhe kontakti me gazëtarët ishte i ndaluar.

COVID-4

Pas verifikimit të situatës në QSUT, Faktoje vijoi vëzhgimin në spitalin Covid 4, ish universiteti Kristal në autostradën Tiranë-Durrës. Hyrja në territorin e spitalin ndalohej nga forca të Ministrisë së Mbrojtjes. Megjithatë nga burimet tonna mësuam se nuk kishte as personel mjekësor dhe as kishte nisur aktiviteti.

Edhe në hyrjen e pasme të spitalit dera ishte e mbyllur ndërsa roja refuzoi të jepte përgjigje.

*Hyrja nr 2 për në COVID-4

                                   *Kabina në të cilën qëndronte roja në hyrjen nr 2

Ndërkohë opozita jep alarmin për shifra disafish më të larta të prekurish. Sipas nënkryetarit të LSI, ish ministri I Shëndetësisë Petrit Vasili, numri real i të prekurve nga Covid është më i lartë se ajo që raportohet zyrtarisht.

Faktoje komunikoi me ish-Ministrin Vasili ku sipas tij numri i raportimeve do të ishte akoma më i lartë nëse bëheshin më shumë testime.

“Në muajin maj Kryeministri Rama deklaroi se situata e  pandemisë mori fund por sot jemi përballë një situate tjetër, numri i tëinfektuarve është rritur dhe zyrtarisht pasi testimet  u rritën që prej muajit maj.Megjithatë një rritje tjetër  do të tregonte se numri i infektimeve është shumë herë më i lartë. Ka shumë qytetarë që kurohen nga shtëpia dhe  mjekët i japin recetat me telefon gjë që nuk është korrekte nga ana mjeksore”-sqaroi Vasili.

  *foto nga denoncim i një qytetari të dyshuar me Covid-19 i cili e ka marrë recetën nga telefoni

 

Një ditë më parë edhe kryetari i PD Basha gjatë një takimi me gazetarët ngriti shqetësimin për raportime të pasakta nga ana e qeverisë mbi numrin e të prekurve.

“Ekipi i shëndetësisë në PD ka marrë një seri raportimesh në të gjithë vendin ku në bazë të përllogaritjeve të bazuara nga denoncimet e qytetarëve që raportojnë simptoma të infektimit vetë apo nga familjarët e tyre dhe nuk iu bëhet tamponi prej ditësh, ka ardhur në shifra disa herë më të larta sesa raportimet zyrtare”-deklaroi ai.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img