BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookMjekë të rremë këshillojnë trajtimin nga shtëpia të venave të bllokuara

Mjekë të rremë këshillojnë trajtimin nga shtëpia të venave të bllokuara

Mjekë të rremë vijojnë të përdoren nga portalet për të bërë të besueshme këshilla mjekësore që rekomandojnë blerjen e preparateve të ndryshme. “Faktoje” verifikoi një tjetër artikull me këshilla mjekësore ku ofrohet një produkt për trajtimin e problemeve me venat.

——————–

Artikuj të shpërndarë në portale pretendojnë se një preparat trajton problemet me venat.

Edemë, dhimbje muskulore dhe dhimbje barku: 3 indikacione të venave të bllokuara. Si mund t’i trajtoni vetë nga shtëpia?”- premton një artikull marketingu në një prej portaleve.

Artikujt e shpërndarë në portale

Për ta bërë më të besueshëm këshillën dhe premtimin për trajtimin ndaj problemeve shëndetësore, artikulli ka përdorur emrin e një mjeku shqiptar, i cili identifikohet si doktor Hasani. Sipas portalit, ai është shef i Universitetit të Mjekësisë dhe Farmacisë, Shefi i Divizionit të Kirurgjisë Vaskulare, Profesori i Kirurgjisë Neuro.

Një pozicion i tillë nuk ekziston në strukturat tonë shëndetësore, ndaj Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të mëtejshëm.

Fillimisht ne kërkuam me foton e mjekut, ku nëpërmjet mjeteve të verifikimit të fotove konfirmuam se imazhi qarkullon në internet së paku që prej vitit 2013.

Ndërkohë, më tej në tekst thuhet se “doktor Hasani deri më tani ka kryer më shumë se 100 mijë operacione të trurit”. Kjo dëshmon me tej se kemi të bëjmë me një skemë, të përkthyer keq, pasi një mjek që merret me problemet e enëve të gjakut, nuk merret me ndërhyrjet në tru.

E pyetur nga Faktoje në lidhje me këtë suplement mjekja kirurge flebologe Elida Mici është shprehur: “Unë njoh vetëm preparatet që shiten në farmaci, të cilat janë të regjistruara dhe të certifikuara”.

Në një sërë artikujsh të publikuar nga Faktoje, mjekët kanë këshilluar që të tregohet kujdes me përdorimin e këtyre suplementeve, duke sugjeruar që të këshilloheni me mjekët specialistë. Mendimi se trajtime të tilla mund të shërojnë sëmundje mund të shtyjë pacientët që të ndalojnë trajtimet e rekomanduara nga mjeku, ndërkohë që rreziku nga probleme anësore prej trajtimeve të pacertifikuara mbetet gjithnjë i lartë.

Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore ka sqaruar se këto produkte janë thjeshtë shtesa ushqimore dhe jo medikamente.

Ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i përkufizon ushqimet shtesë si “produkte ushqimore qëllimi i të cilave është si shtesë në dietën normale dhe të cilat janë burime të koncentruar lëndësh ushqyese ose substancash të tjera me vlerë ushqyese ose efekte fiziologjike, të tregtuara më vete ose të kombinuara, të ambalazhuara në formë porcioni të tillë si kapsula, tableta, pilula, hape dhe trajta të tjera të ngjashme, në qese (pluhur), ampule (lëng), në shishe me pika apo në trajta të tjera të ngjashme si pudra të përcaktuara për t’u përdorur në sasi të vogël uniforme”.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img