Video e një kërcimtari që i përngjan presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky po qarkullon në rrjet në një përpjekje për ta diskredituar atë si lider. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se video origjinale është e kërcimtarit Pablo Acosta dhe është modifikuar duke i mbivendosur fytyrën e Zelenskyt.

—————————–

Në një përpjekje për të bërë objekt talljeje presidentin ukrainas, një video e një kërcimtari belly-dancing që duket se i ngjan Zelenskyt po shpërndahet në rrjete sociale.

Zelensky ka patur një karrierë si humorist përpara se të zgjidhej president. Ai ka luajtur edhe rolin e kërcimtarit, kur u shfaq në versionin ukrainas të konkursit të kërcimit Dancing with the Stars në 2006, konkurs të cilin e fitoi.

Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon presidentin Zelensky duke kërcyer.

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, “Faktoje” zbuloi se video origjinale është postuar në Qershor 2023 nga kërcimtari Pablo Acosta në llogarinë e tij në Instagram, @pabloacostabellydance.

Video origjinale e postuar nga kërcimtari Pablo Acosta

Pablo Acosta vetëpërshkruhet si një “kërcimtar, instruktor dhe koreograf” nga Argjentina. Profili i tij në Instagram përmban video të tjera nga po e njejta performancë si ajo më sipër.

“Faktoje” ka verifikuar edhe më parë lajme të rreme që janë përdorur për të denigruar figurën e Zelenskyt.