Në fillim të këtij viti Kryetari i Bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu premtoi vendosjen e kamerave të sigurisë në akset kryesore të Lezhës dhe Shëngjinit. Por ndryshe nga sa u premtua, zbatimi i projektit në fjalë nisi në gusht vetëm me Shëngjinin. Faktoje verifikoi nga afër ecurinë e këtij investimi që synon të rrisë sigurinë por edhe të vendosë rregull në menaxhimin e mbetjeve.
Esmeralda Topi
“Janë 15 milionë lekë të reja investim në kamerat në Shëngjin dhe në Lezhë. Jemi dakordësuar edhe me Policinë e Shtetit. Kamerat do të jenë të lidhura me sallën operative të policisë, duke synuar kryqëzimet, kryesisht në hyrje dhe në dalje.”- premtoi më 9 prill të këtij viti, Kryetari i Bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu teksa theksonte se investimi në fjalë do të realizohej brenda këtij viti.
Katër muaj më pas, përmes një postimi në rrjetin social Facebook kryebashkiaku Ndreu bëri me dije se projekti për vendosjen e kamerave të sigurisë kishte nisur nga puna.
“39 kamera tani mbikqyrin Shëngjinin me gjithë akset e rrugëve që kanë lidhje me sigurinë dhe menaxhimin e mbetjeve!”
Lezha konsiderohet një ndër qarqet më problematike për nga siguria dhe rendi. Gjatë vitit 2021, në këtë qark janë shënuar mbi 2000 mijë vepra penale, mes tyre edhe katër vrasje të bujshme. Por veç rritjes së sigurisë përmes kamerave, Bashkia e Lezhës synon të zgjidhë një problematikë tjetër që lidhet me menaxhimin e mbetjeve.
Nisur nga rëndësia që ka kjo çështje, Faktoje vendosi të bëjë një verifkim për investimin në fjalë. Fillimisht ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë së Lezhës, mbi ecurinë e projektit.
Një muaj më vonë, Bashkia na dha këtë përgjigje:
“Projekti i vendosjes së kamerave të sigurisë në Shëngjin është në proces zbatimi. Gjatë këtij viti janë vendosur gjithsej 567 masa administrative, duke përfshirë edhe masat për shkelësit e ligjit përsa i përket mbetjeve.”
Screenshot nga përgjigja e Bashkisë Lezhë, 13 tetor 2022
Pasi morëm përgjigjen e Bashkisë, ne vendosëm të verfikojmë në terren projektin e kamerave. Më 9 nëntor Faktoje ishte në Lezhë dhe Shëngjin.
Shëngjin 9 nëntor 2022
“Po shumë mirë kanë bërë që i kanë vënë kamerat, se kemi turistë dhe kështu u japim siguri atyre.”- thotë pronari i një hoteli në Shëngjin.
“Me thënë të drejtën, edhe për plehrat ndihmojnë se i hedhin vend e pa vend. Që kur janë vënë kamerat sikur ka marrë pak drejtim kjo punë, se vendosen gjoba.”– thotë një tjetër banor i Shëngjinit.
Nga verfikimi që ne bëmë në terren, rezultoi se kamerat ishin të vendosura në akset kryesore të Shëngjinit, por jo në Lezhë, sikurse premtoi në muajin prill Kryetari i Bashkisë Pjerin Ndreu. Prandaj, nisur nga informacionet e siguruara dhe verfikimi në terren, premtimin e z.Ndreu do ta kategorizojmë si pjesërisht të mbajtur.
“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo, premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.