Bulevardi “Zogu i Parë”, i cili i është nënshtruar punimeve prej më shumë se një viti, duhet të ishte hapur, sipas premtimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj. Nga verifikimi në terren, pasi ka përfunduar afati i vendosur nga Veliaj, “Faktoje” konstatoi se punimet ende vazhdojnë.
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, në një intervistë për emisionin “Wake Up”, më 30 shtator, duke folur mbi trafikun e rënduar në kryeqytet, tha:
Jemi shumë afër afateve të përfundimit të tyre. Dua t’ju kujtoj se janë të gjitha punë që duheshin bërë. Jemi shumë afër, përpara fundit të tetorit ose fillimit të nëntorit Bulevardi ‘Zogu i Parë’ do të hapet – u shpreh Veliaj.
Më 2 dhe 10 nëntor “Faktoje” vëzhgoi nga afër punimet në bulevardin “Zogu i Parë”.
Them se nuk e mbyllim dot para fundit të vitit, për të mos thënë në janar 2021. Këto ditët e fundit kam dëgjuar se duhet ta mbarojmë para datës 28 nëntor, por nuk besoj se bëhet. Kemi ende punë te pjesa e asfaltit, trotuarët, rrjetin e kanalizimeve të ujërave të shiut, ndriçimin rrugor, gjelbërimin për të mos folur pastaj për fasadat apo sheshet që do ndërtohen – i tha “Faktojes” një prej punëtorëve të kompanisë “Fusha SHPK”.
Nga vëzhgimi në terrren dukej qartë se në disa segmente të aksit rrugor 600 metra të gjatë, kishte ende punë për të bërë.
Shtrimi i trotuarëve ishte ende në fazë punimesh, ndërsa vendosja e tubave ende nuk kishte nisur.
“Faktoje” u rikthye më 10 nëntor në bulevardin “Zogu i Parë”, për të verifikuar nëse kishin përfunduar punimet.
Ndonëse vijohej të punohej, bulevardi “Zogu i Parë”, kishte të hapur, por me kufizime, vetëm një korsi, ndërsa në tjetrën punimet vazhdonin.
Punimet te bulevardi “Zogu i Parë” janë kthyer në problem për bizneset që operojnë aty pranë.
Tani është mirë, po gjatë verës ne e dimë ç’kemi hequr. Ku i shkonte njeriut mendja të blinte byrek me gjithë atë pluhur që krijohej nga punimet këtu! Që kur kanë nisur punimet në gusht të vitit 2019 e deri tani, thuajse vij kot – i tha “Faktojes” pronarja e një byrektoreje në bulevardin “Zogu i Parë”.
Bulevardi “Zogu i Parë”, i cili lidh sheshin Skëndërbej me Bulevardin e ri, me një gjatësi prej 600 metrash ka një vlerë punimesh prej 626,874,664 lekësh.
Sipas të dhënave, nga kontrata e punimeve, rehabilitimi i këtij segmenti parashikon ndërhyrjen për përmirësimin e shtresave rrugore, trotuareve, rrjetin e kanlizimeve të ujrave të shiut, ndriçimin rrugor, gjelbërimin. Ky projekt prashikon gjithashtu unifikimin e fasadave si dhe krijimin e 4 mikrohapësirave përgjatë këtij aksi, të cilat do të shërbejnë për aktivitete të ndryshme.
Koston relativisht të lartë të rehabilitimit të Bulevardit “Zogu i Parë”, kryebashkiaku Veliaj e argumenton si realizimin e një projekti ambicioz tejet utilitar.
Ambicia jonë është që Bulevardi “Zogu I”, nga ish-Stacioni i Trenit deri tek Sheshi “Skënderbej” të transformohet në një rrugë shopingu, siç kemi bërë me pjesën e Pazarit të Ri; për këtë do të rregullojmë të gjitha fasadat, do ta zgjerojmë akoma më shumë trotuarin, do të kemi 4 sheshe dhe 4 ‘piaceta’. Do të jetë një nga rrugët më të bukura në Tiranë, pa dalluar shumë nga Bulevardi i Ri – u shpreh më 9 nëntor 2018 Veliaj.
Deklaratën e kryebashkiakut Veliaj, për hapjen e bulvardit “Zogu i Parë” në fund të tetorit ose fillim të nëntorit, do ta kategorizojmë si “Të pavërtetë”.